Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtari i dyshuar për fshehje pasurie, KLGJ i kthen pagat dhe KPK e nxjerr në pension

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka vlerësuar të drejtë vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor që ka pranuar kërkesat e gjyqtarit Osman Aliu për rikthimin e tij në punë, pagesën për periudhën e pezullimit dhe ndërprerjen e statusit të magjistratit për shkak të moshës.

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më datë 5 mars të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtarin e Gjykatës  Kavajës, Osman Aliu i cili i kishte kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ dorëheqjen nga statusi i magjistratit për shkak të moshës dhe pension të parakohshëm.

Trupa gjykuese që vlerësoi të drejtë vendimin e KLGJ përbëhej nga Etleda  Çiftja kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar.

Në vendimin e zbardhur të KPK shpjegohet se gjyqtari Aliu, kishte depozituar në KLGJ më datë 19 dhjetor 2019, një kërkesë me disa objekte. Ai ka kërkuar revokimin e vendimit të 25 prillit 2015 të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për pezullimin e tij nga detyra dhe rikthimin e statusit të tij si gjyqtar në Gjykatën e Kavajës; pagesën e gjithë rrogave dhe përfitimeve të tjera kur ka qëndruar pa punë dhe mbarimin e statusit të gjyqtarit me argumentin se më datë 15 janar mbushte moshën 65 vjeç dhe kishte të drejtën e pensionit të parakohshëm.

Komisioni sqaron se KLGJ, ka vendosur më datë 9 janar të revokojë vendimin e KLD për pezullimin e Aliut nga detyra, si dhe njohjen e të drejtës për të përfituar pagën për kohën e pezullimit nga detyra nga prilli 2015 e në vazhdim. Të njëjtën ditë, KLGJ ka vendosur të pranojë edhe kërkesën tjetër të gjyqtarit Aliu për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të dorëheqjes.

Duke ju referuar praktikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe pasi ka konstatuar se Aliu nuk ka bërë ankim ndaj vendimit të KLGJ për deklarimin e statusit të magjistratit për të, Komisioni e ka vlerësuar të drejtë atë vendim.

Në prill të vitit 2015, KLD njoftoi pezullimin e gjyqtarin të Kavajës Osman Aliu, pasi akuzohej për fshehje të pasurisë. Prokuroria e akuzoi gjyqtarin Aliu se nuk kishte deklaruar 41 transferta parash dhe një apartament. Por akuzat e prokurorisë u rrëzuan nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dhe ajo e Apelit Tiranë, duke konkluduar se nuk ekzistonin elementët e veprës penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *