Gjyqtari Gerd Hoxha
KPK Lajme Vendi

Gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha konfirmohet në detyrë me shumicë votash

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi me shumicë votash gjyqtarin e Trianës, Gerd Hoxha – ndërsa me votë unanime dërgoi për inspektim dy vendimarrje të tij.

Gjyqtari Gerd Hoxha

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha. Kryesuesi i trupit gjykues të KPK-së, Olsi Komici deklaroi se konfirmimi në detyrë i Hoxhës është marrë me shumicë votash.

Ndërkohë, në mënyrë unanime, Komisioni vendosi të dërgojë për inspektim në institucionin e Inspektorit të Lartë te Drejtësisë dy vendimmarrje të gjyqtarit Gerd Hoxha.

Gjatë seancës dëgjimore të martën, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, kërkoi vlerësim negativ për kriterin profesional pasi evidentoi problematike dy vendimarrje të Hoxhës kur ai ishte anëtar i KLD-së, duke konstatuar se subjekti kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Nga sa u relatua në seancën dëgjimore bëhej fjalë për vendimet e KLD-së në dhënien e lejes për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni dhe rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarit Petrit Aliaj.

Një gjetje e tretë e ONM-së kishte të bënte me një dosje penale në ngarkim të një infermiereje dhe farmacistes të QSUT-së për abuzime me barnat për të sëmurët me kancer.

Gjithashtu, KPK vuri në dukje disa mungesa burimesh financiare sa i përket pasurive që gjyqtari kishte së bashku me ish-bashkëshorten Elbana Lluri, po ashtu gjyqtare. Lluri u konfirmua nga KPK, por me rekomandim të ONM-së, Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për të.

Gerd Hoxha u diplomua në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe e ushtron funksionin si gjyqtar i Gjykatës së Tiranës prej 18 vitesh. Paralelisht me detyrën si gjyqtar, Hoxha ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kryetar i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *