Gjyqtari i Tropojës, Erjon Çela konfirmohet në detyrë

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Erjon Çela, pas hetimeve të kryera për të tre kriteret e rivlerësimit.

Gjyqtari Erjon Çela pas vendimit të konfirmimit në detyrë. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të premten që të konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Tropojës, Erjon Çela. Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komici dhe anëtare Valbona Sanxhaktari.

Erjon Çela ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Pogradecit, ai ka punuar si gjyqtar dhe zv.kryetar i Gjykatës së Tropojës. Aktualisht, Çela ka aplikuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor për t’u promovuar si gjyqtar i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Çela dha shpjegime për blerjen e një apartamenti në Yzberisht në vitin 2015 në vlerën e 59 862 euro si dhe për shitblerjen e një makine.

Çela u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa në seancë u evidentuan disa gjetje për profesionalizmin. Në 5 dosjet e shortuara u evidentua mosrespektim i afatit 10 ditor për caktimin e datës se seancës në një rast dhe se në dy raste, subjekti duhej të kishte orientuar palët në bazën e duhur ligjore. Ndërkohë, KPK nuk ka gjetur probleme në tre denoncimet e kryera nga publiku.

Në fjalën e tij, Çela i kundërshtoi gjetjet e Komisionit për profesionalizimin. Ai tha se nëse do të kishte vepruar ashtu si pretendon grupi i punës së ish-KLD, duke orientuar palët për normën ligjore, atëherë do të kishte bërë gabim. Çela shpjegoi se dokumentet për shqyrtimin e dy çështjeve në fjalë ekzistonin.