Gjyqtari Luan Daci me raport mjekësor, shtyhet ballafaqimi me gjykatën

Lajme
Avokati i anëtarit të pezulluar të KPA-së paraqiti një raport mjekësor për paaftësi të përkohshme dyjavore të klientit të tij për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale. Seanca e komunikimit të masës u shty për të dielën.    

Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci | Foto : LSA

Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci nuk u paraqit të premten në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku ishte parashikuar komunikimi i masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës. Në seancë ishte i pranishëm përfaqësuesi ligjor i Dacit, avokati Andi Durraj, i cili i paraqiti gjyqtares Daniela Shirka arsyet e mosparaqitjes së Dacit.

Burime zyrtare të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i thanë BIRN se avokati Durraj paraqiti në seancë një raport mjekësor dyjavor sipas të cilit anëtari i KPA i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirugjikale.

“Në këto kushte, gjykata e shtyu seancën për më datë 24 maj, të dielën, në orën 12:00, duke mundësuar zhvillimin e seancës së komunikimit të masës së pezullimit 5 ditë nga marrja e saj,” shpjegoi Gjykata.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të mërkurën, më 20 maj se, Luan Daci ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit të tij për pozicionin si gjyqtar KPA-së. Sipas SPAK, nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar se Daci në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë masa disiplinore ″largim nga puna” në vitin 1997.

SPAK e akuzon Dacin për falsifikim të dokumenteve, ndërkohë që një masë sigurie për pezullimin e tij nga detyra në KPA u miratua më parë nga Gjykata e Posaçme.

Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit, Luan Daci arriti të kalonte filtrat e Avokatit të Popullit, ONM-së dhe Kuvendit vetëm një vit pasi ishte skualifikuar nga një garë për gjyqtar në KLD për shkak të shkarkimit të vitit 1997 – duke siguruar një post në institucionin më të lartë të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se zgjedhja e Luan Dacit në kundërshtim me kriteret formale në Kolegjin e Apelimit u bë vetëm një vit pasi atij iu refuzua një kërkesë për t’u emëruar në Gjykatën e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me arsyen se ai ishte shkarkuar më parë nga gjyqësori.

Në aplikimin për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Daci akuzohet se ka fshehur periudhën që ka punuar si gjyqtar në vitet 1994-1997 si dhe masën disiplinore të largimit nga detyra. Ndërsa në një seancë dëgjimore me komisionin Ad Hoc në Parlament, ai deklaroi se ishte larguar me dorëheqje për shkaqe politike.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i tha BIRN se ishte njohur më 20 maj me masën e pezullimit nga detyra të gjyqtarit Luan Daci si dhe ishte njoftuar prej këtij të fundit që do të ndiqte të gjitha rrugët ligjore të ankimit ndaj këtij vendimi*.

Në këto kushte, Kolegji thotë se do të presë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për çështjet ku Daci është anëtar i trupës gjykuese, ndërsa do të vijojë punën me çështjet ku ai nuk është anëtar i trupës gjykuese.

*Shkrimi u amendua pas përgjigjes së mbërritur në redaksi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.