Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtari Medja del i pastër ndërsa vihet në pah mbingarkesa në punë

Gjyqtari Gentian Medja i Gjykatës Administrative të Tiranës rezultoi tërësisht i pastër në vlerësimin e pasurisë dhe i figurës ndërsa vlerësimi i aftësive profesionale vuri në pah gabime procedurale dhe vonesa në gjykime, për të cilat Medja i justifikoi me ngarkesën e stërmadhe në punë që kanë gjyqtarët e gjykatave administrative.

Gjyqtari Gentian Medja në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 30 korrik 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Gjyqtari Medja u deklarua tërësisht i saktë dhe pa pasuri të fshehura në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ku u paraqit personalisht dhe pa avokat të hënën më 30 korrik. Sipas relatores së çështjes Firdes Shuli, Medja, 40 vjeç, me eksperiencë gjykatës në Shkodër dhe në Gjykatën Administrative të Tiranës, është treguar “tërësisht bashkëpunues” me komisionin dhe ka marrë raporte të pastra nga ILKPDKI si dhe nga hetimi administrativ i komisionit për pasurinë e tij dhe të prindërve të tij të përbërë nga një apartament i privatizuar në Shkodër dhe disa llogari bankare kursimesh për një total prej 4.1 milionë lekësh bashkë me disa aksione të prindërve në ndërmarrjen e Duhan-Cigareve në Shkodër të marra nga procesi i privatizimit. Ndërmarrja ka falimentuar shumë kohë më parë dhe aksionet e prindërve të gjyqtarit nuk kanë krijuar asnjëherë të ardhura.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka raportuar në Komision pastërtinë e figurës së gjyqtarit.

Gjyqtari rezulton se jeton në Tiranë në një apartament me qira dhe disponon një makinë modeste.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit raportoi në seancë hetimin e thelluar në lidhje me kriterin e aftësive profesionale. Komisioni vërejti se ka shumë çështje gjyqësore ku Medja nuk ka zbardhur siç duhet vendimet e ndërmjetme për shtyrje seancash apo procedurash gjyqësore si dhe në shumë raste çështjet gjyqësore të gjykuara prej tij janë zgjatur në kohë.

Medja argumentoi se Gjykata Administrative e Tiranës dhe në përgjithësi gjykatat administrative janë të mbingarkuara me punë, ku çdo gjyqtari i bie të gjykojë mbi qindra çështje në vit dhe të zhvillojë 10 deri në 18 seanca gjyqësore brenda një dite pune. Sipas raportit të Këshillit të Lartë të Drehtësisë, Medja ka gjykuar mbi 2094 çështje gjatë viteve të fundit, nga të cilat, 1864 kanë përfunduar me vendim.

“Ngarkesa është tre herë mbi normalen,” tha Medja, “është fizikisht e pamundur të shqyrtohen kaq shumë çështje në kohë”.

Medja kërkoi rikonfirmimin në detyrë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga Roland Ilia, Xhensila Pine dhe Firdez Shuli pritet të japin vendimin mbi Medjan më 1 korrik ora 9.30.

Medja iu nënshtrua procesit të vetingut si pjesë e listës me përparësi në kohë për shkak të kandidimit të tij për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucionit të ri që do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Nga të katërmbëdhjetë kandidatët gjyqtarë për gjashtë vende në KLGJ, deri tani janë konfirmuar gjashtë kandidatë, janë shkarkuar katër dhe tre janë në proces. Një nga  kandidatët ka dhënë dorëheqjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *