Gjyqtari Ramiz Lala konfirmohet në detyrë nga KPK
Lajme

Gjyqtari Ramiz Lala konfirmohet në detyrë nga KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të premten të konfirmojë në detyrë kryetarin e Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala.

Gjyqtari Ramiz Lala pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: E.Hoxhaj

Kryetari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala u konfirmua të premten në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Etleda Çiftja kryesuese, Firdes Shuli anëtare dhe Pamela Qirko relatore e çështjes. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm John Leonardo.

Ramiz Lala e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2010 në gjykatën e Përmetit. Ai është emëruar kryetar i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës në vitin 2013 dhe vazhdon ta ushtrojë atë prej gati 6 vitesh.

Vendimi i Lalës erdhi pas hetimit të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit. Hetimi i KPK-së u fokusua në një apartament prej 86.6 m2 në Tiranë, një sipërfaqe trualli të ndodhur në Paskuqan të Tiranës si dhe mbi një ndërtesë dy-katëshe të ngritur në këtë truall. Gjithashtu, pjesë e verifikimeve u bënë edhe të ardhurat në vitet 2003-2006 nga puna si avokat, për të cilat gjyqtarit Lala iu kalua barra e provës dhe ai dorëzoi dokumente shtesë në KPK.

Për profesionalizimin, Komisioni ka konstatuar se gjyqtari Lala tregon nivel minimal kualifikues në arsyetimin e çështjeve gjyqësore. “Janë konstatuar problematika profesionale si arsyetimi në nivel minimal dhe pasaktësi formale dhe në disa raste tejkalim të afateve të gjykimit,” pohoi ndër të tjera relatorja Qirko.

Subjekti tha se Gjykata Administrative e Gjirokastrës ka pasur shumë ngarkesë dhe se nuk ka qenë mundësia dhe koha për të kryer arsyetime të zgjeruara.

“Jemi përpjekur të japim vendime të drejta dhe të shpejta,” pohoi gjyqtari, i cili theksoi më tej se gjykata që ai drejton ka qenë mjaft eficente dhe se 51% të çështjeve i kanë  shqyrtuar brenda afatit 30 ditor, pavarësisht ngarkesës së madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *