Gjyqtari Sokol Ngresi dhe “denoncuesi” i tij do të përballen në KPA

Lajme
Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi deklaroi se prapa denoncimeve ndaj tij për fshehje apartamenti qëndronte administratori i shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k, Flamur Kadëna dhe kërkoi seancë me dyer të mbyllura duke pretenduar se në shpjegimet e tij do të përmendet edhe bota e krimit. Kolegji vendosi të thërrasë si dëshmitar Kadënën dhe urdhëroi që ky i fundit të sjellë dokumentet origjinale për apartamentin që ka konfirmuar se Ngresi e ka prenotuar në vitin 2014 dhe revokuar në 2015-ën.  

Gjyqtari Sokol Ngresi duke dalë nga KPA | Foto : LSA

Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi u përball me denoncime të reja gjatë seancës publike të hënën më 26 korrik në KPA – ndërkohë që dokumentet e dërguara prej shoqërisë ndërtuese në funksion të denoncimeve të mëparshme, se ai ka fshehur një apartament të blerë në vitin 2014, konfirmonin kontratën e porosisë të nënshkruar nga subjekti i rivlerësimit, që u kundërshtuan si të falsifikuara nga ky i fundit.

Ngresi dorëzoi një akt ekspertimi që sipas tij vërtetonte se shoqëria “AFA Konstruksion” sh.p.k ka falsifikuar këto dokumente dhe pretendoi se gjithçka bëhej për shkak se mund të kishte cënuar intresat e administratorit të kësaj shoqërie. Ai shtoi se kjo po ndodhte edhe për shkak të “xhelozisë” dhe “ligësisë” së një ish-kolegeje të Apelit Vlorë e shkarkuar nga detyra për shkak të procesit të vetingut, për të cilën në seancën parardhëse më 7 korrik, deklaroi se ajo kishte lidhje të ngushta me administratorin e shoqërisë në fjalë.

Në seancën e mëparshme u evidentuan 4 denoncime, ku në një prej tyre pretendohej se gjyqtari Sokol Ngresi ka fshehur një apartament me sipërfaqe 113.4 m2 +verandë në Ujin e Ftohtë në Vlorë, të porositur në shoqërinë ndërtuese “AFA Konstruksion” sh.p.k., kundrejt çmimit 68 mijë euro. Komisioneri Ballhysa listoi edhe disa dokumente bashkëngjitur këtij denoncimi, konkretisht kontrata e porosisë dhe tre mandate arkëtimi.

Në funksion të verifikimit të këtij denoncimi dhe shkaqeve të tjera të ankimit të Komisionerit, trupi gjykues i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, çeli hetimin gjyqësor dhe i kërkoi ASHK-së Vlorë informacion dhe dokumente lidhur me lejen e ndërtimit të pallatit në fjalë – ndërsa shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k. që të informonte nëse kontratat e depozituara nga denoncuesit janë të hartuara realisht prej saj dhe nëse ka lëshuar mandat-pagesat në fjalë.

Kryesuesja Shtylla deklaroi në fillim të seancës të hënën se shoqëria “AFA Konstruksion” sh.p.k. kishte dërguar kontratën paraprake të shitjes së apartamentit në fjalë, lejen e ndërtimit; kopje të tre mandateve të arkëtimit nga Ngresi; kopje të revokimit të kontratës; kopjen e mandat-pagesës të vitit 2015 për rikthimin e vlerave të paguara prej subjektit dhe kopje të kartelës së pasurisë.

Gjithashtu, u sqarua se “AFA Konstruksion” sh.p.k. ka vendosur në dispozicion të KPA-së edhe komunikimet me email mes gjyqtarit Ngresi dhe amdinistratorit të kësaj shoqërie lidhur me një ankim për llogari të shoqërisë ndërtuese, si dhe një vendim të Gjykatës Administrative.

Ndërkohë që Komisioneri Publik, Florian Ballhysa shprehu dakordësinë për administrimin si prova të dokumentacionit të mbërritur nga shoqëritë ndërtuese dhe institucionet shtetërore, Ngresi theksoi se në përgjigjet e “AFA Konstruksion” sh.p.k. nuk ishin vendosur në dispozicion dokumente origjinale. “Shoqëria merr tagrin e noterit dhe thotë se konfirmoj dokumentacionin”, pohoi Ngresi dhe pretendoi se këto dokumente nuk i përmbushnin kriteret formale për t’u administruar.

Komisioneri Publik Florian Ballhysa paraqiti konstatimet e tij lidhur me provat e reja të administruara nga Kolegji për denoncimin e kryer për fshehje apartamenti. Ai tha se nga analizimi i shkresave private të dërguara nga shoqëria “AFA Konstruksion” sh.p.k., në raport edhe me deklarimet e administratorit të shoqërisë, konstatohet se subjekti i rivlerësimit ka porositur në vitin 2014 një apartament me sipërfaqe 113,43 m2 dhe verande 95,46 m, 2 me vlerë 68 mijë euro. Sipas Ballhyës, për këtë apartament, nga madat-pagesat rezulton se deri në shtator të 2014-ës është paguar në total shuma 20 mijë euro dhe se pas revokimit të kontratës  palët janë kthyer në gjendjen e mëparshme dhe shoqëria ka kthyer të gjithë shumën e paguar në vitin 2015.

Ballhysa parashtroi edhe një denoncimin tjetër të ri të mbërritur së fundmi, ku është pretenduar se kontrata paraprake e vitit 2014 e nënshkruar nga subjekti me shoqërinë “AFA Konstruksion” sh.p.k. është origjinale dhe se Ngresi ka qenë avokat i shoqërisë ndërtuese, madje edhe kur ka qenë në funksionin e gjyqtarit duke e konsideruar si fakt të njohur. Bashkëlidhur këtij email-i denoncuesi ka paraqitur kopje të dokumenteve të depozituata në denoncimin e mëparshëm për fshehjne e apartamentit.

Ngresi këmbënguli se kontrata paraprake, ajo e revokimit dhe mandat-pagesat që pretendohej se ishin nënshkruar prej tij ishin të falsifikuara. “Falsifikatori është Flamur Kadëna. Rast i paprecedentë të falsifikohet firma e gjyqtarit”, tha Ngresi dhe vijoi se ishte pikërisht Kadëna i cili kryente denoncimet nëpërmjet emrave dhe adresave anonime. “Janë adresa fiktive të administruara nga ky person. Kadëna paska 30 kopje origjinale dhe i shpërndaka nëpër Vlorë. Janë të fabrikuara”, tha Ngresi dhe shtoi se kishte kryer kallëzim penal ndaj tij në Prokurorinë e Vlorës.

BIRN gjeti se personi i përmendur nga Ngresi si denoncuesi i vërtetë që qëndronte prapa atyre anonimë, z.Flamur Kadëna është administratori i shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k..

Ngresi deklaroi se i kishte kërkuar një zyre private për të marrë një ekspertizë për elementët grafikë të nënshkrimit të tij në kontratat e porosisë, të revokimit dhe në mandate-pagesa.

Subjekti vijoi se ekspertët janë shprehur se nënshkrimet në fotokopjet e këtyre akteve janë të papërputhshme me nënshkrimet e tij dhe se konstatohen elementë dridhje në shkrimin e tyre, që sipas tij janë elementë të falsifikimit. “Edhe ekspertët kërkojnë aktin origjinal për të konkluduar”, theksoi Ngresi.

Ai tha se po vendoste si provë edhe historikun original të shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k.. të marrë nga ASHK. Kjo shoqëri pretendon se e ka legalizuar 9 muaj pasi ka marrë lejen e ndërtimit. “Pretendon se për 9 muaj ka bërë 10 kate pallati”, theksoi Ngresi dhe pretendoi se kjo ishte një provë se si ishte falsifikuar dokumentacioni.

“Mendoj se është bllokuar informacioni për t’iu dhënë KPA-së, pasi unë e mora kollaj fare dhe juve nuk iu kthejnë përgjigje edhe pse kanë kaluar dy javë”, vërejti Ngresi.

Lidhur me një ankim për llogari të shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k në emailin e administratorit të kësaj të fundit nga gjyqtari Ngresi, ai pretendoi se kishte qenë thjesht një korrektim që i kishte bërë ankimit pasi ia kishte kërkuar avokati i shoqërisë me të cilin kishte pasur njohje.

Sipas Ngresit, çështja nuk kishte pasur lidhje me Apelin Vlorë, por me gjykatën Administrative dhe se kur kishte dërguar emaili-n për llogari të administratorit nuk kishte shënuar asnjë koment. “Nëse do të kishim pasur miqësi do t’i kisha uruar shëndet. Nuk kemi pasur ndonjëherë korrespodencë”, deklaroi Ngresi. Ai këmbënguli se me pronarin e “AFA Konstruksion” sh.p.k, kishte pasur vetëm shoqëri të tërthortë pasi frekuentonin shoqëri të përbashkët. “Por asnjëherë nuk kapasur ndikim në ushtrimin e detyrës time”, theksoi ai.

Në vijim ai renditi provat e reja që po dorëzonte në seancën e të hënës, kallëzimin penal të kryer ndaj administratorit të shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k.; aktin e ekspertimit për nënshkrimet dhe fletoren zyrtare për periudhën 2008-2012 për të vërtetuar pretendimin lidhur me formularin për deklarimin e pasurisë.

Kolegji vendosi të administrojë si prova dokumentacionin e mbërritur nga shoqëritë dhe institucionet; ato të dorëzuara nga subjekti e rivlerësimit; si dhe ti kërkojë ASHK-së të verifikohet dhe informojë lidhur me mosveprimin për kthimin e përgjigjes për historikun e shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k.. “Ligji parashikon se në rastet e mosbashkëpunimit trupi gjykues mund të kërkojë pse nuk është dërguar përgjigje”, deklaroi kryesuesja Shtylla.

Ballhysa bëri gjithashtu me dije se në adresën elektronike të institucionit të Komisionerëve kishte mbërritur edhe një tjetër denoncim për subjektin e rivlerësimit ku pretendohej se gjyqtari ka përfituar një pasuri nga një shoqëri ndërtimi në këmbim të një vendimi të padrejtë kundër tij. Denoncuesi ka bashkëngjitur një vendim të Gjykatës së Apelit Vlorë; tri kontrata prenotim shitje të lidhura me këtë shoqëri dhe rekursin e kryer prej tij në Gjykatës së Lartë ku çështja pritet të shqyrtohet.

Ngresi sqaroi se denoncuesi kishte prenotuar tre pasuri pranë shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k. dhe se pretendonte se nuk i ishin dorëzuar në afat. Sipas subjektit, nga shqyrtimi gjyqësor kishte rezultuar se denoncuesi i kishte marrë në dispozicion fizikisht brenda kohës së dakordësuar dhe se nuk kishte pasur dëm. Ai theksoi se çështja ishte për gjykim në Gjykatën e Lartë dhe se denoncuesi kishte marrë indicie nga media bazuar në akte të falsifikuara nga “AFA Konstruksion” sh.p.k. dhe kishte kryer ankimin.

Pasi u pyet nga relatorja Ina Rama nëse kishte pasur miqësi apo armiqësi me administratorin e shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k., Ngresi ritheksoi se nuk kishte pasur asnjëherë marrëdhënie miqësore, por vetëm marrëdhënie shoqërore të përgjithshme. “Me punën time kam rënë ndesh ndaj këtij personi. Ndërkohë një kolegia ime e shkarkuar dhe mendoj se ka të bëj xhelozia. Jam i pazoti të shpjegoj intrigat dhe ligësitë e njerëzve dhe xhelozinë e koleges së shkarkuar”, deklaroi Ngresi dhe shtoi se nuk kishte gjykuar asnjëherë çështje për ata të cilët kishte qenë avokat.

Për prenotimin e një apartamenti tjetër në vitin 2007 në një shoqëri tjetër ndërtuese kjo e fundit ka konfirmuar se subjekti ka paguar 17 mijë euro në momentin e nënshkrimit të kontratës, ndërsa pjesa tjetër 16 mijë euro është paguar me kredi bankare. Më tej në shkresën e shoqërisë konfirmohet zgjidhja e kontratës dhe kthimi i gjithë shumës gjyqtarit Ngresi.

Sipas Komisionerit, edhe pse deklarohet kthimi i shumës 17 mijë euro nga kjo shoqëri, mbetet i paprovuar posedimi i kësaj shume në cash nga subjekti i rivlerësimit, për sa kohë ai nuk e ka deklaruar kthimin dhe posedimin e kursimeve cash.

Ngresi pretendoi se deklarimin e kishte kryer një muaj pasi ishte shkarkuar dhe pas rikhtimin në detyrë kishte shpjeguar në ILDKPKI historikun e këtyre transaksioneve.

Ballhysa e kundërshtoi si të pabazuar pretendimin e ngritur nga Ngresi lidhur me mënyrën e deklarimit të pasurive në periudhën 2007-2010. Ndryshe nga Ngresi që pretendoi se deri në 2011-ën deklarimet ishin punuar me shkrim dore dhe se formularët dërgoheshin fizikisht nga ILDKPKI, Ballhysa tha se nga përgjigjet e mbërritura konfirmohet se për periudhën 2007-2010, modelet e deklaratave në fuqi për pasurinë, përveç publikimit në fletoret zyrtare respektive, kanë qenë të publikuara dhe të aksesueshme online edhe në faqen zyrtare të internetit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Në fund të seancës, gjyqtari Ngresi kërkoi që seanca e radhës të zhvillohej me dyer të mbyllura duke pretenduar se shpjegimet e tij për të sqaruar situatën kanë të bëjnë dhe me botën e krimit. KPA u rezervua për t’u shprehur për këtë kërkesë të subjektit të rivlerësimit dhe vendosi të thërrasë në seancën e radhës si dëshimtar administratorin e shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k. Flamur Kadëna dhe të urdhërojë këtë të fundit të sjellë dokumentacionin origjinal lidhur me prentonimin e apartamentit nga Ngresi, revokimin e kontratës dhe mandate pagesat e kyera nga të dyja palët.

Seanca u shty për më datë 9 shtator në orën 10:00.