Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi në seancën e parë në KPA. Foto kortezi nga KPA.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Gjyqtari Sokol Ngresi përballet me një denoncim për apartament të fshehur në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli hetimin për pasurinë e gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi, ndërsa ky i fundit i cilësoi denoncimet të fabrikuara dhe pretendoi se kishte burime të ligjshme për pasurinë.

Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi në seancën e parë në KPA. Foto kortezi nga KPA.

Në seancën e parë përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi u ballafaqua me një denoncim të ri, përmes së cilit ngrihen dyshime për fshehjen e një apartamenti të prenotuar në vitin 2014 në vlerën e 68 mijë eurove.

Denoncimi iu bashkua ankimit të Komisionerit Publik për Ngresin, i cili kundërshton vendimin e konfirmimit të KPK-së për kriterin e pasurisë.

Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe punon prej vitit 2005 në Gjykatën e Apelit të Vlorës. Ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në dhjetor 2020, me argumentin se bilancet negative ishin të vogla dhe të pamjaftueshme për të vendosur masë disiplinore.

Vendimi i Komisionit u ankimua nga komisioneri Florian Ballhysa, i cili argumenton se Ngresi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për gjendjen e kursimeve cash në vitin 2003 dhe për blerjen e dy automjeteve.

Trupi gjykues i KPA që po shqyrton ankimin e Komisionerit ndaj konfirmimit të Ngresit kryesohet nga Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.

Lidhur me një kërkesë paraprake të Ngresit për mospranimin e ankimit për shkak të shkeljes së afatit me një ditë, Kolegji vendosi të mbajë qëndrim në vendimarrjen përfundimtare.

Denoncimet e reja

Komisioneri Florian Ballhysa deklaroi në seancën e së mërkurës se pas ankimit të vendimit, në institucionin e tij kishin mbërritur 4 denoncime të reja për Ngresin. Ai u ndal më gjatë në njërin prej tyre, ku ngrihen pretendime se gjyqtari Ngresi ka fshehur një apartament me sipërfaqe 113.4 m2 në Ujin e Ftohtë në Vlorë, të porositur në shoqërinë ndërtuese “AFA Konstruksion” sh.p.k., kundrejt çmimit 68 mijë euro.

Komisioneri konstatoi se denoncimit i janë bashkëgjitur edhe dokumente shoqëruese, si kontrata e porosisë dhe tre mandate arkëtimi. Ballhysa tha se preferonte të shprehej për denoncimin pasi Ngresi të paraqiste qëndrimin e tij.

Ngresi i cilësoi denoncimet të pavërteta dhe të fabrikuara. Lidhur me denoncimin për fshehjen e prenotimit të apartamentit, Ngresi petendoi se dokumentet e dorëzuara prej denoncuesit janë të falsifikuara dhe të fabrikuara me qëllim dëmtimin e figurës të tij.

Ai pretendoi se dokumentet janë fotokopje dhe se nënshkrimi nuk është i tij.

“Kjo kontratë paraprake dhe mandate-arkëtimet dukshëm tregojnë se sa i përshtirë është ky lloj denoncimi,” tha Ngresi.

Për të provuar pretendimin e tij, ai tha se kishte sjellë një vendim të vitit 2014, ku dukej qartë se nënshkrimi në dokumentacionin e paraqitur si kontratë porosie nuk ishte i tij.

“Kjo kontratë ka vetëm firmën dhe jo emër, mbiemër dhe firmë ashtu si duhet të jetë e nënshkruar,” tha gjyqtari.  Ai shtoi se në dokumentet e dorëzuara prej denoncuesve rezulton se kontrata është lidhur vetëm me një prej investitorëve dhe jo me shoqërinë ndërtuese.

Gjithashtu, Ngresi evidentoi se në denoncim njëherë thuhej se kjo pasuri gjendet në katin e 10-të, ndërkohë që shkruhet se pallati është me 9 kate. “Nëse do bëja prenotim në vitin 2014, përse do ta fshihja këtë fakt?” tha ai.

“Dje jam njohur me këto dokumente nga media dhe nuk e di se si i kanë marrë portalet, pasi janë konfidenciale”, tha gjyqtari Ngresi dhe shtoi se nuk po kryente kallëzim penal për momentin, pasi nuk donte të interferonte në gjykimin e pavarur të Kolegjit.

Ai sqaroi se në një denoncim tjetër pretendohej se në analizën financiare të KPK nuk ishte përfshirë vlera 20 mijë euro e orës “Rolex“ të bashkëshortes, me të cilën ajo bënte sfilatë në bankë. Ngresi sqaroi se në denoncimin anonim thuhet se ai në një festë kishte konsumuar aq shumë pije alkoolike, sa kishte thënë se kishte marrë lekë për çdo gjyq dhe se kishte bredhur botën, deri në Honolulu.

“Nëse fakti është i vërtetë, përse denoncuesi duhet të jetë anonim? Udhëtimet e mia janë të verifikueshme në sistemin TIMS si dhe qëllimet e këtyre udhëtimeve,” shtoi Ngresi, duke i konsideruar ato të stisura.

Pasi KPA u tërhoq, vendosi të administrojë si provë dokumentet e dorëzuara nga denoncuesit për apartamentin në Ujin e Ftohtë si dhe të çelë hetimin gjyqësor. Komisioneri Publik kërkoi që të kryhej hetim i plotë lidhur me vërtetësinë e dokumenteve të dorëzuara në denoncimin për fshehjen e apartamentit.

Ballhysa i kërkoi Kolegjit që t’i drejtohen kërkesa shoqërisë ndërtuese dhe ASHK-së lidhur me kontratën e porosisë, mandate-pagesat dhe lejen e ndërtimit. Edhe gjyqtari Ngresi u shpreh se ishte shumë dakord që të hetohej mbi këtë denoncim.

Para shpalljes së vendimit të ndërmjetëm për vazhdimin e procedurës së gjykimit, relatorja e çështjes, Ina Rama e pyeti gjyqtarin Ngresi nëse kishte pasur apo ka marrëdhënie shoqërore me administratorin e shoqërisë “AFA Konstruksion” sh.p.k. dhe nëse kishte gjykuar ndonjë çështje me palë këto subjekte.

Ngresi deklaroi se e njihte adminsitratorin e kësaj shoqërie thjesht si qytetar të Vlorës dhe se vetëm dy-tre vitet e fundit përshëndeteshin kur shkëmbeheshin. Por Ngresi mohoi të kishte miqësi me këtë person.

Ai tha se edhe bashkëshortja ka pasur kontakte për shkak të punës së saj në bankë dhe se dinte që një ish-kolege e shkarkuar nga vetingu kishte lidhje të ngushta me administratorin e shoqërisë në fjalë.

Ngresi tha se nuk i kujtohej saktësisht nëse kishte gjykuar ndonjë çështje me palë shoqërinë e ndërtimit apo administratorin e saj, por shtoi se edhe nëse kishte ndodhur “nuk ka pasur situatë të konfliktit të interesit”.

Në përfundim, KPA vendosi të pranojë kërkesën e Komisionerit për t’i kërkuar shoqërisë ndërtuese AFA Konstruksion sh.p.k. nëse kontratat e depozituara nga denoncuesit janë të hartuara realisht prej saj dhe nëse ka lëshuar mandate-pagesat në fjalë. Gjithashtu, u vendos që t’i kërkohet ASHK-së Vlorë që të dërgojë informacion dhe dokumente lidhur me lejen e ndërtimit për pallatin ku pretendohet prej denoncuesve se gjendet apartamenti i Ngresit.

Parashtrimet për pasurinë

Ballhysa i qëndroi ankimit lidhur me pasurinë, bazuar mbi pamundësinë financiare për të paguar të gjithë vlerën e blerjes së një apartamenti në Vlorë, të porositur në vitin 2012 dhe të blerë në vitin 2015.

Sipas Ballhysës, ka mospërputhje në deklarimet e burimeve të kësaj pasurie në deklaratat periodike me ato veting. Duke iu referuar deklaratave periodike, Ballhysa evidentoi se subjekti nuk ka deklaruar gjendje cash në vitin 2009, kur është rikthyer në detyrë, që të mund të kenë shërbyer për pagesën e këstit të parë për apartamentin në shumën 20 mijë euro.

Ballhysa tha se në vitin 2004 subjekti ka deklaruar shumën 18 mijë euro si gjendje cash, ndërkohë që në 2007-ën ka sqaruar se në kursimet 18 mijë euro përfshihet edhe vlera 6000 mijë euro, që i është kthyer pas revokimit të një kontrate porosie për një apartament në vitin 2003.

Subjekti ka deklaruar se ka pasur 18 mijë euro në vitin 2007, ndërsa gjatë procesit të rivlerësimit ka shpjeguar se gjysmat kanë qenë kursime të prindërve,” pohoi Ballhysa.

Për revokimin e kontratës dhe kthimin e vlerës 6 mijë euro, Ballhysa tha se nuk ekziston dokumentacion për transaksionin.

Sipas Komisionerit, është i pamundur kontrolli i burimeve për gjendjen cash dhe si pasojë, subjekti rezulton në pamundësi financiare në shumën 1.8 milionë lekë në vitin 2004.

Po ashtu, Komisioneri evidentoi mosdeklarimin e një shume 16 mijë euro në vitin 2007 pas revokimit të një kontrate porosie për një apartament tjetër, vlerë që bashkëshortja e subjektit e ka marrë kredi.

Ballhysa u qëndroi edhe konstatimeve për pamundësi financiare të subjektit për blerjen e një autoveture tip “Skoda” në shumën 14, 500 euro dhe një automjeti tip “Fiat” për çmimin 8800 euro.

Ballhysa deklaroi se Ngresi ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për burimet e pasurive dhe se këto gjetje janë të mjaftueshme për ndryshimin e vendimint të Komisionit dhe shkarkimin e tij.

Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi e kundërshtoi ankimin e Komisionerit për pasurinë dhe shtoi se e kishte deklaruar në vitin 2003 vlerën 6 mijë euro të tërhequr pas revokimit të kontratës së porosisë. Ai shtoi gjithashtu se e kishte deklaruar edhe gjendjen e kursimeve prej 18 mijë euro dhe kishte sqaruar në KPK se gjysma u përkiste prindërve.

Sipas Ngresit, edhe pse KPK nuk ka hetur për mundësinë financiare të prindërve për krijimin e vlerës 9000 euro, ai pretendoi se ata kishin shitur një apartament dhe se në vitin 2004, blerësi kishte paguar kaparin.

Ai vijoi se në vitin 2007 kishte pasur vetë 18 mijë euro të kursyera, pasi kishte pasur shtesa në vitet 2005, 2006 dhe 2007, në total në shumën 1.3 milionë lekë. Ngresi shpjegoi se në vitin 2007 kishte dashur të blinte sërish një apartament dhe se në këtë periudhë, bashkëshortja, e cila punonte në bankë kishte marrë një kredi në shumën 16 mijë euro. Ai shtoi se e kishin zgjidhur edhe ketë kontratë porosie dhe se u ishte kthyer vlera e paguar në shumën 16 mijë euro.

Sipas Ngresit, në vitin 2011 ishte pyetur nga ILDKPKI ku kishte dhënë shpjegime për zgjidhjen e kontratës. “Nuk e di pse po i mëshohet këtij fakti,” shprehu habinë ai.

Gjyqtari Ngresi theksoi se kur ishte thirrur nga ILDKPKI kishte sqaruar se shuma 34 mijë euro e kursyer ishte e paprekur dhe kishte shërbyer për pagesën e këstit 20 mijë euro për apartamentin në vitin 2012.

“Apartamenti i blerë në vitin 2012 dhe dy makinat janë të vetmet pasuri që janë blerë me djersën time dhe të bashkëshortes,” tha Ngresi. Ai pretendoi se kishte pasur burime të mjaftueshme edhe për dy këstet e tjera dhe se ligji nuk parashikonte se duhej të paguante tatim për të ardhurat e siguruara nga shitja e një mjeti, që kishte shërbyer si burim për blerjen e autoveturës tip “Skoda”.

Ngresi pretendoi se deklarimet i kishte kryer bazuar në formatin e deklarimit. Në fund të seancës, trupi gjykues vendosi t’i kërkojë ILDKPKI-së që të dorëzonte formatët që janë përdorur për deklarimet periodike, ato para fillimit të detyrës, si dhe të largimit nga puna.

Gjithashtu, u vendos që t’i kërkohet kontrata e revokimit shoqërisë ndërtuese, ku subjekti ka porositur apartamentin në vitin 2007. Kolegji njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 26 korrik, ora 09:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *