Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë një vendimi.
KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Stavri Kallço dha dorëheqjen 14 ditë pas kalimit të barrës së provës për pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi ndërprerjen e vetingut për ish-gjyqtarin e Apelit të Korçës Stavri Kallço, pasi ky i fundit dha dorëheqjen 2 javë pasi u njoh me rezultatet e hetimit në kriterin e pasurisë.

Gjyqtaret Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari gjatë një seance dëgjimore. Foto:LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ndërprerjen e rivlerësimit për Gjyqtarin e Gjyaktës së Apelit Korçë Stavri Kallço për shkak të dorëheqjes. Po ashtu trupa e KPK që shqyrtoi rastin, e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, njoftoi se Kallço ishte përjashtuar nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet, pas pranimit të dorëheqjes.

Në vendimin e zbardhur sëfundmi rezulton se vetingu për Kallçon kishte qenë në prag të përfundimit dhe se para dorëhqjes “për arsye shëndetësore”, gjyqtarit i ishte kaluar barra e provës në kriterin e pasurisë.

“Në mbledhjen e datës 17.12.2019, trupi gjykues, në prani të vëzhguesit ndërkombëtar, pasi arriti në përfundimin se provat në lidhje me komponentin e pasurisë kanë nivelin e provueshmërisë, me vendimin nr. 2, vendosi të mbyllë hetimin kryesisht për subjektin e rivlerësimit, z. Satvri Kallço, dhe të njoftojë subjektin se ka barrën e provës për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit”, thuhet në vendimin e KPK.

Sipas të njëjtit vendim 14 ditë më vonë më 31 dhjetor Kallço, në vend të përgjigjeve për barrën e provës,  iu dërgoi KPK një kërkesë për ndërprerjen e vetingut ndaj tij, duke e njoftuar se kishte dhënë dorëheqjen.

Në datë 31.12.2019, subjekti i rivlerësimit, me anë të postës elektronike, kërkoi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar, për arsye shëndetësore”, thuhet në vendim. KPK mori në janar vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësorë që kishte miratuar dorëheqjen e Kallços dhe mbarimin e statusit të magjistratit për të.

Në vendim KPK arsyeton se pas marrjes së këtij njoftimi vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit pasi “Stavri Kallço, ka ushtruar të drejtën për të dhënë dorëheqjen”. Në vendim arsyetohet se pas kësaj “subjekti i rivlerësimit z. Stavri Kallço humbet të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.

Vetëm gjatë vitit 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësorë ka njoftuar mbarimin e mandatit përmes dorëheqjes të 17 gjyqtarëve, përfshi 5 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që kishin dhënë dorëheqjen më herët. Dorëheqje po ashtu kanë dhënë edhe disa prokurorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *