Gjyqtari Tomorr Kullolli shkarkohet nga detyra

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Elbasanit, Tomorr Kullolli pasi u evidentuan mungesa financiare në vlera të mëdha për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve në vite. 

Gjyqtari Tomorr Kullolli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën vendimin e shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Elbasanit, Tomorr Kullolli.

Në seancën e parë dëgjimore të zhvilluar më 2 qershor, Komisioni konstatoi pamundësi financiare për të gjitha pasuritë e paluajtshme që zotëron Kullolli; një shtëpi dy katëshe + truall dhe një apartament në Elbasan; si dhe për një apartament tjetër në Tiranë. Pamundësi financiare u evidentuan edhe për krijimin e një gjendje cash në vitin 2014 dhe për shkollimin e fëmijëve në universitete në Francë dhe Itali në vitet 2015-2016.

Nga analiza financiare e përgjithshme e kryer nga KPK ka rezultuar pamundësi financiare në shumën totale 37 milionë e 555 mijë lekë.

Gjatë seancës së dytë dëgjimore, të hënën më 7 qershor, gjyqtari Tomorr Kullolli e kundërshtoi të gjithë analizën financiare të KPK dhe kërkoi të konsideroheshin argumentet dhe provat e dorëzuara prej tij, si dhe të riçelej hetimi për dy kriteret e tjera, figurën dhe profesionalizmin.

Para shpalljes së vendimit, kryesuesja e trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari sqaroi se kërkesat e Kullollit janë gjetur të pabazuara dhe për pasojë janë rrëzuar.