Gjyqtarja Alma Brati kaloi vetingun me aftësi “minimale” profesionale

Analiza dhe Opinione Komisioni i Pavarur i Kualifikimit
Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vërejti se deklarata e pasurisë së gjyqtares Brati ishte me pasaktësi që nuk përbënin indicie për dyshime, ndërsa vendimet e saj gjyqësore janë të mbushura me gabime drejtshkrimore dhe me raste u mungon qartësia, duke e klasifikuar atë profesionalisht të aftë por "me nivel minimal kualifikues".

Seanca e KPK-së ku u lexua vendimi për gjyqtaren Alma Brati | Foto nga : Aleksandra Bogdani

Gjyqtarja Alma Brati e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë arriti të kalojë procesin e rivlerësimit kalimtar, të njohur si veting, por vendimi i arsyetuar i Komisionit, i publikuar të hënën në faqen zyrtare të KPK, vërejti pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe të të ardhurave të saj si dhe probleme të karakterit formal në shqyrtimin e aftësive të saj profesionale.

Deklarimi i pasurisë ndër vite i znj. Brati, e cila ka punuar në sistemin e drejtësisë që nga viti 1992, nuk ka qenë i saktë, veçanërisht për vitet 2009 dhe 2012, por ajo u konsiderua se ka qenë e saktë në deklarimin e pasurisë para procesit të rivlerësimit, të njohur si “deklarimi veting” ndërsa pasaktësitë e mëparshme nuk janë në përmasa të tilla sa të ngrinin dyshime të arsyeshme për fshehje pasurie.

Megjithatë, në rastin e Znj. Brati, ashtu si edhe në rastin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) iu desh të bënte një interpretim kushtetues, sipas të cilit, të ardhurat e krijuara nga pensioni ushqimor, a mund të konsiderohen të paligjshme nëse nuk provohen me dokumente fiskale apo jo. Përgjigjja që dha KPK në kërë rast ishte ‘jo’, nuk duhet të konsiderohen të paligjshme.

Sipas anekseve kushtetuese të procesit të vetingut, të ardhura të ligjshme në rastin e zyrtarëve të gjyqësorit konsiderohen vetëm ato që janë të justifikuara me dokumente mbi burime të ligjshme dhe për të cilat janë paguar taksat. Në rast se të ardhurat janë borxh, apo dhuratë nga një person i tretë, personit të tretë i bie barra e provës për të vërtetuar ligjshmërinë e të ardhurave dhe dokumentacionin fiskal të taksave të paguara. Në rastin e gjyqtarit Dedja, pyetja e ngritur ishte nëse vëllai dhe kunati i tij, të dy emigrantë në Greqi dhe Itali, duhej të ngarkoheshin me përgjegjësinë për të siguruar dokumente fiskale për të ardhurat e tyre nga puna në këto vende dhe përgjigjja që dha KPK ishte ‘jo’, ndërsa një nga tre anëtarët e çështjes Dedja mendonte ‘po’ dhe Instituti i Komisionerëve Publikë e apeloi vendimin e konfirmimit të tij.

Rasti Brati ishte i ngjashëm në një drejtim tjetër. Gjyqtarja ka deklaruar si të ardhura pagesat e ish-bashkëshortit për “pension ushqimor” për fëmijët. Këto të ardhura kanë mbuluar një pjesë të shpenzimeve të saj ndërsa ka një mospërputhje mes deklaratës periodike vjetore të pasurisë dhe deklaratës veting në masën e këtij pensioni ushqimor. Në deklaratën veting, Brati ka deklaruar si të ardhura nga pensioni ushqimor në masën 3.2 milionë lekë ndërsa në shuma e nxjerrë nga deklarimet vjetore ishte në masën 2.9 milionë lekë. Brati deklaroi se kishte rënë dakord me ish-bashkëshortin për rritjen e pensionit ushqimor për shkak se fëmijët ishin rritur në moshë, por kishte deklaruar vetëm përcaktimin që kishte bërë gjykata në gjyqin e divorcit. Problemi, përveç mospërputhjes, ishte që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit verifikoi gjendjen financiare të ish-bashkëshortit, i cili rezultoi i papunë. Ish-bashkëshorti deklaroi se i kishte marrë paratë hua nga shoqëria për të paguar pensionin ushqimor. KPK arsyetoi se nuk ishte e mundur, në kuptim të rivlerësimit kalimtar që të kërkoheshin dokumente verifikuese për pensionin ushqimor, i cili, për nga lloji, nuk është në vetvete një e ardhur e gjykatëses por e fëmijëve. Për rrjedhojë Brati nuk u penalizua për këtë situatë.

“Pensioni ushqimor nuk është e ardhur e tatueshme në bazë të legjislacionit financiar. Për sa i përket burimit të të ardhurave të ish-bashkëshortit, çmohet se subjekti nuk ka patur as detyrimin dhe as mundësinë për të verifikuar një fakt të tillë. Për më tepër që këto të ardhura janë përfituar nga fëmijët e saj,” shkruhet në vendim.

“Komisioni vlerëson se, pavarësisht se nuk u vërtetua me dokumentacion aftësia paguese e ish-bashkëshortit për pensionin ushqimor, kjo barrë nuk mund t’i ngarkohet subjektit të rivlerësimit,” vijon më tej arsyetimi i KPK.

Bratit iu desh të japë llogari për pronat e saj dhe të familjes së saj, një pjesë e të cilave rezultonte e pambuluar me burime të ligjshme, veçanërisht për shkak të një dhurate nga mamaja në masën 1.8 milionë lekë. Pyetur për gjendjen financiare të mamasë, Brati dorëzoi një dokument huamarrjeje të mamasë në masën 4 milionë lekë.

“Komisioni vlerëson se nuk vërtetohet me dokumenta burimi i ligjshëm për shumën prej 4 000 000 lekësh, në pronësi të F. dhe E.B., pavarësisht deklaratës noteriale të nënshkruar nga zoti H.B.”, shkruhet në vendim. E pyetur për këtë problem, subjekti ka deklaruar: “Prindërit e mi kanë punuar: nëna ime E.B. 34 vjet punë, për të cilat merr pension, ndërsa babai im F.B. ka pasur, 27 vjet punë si prokuror dhe 1994-2005 si avokat, vite të cilat kanë grumbulluar edhe të ardhura, të cilat nuk mund të dokumentohen tërësisht, për shkak se janë djegur në trazirat e vitit 1997.”

Në tërësi, Komisioni vlerësoi se mamaja e gjyqtares ka pasur burime të ligjshme afërsisht për shumën e dhuratës prej 1.8 milionë lekësh ndërsa ajo nuk mund të mbahet përgjegjëse për mungesën e dokumenteve për të gjithë shumën prej 4 milionë lekësh.

Probleme me vendimet gjyqësore

Zonja Brati ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë pasi është diplomuar në vitin 1992. Ajo ka punuar gjyqtare në Shkodër deri në vitin 2001, kur ka dhënë dorëheqjen me dëshirë të saj ndërsa në vitin 2007 është emëruar Inspektore në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ajo ka punuar gjyqtare në Durrës dhe Tiranë që nga viti 2010.

Hetimi i KPK sipas procedurës standarde studioi disa dosje gjyqësore të Bratit dhe pati disa komente të pakëndshme. Sipas komisionit, ndonëse vendimet përfundimtare të arsyetuara të Bratit “përgjithësisht janë të qarta dhe të kuptueshme” ka raste kur atyre “iu mungon qartësia”.

“Struktura e vendimeve të saj nuk është e standardizuar,” shkruhet në vendim. “…ajo nuk respekton tërësisht rregullat e drejtshkrimit dhe nuk përdor rregullisht të gjitha karakteret e gjuhës shqipe. Nuk mungojnë rastet, kur fjalitë kanë gabime gjuhësore”.

Gjithsesi, sipas vlerësimit, “niveli i arsyetimit të vendimeve të vëzhguara nuk cënon standardin e procesit të rregullt ligjor”.

Për këto arsye, KPK “konstaton se subjekti ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale”.

Gjergj Erebara
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.