Gjyqtarja Alma Hicka pas seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Alma Hicka rikthehet në KPK me të njëjtat probleme të pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi për së dyti mungesën e dokumentimit të të ardhurave të prindërve si dhe dyshimet për një rast të konfliktit të interesit, ndërkohë që kandidatja për Gjykatën e Lartë, Alma Hicka kërkoi konfirmimin në detyrë.

Gjyqtarja Alma Hicka pas seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Në seancën e dytë dëgjimore të zhvilluar të mërkurën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me kandiaten për Gjykatën e Lartë, Alma Hicka, u relatuan sërish mungesa të burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive, si dhe një rast konflikti interesi gjatë kohës që ajo ushtronte detyrën e Avokates së Shtetit.

Kryesuesja e trupit gjykues, Etleda Çiftja tha në fillim të seancës se Komisioni ka vlerësuar t’i japë shpjegime shtesë subjektit, për të shmangur çdo situatë të pafavorshme apo disavantazh të saj në sigurimin e dokumenteve.

Në seancën e parë dëgjimore të zhvilluar më 10 mars, Hicka u pëprball me probleme për pasurinë dhe dyshime për konflikt inetresi. Komisioni bëri me dije se analiza financiare e nxirrte gjyqtaren Hicka me një bilanc negativ prej 10.7 milionë lekësh, ndërsa ishin gjetur një sërë mospërputhjesh mes deklarimeve vjetore dhe deklarimeve për vetingun.

Komisioni i ka kaluar Hickës barrë prove për burimin e pasurisë së prindërve të saj, të cilët i kishin dhënë tre hua, pasuritë e bashkëshortit si dhe për dyshimet për konflikt interesi të ngritura nga ILDKPKI.

Në seancën e së mërkurës, relatorja Xhensila Pine u ndal në verifikimet shtesë të kryera nga KPK për të ardhurat e prindërve të gjyqtares Alma Hicka, huadhëniet e të cilëve kishin shërbyer si burim për pasuritë e subjektit.

Huaja e parë prej 250 mijë lekë është marrë në vitin 2003 për blerjen e një makine; e dyta në shumën 13 mijë euro po për blerjen e një makine në vlerën 23.900 euro në vitin 2010 si dhe huaja e tretë në shumën 4.2 milionë lekë në vitin 2015 për të financuar këstet e një apartamenti 90 mijë euro të blerë nga subjekti në Tiranë.

Komisioni konstaton se nga verifikimet e reja, nuk janë siguruar dokumente provuese apo të dhëna për të ardhurat nga vetëpunësimi i nënës së subjektit, ndërsa babai ka rezultuar se ka qenë i punësuar në vitet 2013 dhe 2016

Relatorja Pine evidentoi një sërë transaksionesh të kryera nga prindërit e subjektit lidhur me investimin e likujditeteve të tyre në bono thesari.

Nga hetimi ka rezultuar se prindërit kanë disponuar likujditete në shumën 5.7 milionë lekë deri në vitin 2010 dhe se në 2014-ën, kishin investuar në bono thesari në vlerën 6.5 milionë lekë.

Por Komisioni thekson se Hicka nuk ka provuar dot gjendjen e pamundësisë së saj për të siguruar dokumentacion justifikues ligjor lidhur me të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga nëna si tregtare ambulante.

Sipas relatimit, nga analiza financiare për periudhën 2004-2010 rezulton se prindërit e subjektit të rivlerësimit nuk justifikojnë me burime të ligjshme krijimin e likujditeteve dhe huanë e dhënë për blerjen e makinës.

I njëjti rezultat është gjetur edhe për dhënien e huasë për blerjen e apartamentit në vitin 2015. “Për dhënien e huasë në vlerën 5 milionë lekë për blerjen e apartamentit në Tiranë, duket se prindërit e subjektit nuk justifikojnë dhënien e kësaj shume, investimet në bono thesari, krijimin e likujditeteve dhe shpenzimet e jetesës”, vijoi relatorja Pine.

Gjyqtarja Hicka i kundërshtoi rezultatet e hetimit të KPK për të ardhurat e prindërve. Ajo tha se kishte sjellë prova të reja nga sigurimet shoqërore për të ardhurat e të atit në vitet 2004 dhe 2005, kur pagat nuk depozitoheshin në bankë. Hicka pretendoi se i ati trajtohej nga ndërmarrja ku kishte punuar ato vite me dieta për ushqimin në shumën 10 mijë lekë në muaj dhe me shpërblime të vazhdueshme.

“Por nuk ishin reflektuar nga Komisioni,” pretendoi ajo.

Lidhur me të ardhurat e nënës, ajo argumentoi se kishte paguar vetëm taksa vendore për vendin në tregun që shiste, që zotërohej nga bashkia.

“Nëse nuk do të kishte paguar taksat, bashkia nuk do ta lejonte, pasi tregu është i bashkisë. Edhe sot subjektet që tregtojnë në mënyrë ambulante nuk janë të regjistruara në DRT Fier, edhe pse janë regjistruar në Bashkinë Lushnjë,” deklaroi Hicka dhe vijoi se kishte dorëzuar dokumente për të vërtetuar këtë fakt.

Sipas subjektit, bashkia nuk dispononte regjistra për periudhën kur nëna e saj kishte ushtruar aktivitetin si tregtare ambulante. Ajo tha se regjistrimi në tatime kryhej me qëllim pagimin e sigurimeve dhe theksoi se nëna nuk kishte paguar sigurime dhe prandaj nuk kishte pension.

Hicka deklaroi se këto dokumente nuk ruheshin në arkivë, por nga vetë institucionet që i kishin krijuar. “Kam bërë gjithë përpjekjet e mundshme, por ka qenë e pamundur të gjendet dokumentet për pagimin e taksave,” tha Hicka.

Ajo i kërkoi KPK-së që t’i llogarisë të ardhurat bruto dhe të konkludojë se prindërit kanë patur mundësi për dhënien e huave, pa i konsideruar shpenzimet.

“Pasi është e pamundur të identifikohet se nga cilat të ardhura janë kryer shpenzimet,” vijoi subjekti. Sipas Hickës, prindërit i kanë krijuar likujditetet përpara se ajo të fillonte detyrën.

Pine parashtroi rezultatet e hetimit edhe për një rast të mundshëm konflikti interesi gjatë periudhës kur Hicka mbante detyrën e Avokates së Shtetit.

Ajo shpjegoi se subjekti kishte qenë pjesë e grupit ndërinstitucional të punës në një proces ku bashkëshorti ka qenë përfaqësues i njërës pale në proces. Pine solli në vëmendje se nuk kishte qenë e specifikuar që në grupin ndërinstitucional të punës duhej me patjetër të merrte pjesë titullari i çdo institucioni, por se mund të ishte caktuar edhe një nëpunës që zotëronte aftësitë profesionale për të trajtuar procedurën në fjalë.

“Subjekti i rivlerësimit nuk e ka deklaruar gjendjen e konfliktit të interesit dhe nuk ka njoftuar institucionin epror, në këtë rast Ministrinë e Drejtësisë”, tha Pine.

Hicka pretendoi se puna e saj si Avokate e Shtetit ishte jashtë juridiksionit të KPK. Ajo shtoi se procesi në fjalë nuk kishte qenë vendimarrës dhe se nuk kishte lidhur ndonjë kontratë që të gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.

Sipas subjektit, roli i saj kishte qenë këshillimor dhe se vendimarrja ishte e Këshillit të Ministrave dhe e Kuvendit. Hicka pohoi se shteti kishte pajtuar edhe avokatë privatë në rolin këshillimor dhe se detyra e saj ishte të trajtonte qëndrimin e tyre.

Edhe pse Komisioni nuk e bëri me dije në seancë kompaninë që kishte qenë palë në proces, Hicka bëri me dije se bëhej fjalë për CEZ a.s. dhe mohoi që bashkëshorti të kishte qenë ndonjëherë përfaqësues i kësaj shoqërie. “Ai ka qenë përfaqësues i CEZ Shpërndarje që sot është OSHEE,” shpjegoi Hicka dhe pretendoi se bashkëshorti nuk kishte asnjë lidhje me kthimin kuotave të CEZ a.s..

“Kështu që nuk ka konflikt interesi. Avokatura e Shtetit nuk ishte pale, por vetëm këshilluese”, ritheksoi Hicka dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 2 prill, ora 09:30.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *