Gjyqtarja Arta Duka pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Arta Duka përballet pa telashe me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk evidentoi asnjë problem në të tre kriteret e rivlerësimit për gjyqtaren Arta Duka, e cila ka aplikuar për t’u emëruar në Apel.  

Gjyqtarja Arta Duka pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Gjykatës së Fierit, Arta Duka, e cila punon aktualisht si e komanduar në Gjykatën e Apelit të Korçës mori vlerësime pozitive për të tre kriteret e rivlerësimit në seancën dëgjimore të zhvilluar të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për gjyqtaren Duka kryesohet nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Arta Duka ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe është emëruar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2011, Duka është transferuar në gjykatën e Fierit, ku e ka kryer këtë funksion për afro një dekadë. Së fundmi, ajo ka aplikuar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’u promovuar si gjyqtare e Apelit, ndërsa punon aktualisht si e komanduar pranë Apelit Korçë.

Kryesuesja Brunilda Bekteshi tha në fillim të seancës se rivlerësimi i gjyqtares Duka është kryer me përparësi për shkak të aplikimit të saj për një pozicion në Apel dhe shtoi se hetimi administrativ është përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit.

Komisioni konstaton se gjyqtarja Arta Duka ka deklaruar saktë pjesën e saj takuese 1/6 në pasurinë tokë bujqësore-plus truall me sipërfaqe totale 23 mijë e 433 m2 të përfituar prej Ligjit “Për Tokën” nga familja e origjinës në cilësinë e familjes bujqësore.

Relatori Hamitaj tha se ajo kishte deklaruar saktë blerjen e një autoveture tip “Audi” në vitin 2016 kundrejt shumës 330 mijë lekë dhe se kishte pasur burime të ligjshme për shlyerjen e pagesës.

Gjithashtu është konstatuar se ka pasur burime të ligjshme për krijimin e një gjendje cash në shumën 250 mijë lekë dhe për krijimin e llogarive bankare.

Prej hetimit administrativ ka rezultuar se gjyqtarja Duka ka deklaruar saktë edhe disponimin e një apartamenti në qytetin e Fierit, në cilësinë e qiramarrëses.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar se subjekti dhe personat e lidhur me të kanë pasur burime të mjaftueshme financiare të ligjshme për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve.

Gjyqtarja Duka u vlerësua pozitivisht edhe në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Në seancë u tha se subjekti shfaqte aftësi shumë të mira në zbatimin dhe intepretimin e ligjit dhe se është efiçente në punë.

Hamitaj tha se një ankesë e kryer ndaj gjyqtares pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishte rrëzuar si e pabazuar. Gjithashtu, Komisioni nuk ka gjetur indicie apo probleme në 4 denoncimet e kryera nga publiku.

Anëtarët e trupës gjykuese dhe vëzhguesja ndërkombëtare nuk drejtuan pyetje ndaj Dukës gjatë seancës dëgjimore.

Gjyqtarja Arta Duka u shpreh se nuk kishte kontestime ndaj rezultateve të hetimit administrativ të kryer prej KPK-së. “Doja të thoja se këto 10 vite kam punuar me profesionalizëm dhe me korrektësi dhe mendoj se meritoj konfirmimin në detyrë,” tha Duka.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të mërkurën, më 6 janar, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *