Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Flutura Skënderi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja e Apelit, Flutura Skënderi përballet me probleme të pasurisë në veting

Gjatë seancës dëgjimore u identifikuan pasaktësi dhe mospërputhje si dhe një balancë negative prej 2.8 milionë lekësh. Komisioni ngriti dyshime për situatë të konfliktit të interesit në gjykimin e dy çështjeve –por gjyqtarja Skënderi tha se nuk kishte qenë në konflikt.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Flutura Skënderi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Flutura Skënderi u përball të martën me probleme të pasurisë si dhe me dyshime për konflikt interesi në shqyrtimin e dy çështjeve gjatë seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese që po kryen procesin rivlerësimit kalimtar për gjyqtaren Skënderi përbëhet nga Pamela Qirko kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Flutura Skënderi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Një vit më vonë ajo është emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë,  ku edhe e ushtron aktualisht funksionin e gjyqtares.

Në fillim të seancës, gjyqtarja Flutura Skënderi falënderoi Komisionin për hetimin e kryer, transparencën dhe korrektësinë e procedurës së hetimit administrativ.

“Duhej ta kishim bërë vetë këtë proces ne, trupa e gjyqtarëve dhe e prokurorëve,” tha Skënderi.

Relatori Lulzim Hamitaj tha se hetimi për gjyqtaren Skënderi ishte përfunduar në të tri krietret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Mungesë burimesh dhe pasaktësi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi pasaktësi në deklarimet periodike vjetore të gjyqtares Flutura Skënderi lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet ndër vite si dhe pamundësi financiare për kryerjen e investimeve të deklaruara.

Sipas relatorit Hamitaj, një sipërfaqe trualli prej 225 m2 në Tiranë, ku Skënderi ishte bashkëpronare i është një kompanie ndërtuese. Në këmbim, gjyqtarja ka marrë një apartament me sipërfaqe 72 m2, ndërkohë që ka porositur edhe një shtesë sipërfaqeje prej 50 m2 kundrejt vlerës 40 mijë euro.

Skënderi ka paguar këstin e parë për shtesën 50 m2 në vlerën 20 mijë euro, por sipas relatorit, nuk e ka pasqyruar këtë shpenzim në deklaratën periodike.

Sipas Komisionit, subjekti ka deklaruar se vlera e paguar është përfituar nga shitja e një apartamenti 56 m2 në vlerën 5 milionë lekë. Hamitaj pohoi se edhe vlera 5 milionë lekë e përfituar nga shitja e apartamentit, nuk është deklaruar në vitin 2006 kur është kryer shlyerja e këstit të parë 20 mijë euro për sipërfaqen shtesë të banesës sës re.

“Subjekti ka shpjeguar se nuk e ka deklaruar pagesën e detyrimeve për shtesën, pasi kontrata ende nuk ishte formalizuar,” tha Hamitaj dhe shtoi se kjo pasuri nuk ishte regjistruar ende në emër të gjyqtares Skënderi.

Në seancë u relatua se në vitin 2008 ishte rënë dakord që punimet e brendshme do të kryheshin nga subjekti dhe se vlera e tyre përllogaritej rreth 20 mijë euro që përfaqësonte detyrimin e mbetur nga vlera 40 mijë euro e shtesës së apartamentit.

Relatori Hamitaj tha në seancë se nuk ishin deklaruar disa transaksione të kryera gjatë viteve 2004-2005 lidhur me shitjen e një apartamenti dhe shlyerjen e një kredie. Deklarime të pasakta u evidentuar edhe për blerjen e shtesës së apartamentit.

“Në vitet 2006 dhe 2007 nuk është deklaruar marrëdhënia me shoqërinë, pagesa e këstit 20 mijë euro për shtesën si dhe detyrimi i mbetur,” tha Hamitaj.

Gjatë hetimit administrativ, gjyqtarja Skënderi i ka thënë Komisionit se nuk kishte më detyrime me shoqërinë. Edhe administratori i shoqërisë ka deklaruar se në vitin 2008 është rënë dakort që Skënderi të kryente vetë punimet e rifiniturës dhe kështu detyrimi i mbetur 20 mijë euro është konsideruar i shlyer.

“Në vitin 2008, subjekti nuk i ka deklaruar shpenzimet dhe punimet,” vazhdoi Hamitaj në seancë. Sipas tij, Skënderi ka deklaruar se për shkak të mosrespektimit të afatit për përmbylljen e kontratës, me qëllim përshpejtimin e punimeve kanë rënë dakort që t’i kryejë vetë punimet.

Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se Skënderi ka marrë edhe dy kredi të tjera, një në vitin 2008 në shumën 760 mijë lekë dhe një në 2009-ën, në vlerën 4 milionë lekë. Sipas KPK-së, në këtë periudhë rezulton që të jenë kryer punimet e rifinituarave të apartamentit.

Në fund të seancës dëgjimore, relatori i kërkoi shpjegime Skënderit lidhur me mosshënimin në deklaratat periodike të detyrimit 20 mijë euro për shtesën e apartamentit, që e ka pasqyruar në deklaratën veting. “Në shpjegime keni thënë se ky detyrim nuk ekzistonte. Përse u shënua në deklaratën veting një detyrim që nuk ekzistonte? pyeti Hamitaj.

Gjyqtarja Skënderi tha se kishte dhënë edhe më parë shpjegime për këtë situatë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI. “Nuk kam pasur qëllim fshehje. Jam munduar të provoj të gjithë shpenzimet e kryera dhe i kam dokumentuar me fatura,” tha gjyqtarja lidhur me kostot e punimeve të kryera.

Komisioni evidentoi pamundësi për shpenzimet e shkollimit të vajzës në Maltë dhe kryerjen e një masteri në Mbretërinë e Bashkuar. Komisioni konstaton se për studimet në Maltë nuk është paguar tarifë studimi dhe në analizën finanaciare janë përllogaritur vetëm shpenzimet e jetesës për gjysmën e vlerës mesatare vjetore në shumën 4800 lira malteze.

“Duke qenë student, shpenzimet e jetesës u vlerësuan 50% më pak nga kostoja mesatare vjetore e shpenzimeve të jetesës,” tha relatori.

Ai shtoi se për shkollimin në Londër është paguar tarifa 8832 paund. “Duket se nuk ka patur mundësi financiar për përballimin e shkollimit të vajzës si dhe të investimeve të kryera në vitet 2005-2006,” shtoi ai.

Komisioni ka evidentuar deklarime të pasakta edhe për shitjen e një makine, pjesën takuese të bashkëshortit në një sipërfaqe toke në Korçë –të cilat janë konsideruar si lapsuse dhe gabime materiale nga Skënderi.

Gjithashtu në vitin 2006 është deklaruar gjendje cash prej 4.2 milionë lekësh, pa pasqyruar burimin. Sipas Komisionit, Skënderi ka pasqyruar gabim vlerën e një kredie të marrë në vitin 2008 në shumën 885 mijë lekë, e shënuar prej saj si 800 mijë lekë.

Në vitin 2009 Skënderi ka deklaruar marrjen e një kredie tjetër 4.4 milionë lekë, shlyerjen e një pjese të saj, si dhe detyrimin e mbetur. Ndërkohë, nga hetimi administrativ ka rezultuar se kredia ka qenë në vlerën 4 milionë lekë.

Nga hetimi ka rezultuar se Skënderi nuk ka deklaruar marrjen e një kredie nga bashkëshorti në vitin 2009 si dhe shlyerjen e saj në vitin 2010.

Një tjetër problem ishte edhe mosdeklarimi në deklaratat periodike para vitit 2017 të gjendjes cash.  Në deklaratën veting, Skënderi ka deklaruar gjendje cash në vlerën 10 mijë euro, ndërkohë që nuk është deklaruar gjendje cash në fund të dhjetorit 2016. Në vitin 2017 është deklaruar pakësimi i gjendjes cash në shumën 8 mijë 500 euro dhe më pas shtimi me 4 mijë euro.

Komisioni konstatoi pamundësi për krijimin e gjendjes cash në vlerën 10 mijë euro, mosdeklarim të burimit të krijimit dhe pasaktësi.

Nga analiza e përgjithshme financiare për periudhën 2003-2016 ka rezultuar një balancë negative në vlerën 2.8 milionë lekë.

“Rezultati mund të ndryshojë bazuar në shpjegimet dhe provat e dorëzuara,” paralajmëroi Hamitaj.

Dyshime për konflikt interesi

Komisioni evidenton dy çështje ku dyshohet se gjyqtarja Flutura Skënderi është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit, të cilat lidhen me kompaninë me të cilën ajo kishte shkëmbyer truallin në këmbim të një apartamenti 72m2 dhe blerjes së shtesës prej 50m2.

Sipas Komisionit, Skënderi ka qenë pjesë e trupit gjykues që ka shqyrtuar këto dy çështje në vitet 2015 dhe 2016 dhe nuk ka deklaruar gjendjen në situatën e konfliktit të interesit, pavarësisht se ka qenë në marrëdhënie kontraktuale me shoqërinë ndërtuese. Hamitaj shtoi se kjo shoqëri ndërtuese ka qenë dorëzanëse edhe për një kredi që ka marrë gjyqtarja Skënderi.

Relatori Hamitaj e pyeti gjyqtaren Skënderi lidhur me konfliktin e interesit në shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve në dy çështjet, ku palë ishte edhe shoqëria ndërtuese me të cilën në atë kohë kishte marrëdhënie ekzistuese.

Por gjyqtarja u përgjigj se marrëdhënia me këtë kompani kishte përfunduar në vitin 2009, duke mohuar konfliktin e interesit.

“Marrëdhënia ka filluar në vitin 2004 dhe ka përfunduar në vitin 2009 me nënshkrimin e kontratës. Këtë marrëdhënie e kam shprehur në deklaratën vjetore. Kam menduar se marrëdhënia me shoqërinë ndërtuese kishte mbaruar që prej vitit 2009. Në të dy çështjet nuk jam ndjerë aspak brenda konfliktit të interesit dhe palët nuk kanë patur kontestime,” tha Skënderi.

Komisioni evidentoi disa mangësi në dosjet e zgjedhura me short, të tilla si mungesë e bazës ligjore apo mospasqyrim i së drejtës për rekurs apo shpenzimet gjyqësore. Në një rast, Komisioni ka gjetur mosnjoftimin e të pandehurit për të drejtën e tij për ankim, pasi vendimi është marrë në mungesë të tij dhe të përfaqësuesit ligjor. Për 32 denoncimet e mbërritura nga publiku, Hamitaj tha se për pjesën më të madhe nuk janë gjetur probleme. Sipas tij, shpjegimet e Skënderit për denoncimet e verifikuara nga KPK do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Gjyqtarja Flutura Skënderi nuk preferoi të paraqiste parashtrime gjatë seancës dëgjimore lidhur me gjetjet e Komisionit. Shkurtimisht ajo pranoi pasaktësitë dhe tha se asnjëherë nuk kishte pasur qëllim të kryente fshehje dhe se kishte qenë e sinqertë.

Gjyqtarja Flutura Skënderi u vlerësua pozitivisht për pastërinë e figurës.

Në përfundim, ajo kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. “Nëse konfirmohem, ju siguroj se do të mbaj të njëjtat qëndrime që prej ditës së parë të punës sime,” tha ajo në fund të seancës.

KPK do të shpallë vendimin me datë 23 korrik, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *