Gjyqtarja e Apelit Shpresa Beçaj shkarkohet nga detyra

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit referoi se, vendimin për shkarkimin e gjyqtares Beçaj e bazonte në legjislacionin që detyronte magjistratin të dorëzonte në afat formularët e vetëdeklarimit në funksion të procesit të vetingut. 

Seanca e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ku u shpall vendimi i shkarkimit të gjyqtares Shpresa Becaj në Tiranë më 3 Korrik 2020. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, shpalli të premten vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Apelit Tiranë, Shpresa Beçaj e cila më parë ka mbajtur pozicionin e kryetares së Gjykatës së Lartë.

Gjyqtarja Beçaj nuk u paraqit në seancën e shpalljes së vendimit ku ishte i pranishëm përfaqësuesi i saj ligjor, avokati Julian Mërtiri.

Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj përbëhej nga Roland Ilia kryesues, Lulzim Hamitaj relator dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte Elka Ermenkova.

Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni konstatoi se Beçaj nuk kishte ushtruar detyrimin ligjor për dorëzimin e deklaratave të pasurisë, kontrollit të figurës dhe profesionalizmit pranë institucioneve ndihmëse brenda afatit të përcaktuar në legjislacionin “Për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë”.

Beçaj e konsideroi rastin e saj “unik” duke pretenduar se nuk ishte “gjyqtare në detyrë” për faj të ish-Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLD që nuk e shqyrtoi kërkesën e saj për emërimin në vendin e mëparshëm, pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar në Gjykatën e Lartë.  Beçaj tha në seancën dëgjimore se kishte shkuar në institucionin e ILDKPKI për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit për pasurinë, por nuk ia kishin pranuar duke i thënë se emri i saj nuk figuronte në listat e gjyqtarëve.

Por, Komisioni evidentoi edhe faktin se ajo, nuk kishte ushtruar as të drejtën për të dorëzuar kërkesën për kryerjen procesit të rivlerësimit në cilësinë e ish-gjyqtarit.

Beçaj pretendoi se ajo e kishte konsideruar veten gjatë gjithë kohës magjistrate dhe se ishte në pritje të Vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit që e detyroi ish-KLD-në ta emëronte në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Pas përfundimit të mandatit në Gjykatë të Lartë në vitin 2013, Shpresa Beçaj udhëhoqi një betejë ligjore kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit dhe e fitoi atë. Megjithatë, vendimi për emërimin e saj në Apel u ekzekutua në vitin 2018.

Gjatë seancës dëgjimore, vëzhguesja ndërkombëtare Elka Ermenkova nënvizoi faktin se, pavarësisht “sagës” së saj, Gjyqtarja Beçaj mund t’ë kishte plotësuar formularët e vetëdeklarimit brenda afatit të përcaktuar në ligj.

Në pikën 5 të gërmës D të Aneksit të Kushtetutës parashikohet se nëse subjekti i rivlerësimit nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë në kohë sipas ligjit, ai shkarkohet nga detyra.