Gjyqtarja e Apelit Korçë, Brunilda Malo. Foto:E.Hoxha/BIRN
KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo përballet me probleme të pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mospërputhje dhe mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë dhe shpenzimet e gjyqtares së Apelit të Korçës, Brunilda Malo, ndërkohë që ajo e konsideroi procesin të paragjykuar dhe përsëriti kërkesën për hetimin në të tre kriteret.

Gjyqtarja e Apelit Korçë, Brunilda Malo. Foto:E.Hoxha/BIRN

Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo (Orhani) u përball të hënën me një listë të gjatë problemesh në kriterin e pasurisë, ndërkohë që kërkesat e saj të përsëritura për riçelje të hetimit për dy kriteret e tjera apo përjashtimin e trupës gjykuese u rrëzuan si të pabazuara.

Malo e vazhdoi betejën për riçeljen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin edhe në seancën e së hënës, por pas një tërheqjeje të shkurtër, trupa gjykuese e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Roland Ilia vendosi sërish ta rrëzojë atë- ndërsa pranuan të gjitha provat e dorëzuara nga gjyqtarja Malo.

Brunilda Malo e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1995 si gjyqtare në Kolonjë. Në vitin 2003, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës dhe vazhdon ta kryejë këtë funksion prej 16 vitesh.

Hetimi administrativ për Malon nisi me një raport negativ nga ILDKPKI, i cili konstatonte deklarime të pasakta, mungesë dokumentacioni për aktivitetin privat të bashkëshortit si dhe mungesë burimesh të ligjshme për disa prej pasurive.

Aktiviteti privat i bashkëshortit Arben Malo –ish-kryebashkiaku i Kolonjës, i cili ndërroi jetë në vitin 2016 zuri një pjesë të rëndësishme të hetimit të KPK-së. Sipas relatores Valbona Sanxhaktari, fitimet e realizuara si administrator dhe aksioner i kompanisë “D&G Construction” nuk janë të dokumentuara si dhe nuk rezulton të jenë paguar tatimet mbi dividentin.

Hetimi i Komisionit ka përfshirë gjithashtu një apartament prej 78 m2 të blerë në vitin 2007 në Korçë për vlerën e deklaruar të 4 milionë lekëve, një apartament të shitur në vitin 2015 në Ersekë, një lokal në Ersekë i blerë në ankand me burim të ardhurat nga pagat dhe nga biznesi i bashkëshortit, një sipërfaqe toke bujqësore e marrë me qira për 25 vjet, blerjen e dy makinave si dhe disa llogari bankare kursimesh dhe depozitash në emër të subjektit dhe bashkëshortit të saj.

Lidhur me pasurinë e patundshme, relatorja tha se Komisioni gjeti mospërputhje mes vlerave të deklaruara për apartamentin e blerë në Korçë, i cili në kontratë rezulton në vlerën 1.7 milionë lekë dhe është deklaruar në vlerën 4 milionë lekë.

Dyshime u ngritën edhe për shitjen e apartamentit në Ersekë në vlerën e 1.8 milionë lekëve dhe të mobiljeve në vlerën e 1.6 milionë lekëve.

“Subjekti nuk ka arritur të bindë Komisionin, i cili dyshon se vlera e shitjes së shtëpisë është rreth 3 milionë lekë, por është ndarë në dy pagesa për të shmangur pagesën e tatimeve,” tha relatorja Sanxhaktari.

Kursimet e krijuara nga puna e bashkëshortit të gjyqtares Malo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë gjithashtu objekt i hetimeve të Komisionit. Këto kursime kanë shërbyer si burim për një depozitë bankare prej rreth 39 mijë dollarësh, por sipas Sanxhaktarit, subjekti ka arritur të provojë vetëm të ardhurat e kontratës së punës prej 14 mijë USD.

Gjatë relatimit, Sanxhaktari përsëriti shpesh se subjekti nuk arriti të provonte të ardhurat e ligjshme nga aktiviteti privat i bashkëshortit në kompaninë D&G Construction. Të ardhurat e deklaruara nga ky aktivitet si dhe nga shitja e aksioneve janë një burim i rëndësishëm i pasurive dhe shpenzimeve të familjes, me një vlerë të deklaruar prej 24.1 milionë lekësh.

Por Komisioni konstatoi se nuk provohet me dokumente tërheqja e dividentit dhe as pagesa e tatimit për fitimin e përfituar. Konkluzioni i Komisionit u mbështet gjithashtu tek një padi e të ndjerit Malo ndaj ortakëve të tjerë për shitjen e kuotave si dhe fitimin e pashpërndarë të kompanisë.

Si rezultat i përjashtimit të këtyre të ardhurave, subjekti rezultoi me pamundësi financiare prej 20.8 milionë lekësh në analizën financiare dhe pas disa korrigjimeve, kjo shumë zbriti në 19.8 milionë lekë diferencë negative.

Relatimi ndaj gjyqtares Malo përfshiu edhe personat e lidhur; veprime bankare të kryera prej saj në emër të babait në vlerën e 37 mijë dollarëve, shpenzimet e shkollimit të vajzave në Britaninë e Madhe si dhe rolin e bashkëshortit të subjektit në një kompani të quajtur “M& 6A” si dhe në barrën e rëndë hipotekore që kjo kompani kishte.

Në fjalën e saj përpara KPK-së, gjyqtarja Brunilda Malo kundërshtoi fillimisht trajtimin e prindërve të saj si persona të lidhur, duke shpjeguar se ajo nuk kishte asnjë lidhje me pasurinë e vetme të prindërve të saj, një apartament i blerë me paratë e përfituara nga shitja e një apartamenti të përfituar nga privatizimi.

Ajo përjashtoi gjithashtu lidhjen e bashkëshortit të saj me kompaninë e babait të tij “M&6A”, për të cilën tha se kishte marrë “qindra mijëra” lekë kredi bankare, pa mundur t’i shlyejë ato.

“Vjehrri im ka privatizuar nga institucioni ku punonte tufën e bagëtive, aktivitet ky i parregulluar me ligj. Prej vitit 2002, bashkëshorti im nuk ka pasur asnjë marrëdhënie financiare me babanë e vet,” tha Malo, e cila shtoi se kreditë ishin marrë nga vjehrri i saj.

Lidhur me faktin se emri i tij rezultonte në kompaninë e vjehrrit, Malo shtoi se firma në dokumente nuk është e bashkëshortit dhe nuk përjashtoi ndonjë mundësi abuzimi. Ajo i paraqiti më pas Komisionit si provë 7 vendime gjyqësore, shumica të humbura nga vjehrri i saj në Gjykatën e Apelit, ndërsa shtoi se nuk kishte ushtruar asnjëherë ndikim në favor të tij.

Lidhur me të ardhurat e bashkëshortit në SHBA, Malo sqaroi se e gjithë familja kishte fituar llotarinë amerikane dhe se ishin zhvendosur atje nën garancinë dhe mbështetjen e një çifti amerikan, i cili jetonte në Vermont.

Subjekti i konsideroi llogaritë e Komisionit për shpenzimet në SHBA si tepër të larta, duke pohuar se bashkëshorti i saj nuk kishte paguar qira dhe në momentin që kishte vendosur të kthehej, të gjitha kursimet i solli në Shqipëri.

Malo kundërshtoi konkluzionin e Komisionit për shitjen e shtëpisë në Ersekë.

“Shtëpia është shitur mbi vlerën e tregut, rreth 18 milionë lekë të vjetra. Edhe po të dua unë, nuk e blen njeri më shumë,” tha ajo, duke shtuar se deklarimi për mobiliet ishte real dhe nuk kishte asnjë qëllim për shmangien e tatimeve. Ajo këmbënguli gjithashtu se apartamenti në Korçë u kushtoi 4 milionë lekë për shkak të punimeve shtesë dhe se ajo kishte deklaruar vlerën reale –për të cilën tashmë po përballej edhe me mungesë burimesh të ligjshme.

Sa u përket fitimeve të bashkëshortit nga kompania D&G Construction, Malo tha se i kishte kërkuar kompanisë nëse kishte shpërndarë fitime dhe nëse kishte vendime të asamblesë për ndarjen e dividentit.

“Fitimi neto i kompanisë rezulton ekzaktësisht aq sa është deklaruar. Kompania thotë se kemi ndarë fitime, por nuk ka vendime asambleje,” tha Malo duke i konsideruar të ardhurat e bashkëshortit si faktike.

Lidhur me mungesën e dokumentacionit në Tatime, Malo fajësoi keqadministrimin e institucionit dhe përmendi një proces-verbal të vitit 2015 ku kunfirmohej pagesa e taksave. Gjyqtarja sqaroi gjithashtu se konflikti mes bashkëshortit dhe ortakëve të tjerë të kompanisë kishte lindur pas largimit të tij në SHBA dhe se pas përpjekjeve për zgjidhje miqësore, ai kishte ngritur padi ndaj tyre.

“Çështja është zgjidhur në zyrën e ndërmjetësimit dhe u ka interesuar të dyja palëve që të bien dakord për 4 milionë lekë dëmshpërblim dhe 6 milionë lekë nga shitja e kuotave,” sqaroi subjekti, duke shtuar se vendimi ishte aktualisht nën ekzekutimin e përmbarimit.

Malo kontestoi gjithashtu si tepër të larta shpenzimet e llogaritura nga Komisioni për jetesën si dhe për udhëtimet jashtë shtetit, për të cilat tha se kishin qëndruar në shtëpitë e familjarëve.

“Shpenzimet e jetesës deri në vitin 2002 më janë llogaritur në nivele shumë të larta, deri në 70% të të ardhurave. Nuk më duket me vend, sepse ne kemi jetuar në shtëpinë e vjehrrit në Ersekë dhe nuk kemi pasur shpenzime më të larta se 25% e të ardhurave,” tha gjyqtarja Malo.

Ajo mbroi më tej qëndrimin se nëse Komisioni do të pranonte dokumentet e dorëzuara prej saj, do të rezultonte se ata kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për të mbuluar pasuritë dhe shpenzimet e jetesës.

Gjyqtarja e Apelit të Korçës u pyet nga relatorja Sanxhaktari nëse kishte ndonjë dokument që vërtetonte ndarjen e dividentit nga kompania “D&G Construction” si dhe të pagesës së tatimit mbi dividentin.

Malo përsëriti se i kishte kërkuar kompanisë pikërisht këto të dhëna dhe ata kishin konfirmuar ndarjen e fitimit pas pagesës së tatimeve, por jo vendimet e asambesë për to-mungesë të cilën e quajti keqadministrim.

E pyetur për konkluzionet përfundimtare, gjyqtarja Malo tha në fund të seancës se nëse Komisioni do të administronte provat shkresore të dorëzuara prej saj, atëherë do të duhej t’i paraqiste një raport tjetër për t’i dhënë asaj mundësinë e një mbrojtjeje efektive.

“Në fakt do të kërkoja riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale,” përfundoi ajo.

Vendimi për gjyqtaren Brunilda Malo do të shpallet më 7 nëntor, në orën 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *