Gjyqtarja e Vlorës, Elona Mihali konfirmohet në detyrë

Gjyqtarja e Vlorës, Elona Mihali konfirmohet në detyrë

Një rast i dyshuar konflikti interesi i evidentuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore u kundërshtua nga gjyqtarja Mihali.

Gjyqtarja Elona Mihali | Foto: Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Elona Mihali.

Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit për Mihalin përbëhej nga Brunilda Bekteshi në cilësiënë e kryesueses, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Genta Tafa (Bungo) anëtare.

Gjatë seancës dëgjimore më 15 janar, relatorja Sanxhaktari la të kuptohej se Mihali nuk zotëronte pasuri. Ajo tha se dy pasuritë e familjes, një apartament në Tiranë dhe një tjetër në Vlorë ishin blerë nga familja para se Mihali të emërohej gjyqtare.

Ndërkohë, Komisioni evidentoi dyshime mbi një rast të mundshëm konflikti interesi në lidhje me një apartament të zotëruar nga prindërit e subjektit të rivlerësimit.

Gjyqtarja Mihali shpjegoi se nuk ishte në situatën e konfliktit të interesit dhe se i ati e kishte blerë apartamentin nga një tjetër kompani. Sipas Mihalit, përfshirja e kompanisë për të cilën pyetej në kontratën e shit-blerjes për efekt regjistrimi në kadastër të pronës ishte e paqartë për të dhe familjen e saj.

Në seancën dëgjimore nuk u evidentuan probleme për dy kriteret e tjerë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Elona Mihali ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe ka bërë stazhin profesional pranë Gjykatës së Tiranës. Në janar 2014, Mihali është emëruar në Gjykatën e Vlorës, ku e kryen funksionin edhe aktualisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *