KPK shpall vendimin per gjyqtaren Evjeni Sinojmeri | Foto : Edmond Hoxhaj
Analiza KPK Vendi

Gjyqtarja Evjeni Sinojmeri u shkarkua në mungesë për probleme të pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerëson në vendimin  e zbardhur, se pretendimi i gjyqtares së Apelit Tiranë, Evjeni Sinojmeri se e ka pasur të pamundur të japë shpjegime e prova për të kundërshtuar barrën e provës pasi është bllokuar në SHBA nga pandemia, ka qenë i paargumentuar dhe i paprovuar.

KPK shpall vendimin per gjyqtaren Evjeni Sinojmeri | Foto : Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 30 prill 2021 të shkarkojnë nga detyra gjyqtaren e Apelit Tiranë, Evjeni Sinojmeri pasi u u arrit në përfundimin se ajo kishte bërë deklarime të pamjaftueshme për pasuritë si dhe kishte mungesë të burimeve të ligjshme për rreth 15 milion lekë. Ndërkohë, Sinojmeri u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 28 prill 2021, Sinojmeri nuk u paraqit personalisht dhe as nuk u përfaqësua nga dikush tjetër.

Trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin që kreu vetingun për Sinojmerin, analizoi situatën e pazakontë të gjyqtares, e cila nuk ka dhënë shpjegime për barrën e provës të kaluara për kriterin e pasurisë duke u shprehur se nuk gjendej në Shqipëri dhe se nuk mund të kthehej për shkak të pandemisë COVID-19.

Vendim në mungesë

Në vendim thuhet se Komisioni është informuar se subjektit të rivlerësimit i është dhënë një leje 2-vjecare nga ish Këshilli i Lartë i Drejtësisë, e cila ka përfunduar në datën 31 mars 2020. Nga korrespondenca që KPK ka pasur me KLGJ-në dhe Gjykatën e Apelit Tiranë, ka rezultuar se Sinojmeri nuk është paraqitur në detyrë edhe pas datës së përfundimit të lejes 2-vjeçare e në vijim.

Subjekti ka pretenduar se, për shkak të gjendjes së pandemisë globale, si dhe të situatës së saj shëndetësore, e ka pasur të pamundur të udhëtonte, pasi i rrezikohej seriozisht shëndeti. Me këtë pretendim, Sinojmeri ka shpjeguar edhe pamundësinë për të administruar dokumentacionin shtesë, për t’iu përgjigjur pyetësorëve të drejtuar nga Komisioni, si dhe ka kërkuar pezullimin e procesit të rivlerësimit deri sa ajo të rikthehej në Shqipëri.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se KLGj ka refuzuar që t’i japë subjektit edhe një vit leje, pasi afati maksimal i lejuar sipas ligjit ishte marrë dhe përfunduar. Megjithëse Gjykata e Apelit Administrativ e ka shfuqizuar këtë vendim të KLGJ-së, kjo e fundit, me vendimin e datës 29 mars 2021 e ka refuzuar përsëri kërkesën për leje shtesë të papaguar për 1 vit.

Komisioni evidenton se Sinojmeri e ka kryer kërkesën për leje 1-vjeçare pas 6 muajsh që mungonte në detyrë. “Subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar me dokumentacion mbështetës pamundësinë objektive për të mos u paraqitur në detyrë”, citohet në vendim.

Komisioni arsyeton se mosparaqitja në detyrë e subjektit të rivlerësimit, pa shkaqe të arsyeshme dhe në mënyrë të pajustifikuar, si dhe mosveprimi i saj për një periudhë 6-mujore, është një shkelje disiplinore në vijimësi.

Nisur nga këto fakte, KPK i ka kërkuar Sinojmerit që të dorëzojë dokumentacion provues për të justifikuar pamundësinë objektive të paraqitjes në detyrë, por ajo nuk ka nuk depozituar asnjë dokument provues mbi gjendjen shëndetësore.

Nisur nga fakti se Sinojmeri nuk është paraqitur për të ushtruar detyrën nga 1 prilli 2020, si dhe nga parashikimi ligjor lidhur me periudhën e rivlerësimit, Komisioni vlerëson se kjo shkelje disiplinore e etikës është në kompetencë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj për t’u shqyrtuar.

“Në kushtet kur subjekti i rivlerësimit, znj. Evjeni Sinojmeri, nuk ka paraqitur shkaqe të arsyeshme mbështetur në dokumentacion provues, ku të mbështesë pretendimet e saj, si dhe nisur nga fakti që procesi i rivlerësimit kalimtar është një proces kushtetues dhe i mandatuar, Komisioni ka vijuar me procesin e rivlerësimit, si dhe me hetimin administrativ duke hartuar rezultatet e hetimit administrative”, argumenton Komisioni dhe ka nxjerrë konkluzionet për të tri kriteret e rivlerësimit.

Mungesat financiare

Ndryshe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që nuk ka gjetur asnjë problem në deklarimet e pasurive nga ana e gjyqtares Sinojmeri, KPK evidenton mungesa financiare në vlera të mëdha në disa vite. Gjithashtu, trupi gjykues konstaton se subjekti, në mënyrë të përsëritur, nuk ka deklaruar burimin e krijimit të pasurive

Në vendim thuhet se Sinojmeri nuk ka dhënë shpjegime dhe nuk ka dorëzuar dokumentacion për të kundërshtuar barrën e provës thuajse për të gjitha gjetjet për këtë kriter rivlerësimi.

Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003 – 2016 është konstatuar një balancë negative në shumën totale 15 milionë lekë.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka pasur burime për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 59.80 m2 në Tiranë kundrejt çmimit 26 mijë e 855 USD, të porositur në vitin 2000 dhe të blerë në vitin 2012. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për shlyerjen e dy kësteve të para në vitin 2000 në shumën totale 20 mijë USD, pasi ka rezultuar balancë negative në shumën 2.4 milion lekë.

Në vitin 2004 kur gjyqtarja Sinojmeri ka blerë disa pasuri të paluajtshme në Tiranë, ka rezultuar me balancë negative në shumën totale 4.2 milionë lekë. Konkretisht, ajo ka rezultuar në pamundësi financiare për blerjen dy apartamenteve: një me sipërfaqe 128 m2 për çmimin 57 euro; tjetri me sipërfaqe 66.2 m2 për shumën 28 mijë euro; si dhe të një garazhi me sipërfaqen 19.1 m2.

Pamundësi financiare ka rezultuar edhe për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 92 m2 në zonën e quajtur “Plazh” në Durrës, pasuri e porositur në vitin 2005 për çmimin 30 mijë euro. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 4.1 milion lekë për blerjen e kësaj pasurie.

Ndërkohë që për një apartament banimi me sipërfaqe 103.4 m² në kryeqytet, të blerë në vitin 2003 kundrejt shumës 5 milionë lekë, Komisioni konstaton se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e krijimit. Nga hetimi ka rezultuar se për blerjen e kësaj pasurie ka shërbyer një kredi me kushte lehtësuese.

Komisioni ka gjetur balanca negative në investimet e kryera në vite prej subjektit në bono thesari. Në vitin 2015, Sinojmeri ka deklaruar se nga të gjitha kursimet e deklaruara në vite, një sasi prej 9.6 milionë lekësh, e ka investuar në obligacione me maturim 10-vjeçar.

Në vendim thuhet se nga analiza financiare është konstatuar balancë negative për krijimin e kursimeve në shumën 40 mijë USD që subjekti ka deklaruar se ia ka dërguar në vitin 2016 djalit të saj S.S. , i cili jeton në Boston të SHBA-së, si dhe për blerjen e një makine prej tij në vitin 2011 kundrejt çmimit 9 mijë euro.

Të paprovuara kanë rezultuar edhe burimet financiare që kanë shërbyer për dhurimin e shumës 15 mijë USD në favor të djalit S.S. që jeton në SHBA, nga gjyshërit e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *