Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Flora Hajredinaj në seancën dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Flora Hajredinaj përballet me probleme të pasurisë në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për mundësitë financiare të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Flora Hajredinaj dhe vjehrrit të saj për një dhuratë prej 40 mijë eurosh, ndërkohë që në seancë u debatua edhe mbi dy qëndrime të ndryshme të DSIK.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Flora Hajredinaj në seancën dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Flora Hajredinaj e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u përball të mërkurën më 7 tetor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me gjetjet e të tre kritereve të rivlerësimit.

Procesi i vetingut për Hajredinajn po kryhet nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Olsi Komici relator dhe Firdes Shuli anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Spregner.

Ndryshe nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që i ka konsideruar të sakta deklarimet e Hajredinajt, KPK identifikoi në seancën dëgjimore disa probleme në kriterin e pasurisë si dhe mungesë burimesh financiare.

Për një apartament me sipërfaqe 119.56 m2 të porositur në vitin 2006 për vlerën 81 mijë euro, gjyqtarja Hajredinaj ka deklaruar si burime krijimi një vlerë të dhuruar nga vjehrri në shumën 40 mijë euro; një kredi bankare në vlerën 4.8 milionë lekë dhe kursime bashkëshortore në shumën 1.6 milionë lekë.

KPK ka analizuar mundësinë e kursimeve, që sipas subjektit të rivlerësimit kanë shërbyer si burim për blerjen e apartamentit. Sipas analizës financiare, gjyqtarja ka pasur burime në vitet 2004 dhe 2006, por në vitin 2005 ka rezultuar me diferencë negative në vlerën e 2.5 milionë lekëve.

Hajredinaj e kundërshtoi analizën financiare të KPK për mundësinë e kursimeve, ndërsa pretendoi se jo vetëm që e justifikon vlerën 1.6 milionë lekë, por kishte pasur edhe më shumë mundësi kursimi.

Një tjetër problem i identifikuar me burimin e blerjen së apartamentit ishte dhurata prej 40 mijë eurosh nga vjehrri i gjyqtares, pas ndarjes së bashkëshortit të saj nga trungu familjar. Sipas relatorit Komici, vjehrri nuk arrin të justifikojë me burime të ligjshme krijimin e vlerës së mësipërme.

Si burime të krijimit të kësaj shume, gjyqtarja Hajredinaj deklaroi të ardhurat e vjehrrit nga qiratë e dy lokaleve në qytetin e Bajram Currit, ku për njërin nuk është nënshkruar kontratë; të ardhura nga vëllezërit e bashkëshortit nga puna në emigracion dhe të ardhurat nga pensioni.

Sipas Komisionit, Hajredinaj nuk ka depozituar dokumentacion për të vërtetuar të ardhurat e dy kunetërve në emigracion, ndërkohë që nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor edhe të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga qiraja e dy lokaleve prej vitit 1995. Relatori Komici shpjegoi se Hajredinaj kishte deklaruar se për një prej lokaleve të dhëna me qira marrëveshja kishte qenë verbale.

Komisioni konstatoi gjithashtu se pagesa e tatimeve për këto qira ishte kryer në vitin 2018, ndërkohë që mbetet e paqartë pagesa e penaliteteve për vonesën.

Analiza financiare e KPK ka rrëzuar edhe pretendimin tjetër të Hajredinajt, se në vlerën që u është dhuruar në momentin e ndarjes, kishte kontribuar edhe ajo vetë dhe bashkëshorti, pasi kishin pasur llogari të përbashkët. Komici tha se ka rezultuar se subjekti kishte pasur mundësi kursimi në shumën 1.8 milionë lekë, ndërsa bashkëshorti në shumën 500 mijë lekë, që janë konsideruar si të pamjaftueshme për plotësimin e vlerës 40 mijë euro që iu është dhënë.

Në përfundim, KPK konstaton pamundësi të vjehrrit për të dhënë vlerën 40 mijë euro, pasi rezulton me balancë negative në shumën -37 mijë euro.

Hajredinaj kërkoi që të përfshihen në analizë financiare të gjitha të ardhurat e deklaruara prej saj se kishin kontribuar për kursimet e vjehrit në shumën 40 mijë euro.

“Deri në blerjen e apartamentit kemi jetuar në familje të përbashkët. Mundësia për kursim duhet përllogaritur me të ardhurat e të gjithëve bashkë. Ndërkohë, nuk mund të përjashtohen të ardhurat nga aktiviteti në lokale deri në vitin 2005 dhe më pas qiraja,” shpjegoi ajo në seancë.

Si indicie për të vërtetuar marrëdhëniet e qirave, ajo renditi një listë të gjatë deklaratash noteriale të personave, që sipas saj kanë marrë me qira lokalet, të kamarierëve dhe shitësve që kanë punuar aty, të ciët deklaronin se në dijeninë e tyre lokalet ishin dhënë me qira nga vjehrri i Hajredinajt.

Ajo kërkoi që Komisioni të mbante të njëjtin qëndrim  si në vendime të tjera, kur të ardhurat nga qiraja ishin konsideruar edhe pse ishin paguar më vonë detyrimet tatimore.

“Sipas shpjegimeve, pretendoj se e kam përmbushur barrën e provës për vlerën 40 mijë euro,” tha gjyqtarja Hajredinaj, e cila kërkoi që kjo vlerë të përfshihej në analizën financiare.

Përveç dhurimit të mësipërm, relatori tha në seancë se kishte pamundësi financiare prej 222 mijë lekësh në kryerjen e një investimi prej 21 500 euro për pjesën takuese të një kati banimi në një shtëpi të ndërtuar nga vjehrri në Selitë të Tiranës.

Hajredinaj pretendoi se bilanci rezultonte pozitiv në vlerën 294 mijë lekë dhe jo negativ, ashtu si konstaton KPK-ja.

Në seancë u evidentua pamundësi financiare për blerjen e një automjeti në vitin 2004 për shumën 250 mijë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se bashkëshorti i Hajredinajt e ka shitur këtë makinë në vitin 2008 në vlerën 600 mijë lekë. Komisioni ka ngritur dyshime për çmime joreale të shitjes dhe të blerjes – por gjyqtarja Hajredinaj pretendoi se blerja kishte qenë okazion dhe se kishte të ardhura të ligjshme.

“Konfirmoj se për blerjen e autoveturës 250 mijë lekë kemi përdorur kursimet e pagës time gjatë vitit 2003,” tha ajo.

Nga deklarimet e disa huadhënieve dhe huamarrjeve me familjarët e saj, u identifikua mosprovimi i dhurimit të vëllait në favor të subjektit në vlerën 3 mijë paundë.

“Edhe sot e konfirmoj dhuratën nga vëllai im, por jam në pamundësi objektive të gjej prova të reja për të provuar ligjshmërinë e të ardhurave të tij…”, pohoi Hajredinaj, e cila shtoi se kjo vlerë nuk e ndikonte analizën financiare.

DSIK me qëndrime të ndryshme

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar pranë Komisionit dy raporte me qëndrime të ndryshme për gjyqtaren Flora Hajredinaj. Në të parin ka konstatuar përshtatshmërinë, ndërsa pas rishikimit ka ngritur dyshime për mitmarrje dhe ka kërkuar papërshtatshmërinë.

Komici shpjegoi se në raportin e dytë, DSIK ngre dyshime se në vitet 2003-2004, gjyqtarja Hajredinaj mund të ketë favorizuar nëpërmjet mitës një person që kishte kryer padi për shpërblim dhe një tjetër të proceduar për kontrabandë –me ndërhyrjen e bashkëshortit të saj.

Komisioni konstatoi edhe mosdeklarim të refuzimit të vizës nga ana e Ambasadës së SHBA ndaj  gjyqtares Hajredinaj dhe bashkëshortit të saj. “Bashkëshorti, edhe pse ka aplikuar herë të tjera, nuk i është dhënë viza,” tha Komici.

Hajredinaj deklaroi në seancë se mosdeklarimi i refuzimit të vizës ishte pasojë e dëshirës së saj për të kryer një deklarim sa më të saktë. Sipas saj, në formular ishte kërkuar nëse ishte ndaluar hyrja në ndonjë shtet anëtar në Bashkimin Evropian apo në Nato dhe jo lidhur me refuzim të vizës. Ajo shtoi se refuzimi kishte ndodhur pasi nuk ishte krijuar bindja se do të ktheheshin sërish.

Ajo e kundërshtoi raportin e dytë të DSIK.

“Theksoj pathemelsinë e këtij raporti. Nuk janë krijuar verifikimet më minimale. Përfshihen çështje të vitit 2003 dhe 2004 në Gjykatën e Dibrës, kur në 2004-ën kam shërbyer pranë Krimeve të Rënda,” tha Hajredinaj, duke shtuar se ky raport ishte burim kthyer në burim shqetësimi për të dhe familjarët e saj.

Vlerësimi profesional

KLGJ ka dhënë vlerësim pozitiv për gjyqtaren Hajredinaj, duke konsideruar se shfaq aftësi të mira në arsyetimin ligjor dhe etik si dhe shfaq aftësi të mira organizative. Nga tre dosjet e dorëzuara nga vetë Hajredinaj, Komisioni ka gjetur në dy raste zgjatje të gjykimit tej afatit të përcaktuar.

Ndërkohë, nga pesë dosjet e shortuara, janë gjetur dy vendime të cënuara nga Apeli, në një rast për mospërllogaritjen e parashikimeve të Kodit Penal dhe në rastin tjetër se ishte e nevojshme rishikimi i dënimit të dhënë lidhur me një të pandehur për vrasje për shkak të gjakmarrjes.

Hajredinaj pohoi se në rastin e pare, Apeli nuk ishte shprehur se Shkalla e Parë nuk kishte konsideruar parashikimet e Kodit Penal, ndërsa për çështjen tjetër shpjegoi se nuk vërtetohej kryerja e veprës penale nga i pandehuri. “Nuk qëndrojnë konstatimet për këto çështje. Kemi qenë gjithmonë korrekt”, deklaroi Hajredinaj.

KPK ka kryer hetim për një vendim të dhënë nga gjyqtarja Hajredinaj në Gjykatën e Dibrës lidhur me një padi të kryer nga një qytetar ndaj INSIG. Komici tha se Apeli e ka rrëzuar vendimin në fjalë dhe e ka kthyer për rigjykim për shkelje të gjitha procedurave me një tjetër trupë gjykuese. Sipas Komisionit, Apeli ka konstatuar se gjykimi është zhvilluar pa praninë e palëve dhe se gjykata e kishte konkluduar vetë vlerën e demit, pa caktuar një ekspert.

Hajredinaj kundërshtoi, duke thënë se në gjykim ishte thirrur edhe pala e tretë, që kishte dhënë dëshminë dhe se kishin qenë të gjithë të pranishëm, kur ishte shtyrë seanca dhe ishte caktuar data për shpalljen e vendimit.

Pesë denoncimet e kryera nga publiku ndaj gjyqtares Hajredinaj kanë rezultuar pa probleme.

Gjatë fjalës së saj, gjyqtarja Hajredinaj tha se kishte punuar me korrektësi dhe ndershmëri për 27 vite në sistemin e drejtësisë –se ishte përballur me çështje të vështira dhe kishte dhënë burgime të përjetshme.

Edhe pse kryesuesja Bekteshi i tërhoqi vëmendjen për të dhënë qëndrimet e saj në mënyrë më të përmbledhur, e emocionuar Hajredinaj tha se kjo ‘ishte jeta dhe puna e saj’ dhe vijoi të shpjegojë duke interpretuar edhe bazën ligjore për më shumë se dy orë.

Në përfundim, gjyqtarja Flora Hajredinaj u shpreh se shpresonte që trupi gjykues të kishte krijuar bindjen për vlerësim pozitiv të saj në të tri kriteret dhe kërkoi konfirmin në detyrë.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 12 tetor, ora 09.15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *