Gjyqtarja Iliriana Olldashi kalon me sukses vetingun

Lajme
Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi u konfirmua në detyrë pas një séance dëgjimore pa probleme përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjyqtarja Iliriana Olldashi pas shpalljes së vendimit në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi u konfirmua në detyrë të mërkurën, pas një séance dëgjimore pa telashe përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Pamela Qirko dhe anëtare Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja.

Iliriana Olldashi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2005, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Iliriana Olldashi u krye për të tre kriteret e rivlerësimit. Nga rivlerësimi pasuror, KPK evidentoi se gjyqtarja kishte në pronësi një apartament me sipërfaqe 91.6 m2 në Tiranë, të blerë për 65 mijë euro në vitin 2015.

Si burim për blerjen e apartamentit, gjyqtarja ka deklaruar hua të marra nga babai dhe vëllai dhe ka dorëzuar në komision dokumente provuese për burimet e tyre financiare.

Gjyqtarja OLldashi u vlerësua pozitivisht edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Pine tha se sipas raportit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, gjyqtarja Olldashi ka aftësi të mira në interpretimin e ligjit , dosjet janë gjetur të rregullta e të sakta dhe se komunikon me etikë. Dy denoncimet e kryera nga publiku pranë KPK kanë rezultuar pa elemente të mjaftueshme.

Në fjalën e saj gjyqtarja Iliriana Olldashi u shpreh se vlerësonte procesin të drejtë dhe korrekt. “Disponoj pasuri modeste, por të rëndësishme për mua dhe familjen,” deklaroi ajo.