Gjyqtarja Kapedani i kërkon KPK-së që të mos vlerësojë videot në TikTok

Lajme
Gjyqtarja e pezulluar e Elbasanit, Enkeleda Kapedani dha shpjegime për shitjen e një kamioni nga bashkëjetuesi si dhe disa denoncime, por pretendoi se kompetenca për vlerësimin e videove në TikTok ishte e KLGJ-së dhe jo e vetingut.

Gjyqtarja Enkeleda Kapedani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Enkeleda Kapedani dha shpjegime të gjata të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku po përballet me hetimin administrativ në të tre kriteret e rivlerësimit.

Aktualisht, Kapedani është e pezulluar nga detyra prej Këshillit të Lartë Gjyqësor, për shkak të një procedimi disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD pas publikimit në Tik Tok të disa videove të filmuara në zyrë dhe teksa drejtonte makinën.

Procesi i vetingut për Kapedanin po kryhet nga trupi gjykues i kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Në kriterin e pasurisë, anëtarët e Komisionit dhe përfaqësuesi i ONM u ndalën gjatë me pyetje lidhur me transaksionet e kryera nga bashkëjetuesi i subjektit, në blerjen dhe shitjen e një kamioni. Bekteshi sqaroi se bashkëjtuesi i saj e kishte blerë kamionin për 950 mijë lekë në vitin 2016 dhe e kishte shitur disa muaj më pas në vlerën e 32 mijë eurove.

Në fillim të vitit 2017, është nënshkruar një kontratë huadhënie nga bashkëjetuesi në shumën 28 mijë euro. Kapedani ka deklaruar se huaja është dhënë në vitin 2016 dhe si burim ka qenë vlera e përfituar nga shitja e kamionit.

Sipas relatores, transaksioni dukej i dyshimtë për shkak të diferencës së çmimit të blerjes me atë atë shitjes. Megjithëse Tatimet kishin dorëzuar dokumentacion që konfirmon pagesën e detyrimeve tatimore për fitimin e krijuar nga shitja e kamionit, Komisioni vlerëson se nuk është provuar tërësisht pagesa e këtyre detyrimeve.

Për rrjedhojë, në analizën financiare të vitit 2016 është përfshirë si e ardhur vetëm çmimi i blerjes 950 mijë lekë dhe ka rezultuar pamundësi financiare për dhënien e huasë.

Kapedani tha se kishte përgatitur 150 faqe shpjegime.

“Ky është ditari i jetës time dhe kërkoj kohën e mjaftueshme të relatoj,” tha ajo.

Kapedani i kundërshtoi konstatimet e KPK lidhur me dyshimet e ngritura për diferencën e çmimit të shitjes së kamionit. Ajo deklaroi se çmimet ishin dakordësuar me vullnet të lirë të palëve dhe solli në vemendje një vendim të KPK, ku konkludohej se shitja e makinave në tregun e lirë është një aktivitet mjaft fitimprurës.

Kapedani këmbënguli se të ardhurat e përfituara nuk ishin përdorur për krijimin e asnjë pasurie. Ajo shpjegoi se pasi huaja ishte kthyer, bashkëjetuesi i kishte shpenzuar për qëllimet e tij të ardhurat e përfituara nga shitja e kamionit. “Mosinvestimi i këtyre të ardhurave rrëzon dyshimet për pastrim të parave,” theksoi Kapedani.

Ajo sqaroi se huaja ishte dhënë në fund të vitit 2016 dhe ishte formalizuar në 2017-ën për shkak të deklarimit ‘veting’ që duhej të kryente.

Kapedani i mëshoi fort qëndrimit të saj të dhënë edhe në shpjegimet gjatë hetimit administrativ se, për fitimin e siguruar nga shitja e pasurive të luajtshme, nuk duhet të paguhet tatim. Sipas subjektit, për pasuritë e luajtshme paguhet tatim fitimi kur ato shiten në funksion të një aktiviteti tregtar dhe jo në një rast të tillë që e quajti sporadik.

E pyetur nga anëtarët e KPK-së dhe vëshguesi i ONM-së se përse kishte deklaruar fillimisht se nuk ishte paguar tatimi i fitimit, Kapedani shpjegoi se nuk e dinte një gjë të tillë. Ajo pretendoi se transaksioni ishte kryer nga bashkëjetuesi në vitin 2016 dhe se nuk dispononte dokumente për të provuar pagesën.

Kryesuesja Bungo i kërkoi në fund të seancës që brenda datës 17 nëntor të dorëzonte dokument provues për pagesën e tatimit, ose madat pagesën nga banka, ose dokumentin DIVA me të cilin është mundësuar pagesa.

Tjetër problem që u evidentua ishte edhe mosdeklarimi i një mjeti në përdorim gjatë viteve 2015-2017, megjithëse Kapedani kishte disponuar dy polica sigurimi.

Kapedani deklaroi se e kishte përdorur automjetin në fjalë vetëm për periudha të shkurtra kohore, tre javë në fund të vitit 2015, një muaj para deklaratës ‘veting’ dhe dy javë pas kësaj deklarate. Ajo theksoi se kishte provuar burimin e ligjshëm të pronarëve për blerjen e mjetit në vitin 2009, për të cilët shpjegoi se kishin qenë daja dhe djali i tij.

Nga analiza e KPK-së, subjekti ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 197 mijë lekë në vitet 2014 dhe 2015, kur ajo ka bashkëjetuar me prindërit. Kapedani kërkoi që të mos përfshihen në analizë shpenzimet jetike të prindërve. Ajo deklaroi se me pagën si gjyqtare ka mbuluar vetëm shpenzimet e saj dhe të fëmijës. Kapedani theksoi se prindërit kishin patur kursime, si dhe vëllai i’u kishte dërguar gjatë asaj periudhe dy herë shuma monetare në vlerën totale 6825 euro.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për pasuritë e tjera që zotërohen nga Kapedani dhe bashkëjetuesi i saj.

Videot në Tik Tok dhe denoncimet

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e subjektit të rivlerësimit, si në raportin fillestar, ashtu edhe në atë të përditësuar. Megjitatë, në raportin e dytë është evidentuar një informacion për dyshime në përfshirje të gjyqtares Kapedani në veprime të kundërligjshme, të cilat u kundërshtuan prej saj në seancë.

Nga vlerësimi i 3 dosjeve të përzgjedhura nga subjekti dhe 5 të shortuarave nuk janë evidentuar probleme as prej KLGJ-së dhe as prej Komisionit.

Ndërkohë, Komisioni ka verifikuar dy nga shtatë denoncimet, ku në njërin prej tyre ngrihen pretendime për një vendim penal për shmangien e dënimit të shtetasit V.Y. Nga sa u diskutua në seancë u kuptua se bëhej fjalë për vendimin e shuarjes së dënimit të dhënë ndaj Viktor Ymerit, ndaj të cilit Gjykata e Apelit Durrës në nëntor të vitit 2018 i hoqi dënimin e përjetshëm për vrasje të dyfishtë. Ymeri njihet edhe si anëtar i një prej bandave të vitit 1997. Ai ia doli të rihapte çështjen dhe megjithëse u gjet fajtor për të njëjtën ngjarje, u dënua me 25 vjet burgim.

Rreth një muaj e gjysmë para përfundimit të dënimit, gjyqtarja Kapedani vendosi lirimin e tij.

Kapedani sqaroi se nuk ishte ajo që kishte hequr burgimin e përjetshëm për Ymerin, por Apeli Durrës.

“I kishte mbetur dënim për 1 muaj e 23 ditë. Çfarë fitimi do të kishte?”, tha ajo dhe kërkoi që fajtori të gjendet diku tjetër. “Kush ia shtroi rrugën e lirimit? Vendimi im është hallka e fundit dhe e pavlerë,” deklaroi Kapedani.

Në një tjetër denoncim është ngritur pretendim se gjyqtarja Kapedani ka lidhje me disa avokatë. Sipas Bekteshit, nga verifikimi i vendimarjeve për çështjet ku palët janë përfaqësuar nga avokatët në fjalë është konstatuar raport i zhdrejtë krahasuar me avokatë të tjerë.

Kapedani theksoi se nuk ekzistonte asnjë trajtim preferencial për avokatët dhe se vendimet e saj bazoheshin në prova e në ligj.

Në fund të relatimit të saj për profesionalizmin, Bekteshi u ndal në videot e publikuara në Tik Tok. Nga verifikimi i poseduesit të mjetit që është përdorur nga subjekti gjatë regjistrimit të videove të publikuara, nuk është konstatuar ndonjë kontakt i papërshtatshëm. Ndërkohë, KPK e ka pyetur subjektin nëse përdorimi i institucionit për regjistrimin e videove mund të cënonte etikën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Kapedani paraqiti një analizë të gjatë lidhur me pyetjet e ngritura nga KPK për videot e publikuara në Tik Tok. Ajo këmbënguli se KPK nuk duhej të vlerësonte mbi këtë rast, pasi ishte jashtë afatit kushtetues për vlerësimin profesional, që sipas subjektit ishte viti 2016. “Nga viti 2017 e në vijim është kompetencë e KLGJ-së,” theksoi ajo dhe solli në vëmendje faktin se Këshilli i Lartë Gjyqësor ishte duke e trajtuar këtë çështje.

Sipas Kapedanit, nëse KPK do të shqyrtonte çështjen e videove, atëherë do të cënonte të drejtën e saj për t’u gjykuar nga institucioni kompetent; do të cënonte procesin e rregullt ligjor; si dhe prezumimin e pafajësisë. “Do cënonte edhe të drejtat e njeriut duke më gjykuar dy herë për të njëjtën gjë,” pretendoi ajo.

Ajo e cilësoi të pabazuar kërkimin e ILD-së për shkarkim dhe pretendoi se edhe KLGJ nuk kishte konstatuar shkelje të rënda. Kapedani pohoi se KLGJ e kishte kthyer për rihetim në ILD çështjen e saj dhe se tashmë kërkesa për shkarkim kishte rënë, por Inspektori mund të rikthehej me një kërkesë të ndryshme.

Kapedani e konsideroi publikimin e videove dhe mediatizimin e tyre si një sulm nga personat që nuk e përdornin dot si notere.

“Është një gjyq popullor me pasoja shumë të rënda për personin tim,” vijoi subjekti, duke kërkuar që kjo çështje të mos merrej në shqyrtim nga KPK përderisa procedura disiplinore nuk ka përfunduar.

E pyetur nga Bungo se përse nuk e kishte ngritur këtë pretendim edhe për çështjet e trajtuara në funksion të denoncimeve të cilat janë pas vitit 2016, Kapedani tha se kishte dashur që të kishte transparencë për publikun. Ajo shtoi se çështja e videove do të bëhet transparente gjatë shqyrtimit në KLGJ.

Në fund të seancës Kapedani kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 19 nëntor, ora 09:30.