Gjyqtarja Klodiana Veizi konfirmohet nga KPK

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi konfirmimin në detyrë të gjytares së Gjykatës Administrative Durrës, Klodiana Veizi.

Gjytarja e Gjykatës Administrative Durrës, Klodiana Veizi. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten konfirmimin në detyrë të gjytares së Gjykatës Administrative Klodiana Veizi. Anëtare zëvendësuese në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi Veizi u përball me KPK në fillim të kësaj jave. Asaj  iu kërkuan shpjegime për një sërë veprimesh dhe disa mosdeklarime sa i përket pasurisë dhe disa vonesa në zbardhje të vendimeve.

Megjithatë Komisioni pranoi që burimi i të ardhurave të saj ishte i ligjshëm. Gjatë seancës dëgjimore u vu në dukje se pasuritë e gjyqtares së Gjykatës Administrative të Durrësit Klodiana Veizi, përfshi apartamentin ku ajo jetonte, rezultuan kryesisht të lidhura me nënën e të shoqit dhe të ardhurat nga paga.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore vuri në dukje se nuk kishte dyshime mbi burimin e ligjshëm të këtyre pasurive, duke bërë me dije se ato vinin nga trashgimia, lidhje familjare dhe kompensimi.

Gjyqtares po ashtu iu lexuan nga relatorja një sërë denoncimesh që kryesishit ishin të fokusuara në vonesat e nxjerrjes së vendimit të zbardhur dhe zgjatjen e gjykimit, por Veizi argumentoi se vonesat vinin për shkak të ngarkesës.

Veizi u hetua nga një treshe e kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtare Brunilda Bekteshin dhe relatore Etleda Çiftja.  Klodiana Veizi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Në vitin 2005 ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Lushnjes, ndërsa në vitin 2014 ajo u zgjodh anëtare e Gjykatës Administrative të Durrësit me dekret të presidentit të Republikës.

Klodiana Veizi është gjithashtu anëtare zëvendësuese e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e zgjedhur për vitin 2019 përmes shortit të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë.