Gjyqtarja Lutfije Celami përballet me vetingun

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk evidentoi probleme domethënëse për kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit, ndërkohë që gjyqtarja Celami pretendoi se kishte dhënë shpjegime të plota për raportin negativ të DSIK për kriterin e figurës.

Gjyqtarja Lutfije Celami pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Gjykatës së Beratit, Lutfije Celami u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u njoh me gjetjet e hetimit administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Celami kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç.

Celami e ka fillur karrierën në vitin 2011 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2014 ajo është transferuar në Gjykatën e Beratit dhe më pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Relatorja Xhensila Pine sqaroi gjatë seancës dëgjimore se gjyqtarja Celami ka pasur burime të mjaftueshme për krijimin e pasurive personale, kursimeve të krijuara gjatë viteve të rivlerësimit nga pagat në llogaritë rrjedhëse në shumat 287 mijë lekë dhe 195 mijë lekë, si dhe për blerjen e një autoveture tip Toyota në vitin 2016 kundrejt çmimit 470 mijë lekë.

Ndërkohë, u vërejtën mospërputhje në deklarimin e gjendjeve cash në deklaratën veting me deklarimet periodike.

Pasi gjyqtarja Celami ka deklaruar se ka jetuar deri në vitin 2016 me prindërit, Komisioni i ka konsideruar persona të lidhur dhe ka kryer analizë edhe për mundësitë e tyre për kryerjen e shpenzimeve, prej nga nuk janë gjetur probleme. Sipas Pines, nga hetimi administrativ ka rezultuar një mospërputhje për një prej burimeve të deklaruara për blerjen e një apartamenti nga prindërit në vitin 2013 në Tiranë.

Celami ka deklaruar si një prej burimeve të krijimit të ardhurat e vëllait dhe bashkëshortes së tij nga viti 2011 e në vazhdim, por ka rezultuar se i vëllai ka marrë një hua në shumën 1.7 milionë lekë. Sipas Pines, ka rezultuar se për pagesën e një pjese të çmimit të apartamentit ka shërbyer huaja e marrë prej vëllait.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Celami u shpreh se e vlerësonte të drejtë procesin e rivlerësimit të kryer ndaj saj. Për shkak se ajo foli me ton të ulët gjatë shpjegimeve, pjesa më e madhe e deklarimeve në seancë ishin të paqarta dhe të pakuptueshme.

Nga sa u dëgjua, Celami deklaroi se për pasurinë e saj personale, kishte rezultuar edhe nga hetimi administrativ se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme. Ajo shtoi se kishte paraqitur shpjegime e prova edhe për të ardhurat e familjarëve.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar dy raporte të kundërta në KPK, ku në të parin nuk ka evidentuar probleme, ndërsa në të dytin ka konstatuar papërshtatshmërinë, duke u bazuar në informacione kofidenciale se subjekti mund të jetë ndikuar në disa çështje.

Pine tha se janë verifikuar dy çështje për të cilat janë ngritur dyshime nga DSIK, si dhe i janë kërkuar shpjegime subjektit që do të vlerësohen para vendimarrjes përfundimtare. Në seancë nuk u bë e ditur nëse qëndronin ose jo dyshimet e ngritura nga DSIK.

Ndërkohë, Pine evidentoi 8 denoncime nga publiku ku në disa prej tyre ngriheshin pretendime për zvarritje, korrupsion dhe shkelje profesionale. Ashtu si për figurën, edhe në këtë rast Komisioni nuk bëri me dije rezultatet e verifikimeve për këto denoncime. Relatorja Pine tha se shpjegimet e subjektit do të vlerësohen para vendimarrjes.

Gjyqtarja Celami u shpreh se kishte dhënë shpjegime të plota lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës. Për denonimet theksoi se vendimet e saj janë të bazuara në ligj dhe se kishte dhënë shpjegime shteruese me shkrim për këto çështje. “Kanë qenë çështje civile dhe vendimarrjet e mia janë lënë në fuqi nga Apeli”, pohoi Celami.

Në përfundim, gjyqtarja Lutfije Celami u shpreh se i plotësonte të gjitha kushtet për t’u konfirmuar në detyrë.  Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet të premten, më 25 qershor, ora 09:30.