Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtarja Marçela Shehu kalon testin e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të hënën në detyrë gjyqtaren Marçela Shehu, e cila është kandidate për Këshilin e Lartë Gjyqësor.

Trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore të gjyqtares së Kurbinit Marçela Shehu.

Trupa gjyqësore e drejtuar nga Brunilda Bekteshi me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici deklaroi të hënën konfirmimin në detyrë për gjyqtaren Marçela Shehu.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar të premten relatori Olsi Komici tha se Shehut nuk i ishin gjetur probleme në asnjë prej tre kritereve të vlerësimit – të përbëra nga  pasuria, pastërtia e figurës dhe profesionalizmi.

Në procesin ndaj Shehut trupa gjykuese e drejtuar nga Brunilda Bekteshi me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, deklaroi se gjykatësja ishte hetuar për të tre kriteret dhe në mënyrë të pavarur nga raportet e institucioneve ndihmëse.  Relatori tha se Shehu “nuk kishte pasuri të pajustifikuar apo të fshehur”, konsiderohej e përshtatshme sa i përket pastërtis së figurës dhe ishte vlerësuar “e aftë profesionalisht”.

Procesi i vetingut, apo rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve filloi konkretisht me seanca dëgjimore në fund të muajit mars. Shehu është subjekti i 4 i rivlerësimit që konfirmohet në detyrë pas gjyqtares Kushtetueses, Vitore Tusha, prokurores Fatjona Memçaj dhe gjyqtares Manjola Xhaxho.

Pesë zyrtarë të drejtësisë janë shkarkuar nga detyra për mosjustifikim të pasurisë, përfshirë tre gjyqtarë të Kushtetueses, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, gjyqtarin e Apelit Besim Trezhnjeva dhe prokuroren Besa Nikëhasani. Disa anëtarë të sistemit të drejtësisë përfshi Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhanë dorheqjen duke iu shmangur procesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *