Gjyqtarja Mariana Velçani përballet me mungesë burimesh financiare e mangësi profesionale në KPK

Lajme
Kryetarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Mariana Velçani u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me pyetje mbi pasurinë dhe aspektin profesional. Velçani kërkoi konfirmim në detyrë.

Kryetarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Mariana Velçani gjatë seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxha

Kryetarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Mariana Velçani u përball të mërkurën më 11 dhjetor me procesin e vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku u pyet lidhur me gjetjet për pasurinë dhe aspektin profesional.

Trupa gjykuese që po kryen rivlerësimin e Velçanit përbëhet nga Firdes Shuli kyesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Roland Ilija anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Klijstra.

Mariana Velçani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998. Ajo ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtare në Gjykatën e Beratit dhe në vitin 2014 u dekretua si anëtare e Gjykatës Administrative të Durrësit. Velçani u zgjodh gjithashtu përmes shortit si anëtare zëvendësuese e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2020.

Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi tha në fillim të seancës se rivlerësimi për gjyqtaren Velçani është përfunduar në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Mungesë burimesh për pasuritë

Komisioni ngre dyshime për burimin e krijimit të një apartament në qytetin e Beratit me sipërfaqe 111 m2, blerë 3 milionë lekë në prill të vitit 2003. Velçani ka deklaruar si burim krijimi një kredi 20 mijë euro dhe kursime nga të ardhurat nga pagat. Sipas Komisionit, nga kontrata e nënshkruar me palën shitëse, ka rezultuar se 3 milionë lekë janë paguar jashtë zyrës së noterit.

Hetimi administrativ ka evidentuar se kredia në vlerën 20 mijë euro është disbursuar 3 muaj pas blerjes së apartamentit. Sipas Bekteshit, janë evidentuar gjithashtu edhe 7 mandat-pagesa, nga ka rezultuar se janë kryer pagesa edhe në dollarë, e jo në lekë ashtu si është nënshkruar kontrata.

Komisioni ngre dyshime për burimin e apartamentit në fjalë, pasi për kredinë nuk ka rezultuar të jetë vendosur kolateral. Gjithashtu, Bekteshi tha se nuk është shënuar edhe qëllimi i marrjes së kredisë. “Duket se subjekti i rivlerësimit nuk kishe burime të ligjshme financiare për blerjen e apartamentit në vlerën 1.5 milionë lekë”, tha Bekteshi duke ju referuar analizës financiare.

Ajo shtoi se Velçani kishte shpjeguar se paqartësia kishte ndodhur pasi lekët janë marrë jashtë zyrës noteriale dhe kishte pretenduar që lidhur me këtë rrethanë të pyetej edhe administratori i shoqërisë ndërtuese. “KPK e rrëzoi kërkesën, pasi në vitin 2003, si administrator i pallatit ishte një person tjetër dhe jo ai që pretendonte subjekti i rivlerësimit”, theksoi Bekteshi.

Gjatë fjalës së saj në seancën dëgjimore, gyqtarja Mariana Velçani tha se gjithë paqartësitë kanë ardhur nga kontrata e blerjes, pasi 3 milionë lekë janë marrë në dorëzim jashtë zyrës së noterit. Ajo theksoi se kontrata ka qenë e mirëkuptuar nga palët dhe se ka pasur si synim vendosjen e kolateralit për kredinë.

“Bashkëshorti punonte në ‘Alpha Bank’ në Berat dhe kjo bankë ishte e vetmja që jepte kredi. Në kontratë nuk janë parashikuar se ramë dakort të ishte kontratë tip. Ashtu si edhe kam shpjeguar më parë, kredia ka shërbyer për shlyerjen e apartamentit në vitin 2003 dhe kjo ka qenë arsyeja që e mora. Me shoqërinë nuk kemi pasur asnjë marrëdhenie pune”, pohoi Velçani. Ajo tha se pas 17 vitesh e vetmja provë që i kishte mbetur ishin mandat-pagesat.

Velçani këmbënguli se edhe vetë banka sqaron se qëllimi i kredisë ka qenë blerja dhe rikonstruksioni apartamentit. Kredia është marrë në euro, pasi bashkëshorti paguhej nga banka në euro. “Qëllimi i kredisë është i shënuar në kontratë”, pretendoi gjyqtarja Velçani.

Për një apartament me sipërfaqe 109.1 m2 të blerë në Tiranë me kontratë sipërmarrje me vlerë 45 mijë euro në vitin 2009. Si burim krijimi të kësaj pasurie, Vleçani ka deklaruar një kredi në vlerën 2.7 milionë lekë dhe pjesa tjetër të ardhurat nga paga. Komisioni konstaton se gjyqtarja ka pasur mundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie, por identifikon pasaktësi në mospasqyrimin e garazhit në deklaratën e vitit 2009. Sipas Bekteshit, është konstatuar se shoqëria ka ulur çmimin në vlerën 250 mijë lekë për shkak të kryerjes së disa punimeve nga subjekti.

Bekteshi e pyeti gjyqtaren Velçani për vlerën e arredimit të banesës në Berat. Sipas relatores, vlera e deklaruar nga vetë subjekti i rivlerësimit ishte rreth 300 mijë lekën. Ndërkohë që Banka Popullore e kishte bazuar dhënien e kredisë për mobiljet e banesës në Berat, duke i përllogaritur ato 2.3 milionë lekë. “Në listën e orendive të përshkruara nga banka, veç një kompjuteri të lëvizshëm, të gjitha përkojnë me orenditë e banesës tuaj. Cili është shpjegimi yt? Vlera e orendive ka qenë 2.3 milionë lekë apo 300 mijë lekë?”, e pyeti Bekteshi gjyqtaren Velçani. Kjo e fundit tha se i qëndronte shpjegimeve të dhëna se vlera e orendive ishte 300 mijë lekë.

Komisioni identifikoi pamundësi financiare edhe për blerjen e automjetit tip Ford Fiesta në vlerën 250 mijë lekë në vitin 2006, me një balancë negative prej 437 mijë lekësh. Nga analiza financiare është konstatuar balancë negative dhe për vitet 2005 dhe 2012.

Ndërsa nuk u evidentuan probleme në blerjen e dy autoveturave tip Peugeot, një në vlerën 12.400 dhe një makinë tjetër në vlerën 6700 euro, si edhe për një gjendje cash në shumën 700 mijë lekë.

Bekteshi tha më tej se Velçani ka kontestuar KPK-në lidhur me shpenzimet e udhëtimeve bazuar në sistemin TIMS duke pretenduar se kanë qenë më të ulëta nga ato të përllogaritura prej Komisionit.

Në fjalën e saj, gjyqtarja Velçani pohoi se shpenzimet e udhëtimit për qëndrimin për pushime me familjen në Mal të Zi ishin më të vogla se ato të përllogaritura nga Komisioni. “Shpenzimet atje kanë qenë më të vogla, pasi çmimet janë më të lira se në Shqipëri”, pohoi Velçani duke shtuar se në atë kohë fëmijt i kishte pasur të vegjël dhe se kishte gatuar vetë gjatë pushimeve. Ajo kërkoi që të mos llogariteshin edhe shpenzimet e bashkëshortit për një udhëtim në Turqi, pasi sipas saj ai kishte udhëtuar për arsye të punës së tij e nuk kishte pasur shpenzime.

Mangësi në profesionalizëm

Komisioni identifikoi një sërë problemesh edhe në kriterin e porfesionalizimit. Sipas Bekteshit, gjyqtarja Mariana Velçani, është vlerësuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë se ka aftësi mesatare në intepretimin e ligjit, por janë konstatuar probleme në zbatimin e procedurës dhe se nuk përdor praktikat e gjykatave më të larta në vendimet e saj.

Tjetër gjetje është edhe mbajtja e qëndrimeve të ndryshme në gjykime. Në aspektin organizativ Komisioni evidenton tejkalim të afateve në të tetë dosjet e shqyrtuara. Në 4 raste ka rezultuar se ka vepruar bazuar në Porcedurën Civile, ndërsa në një rast në atë Administrative. Bekteshi tha se këto probleme, gjyqtarja Velçani i ka justifikuar me ngarkesën e punës. Ndërkohë, Velçani ka marrë vlerësim pozitiv lidhur me etikën. Nga gjashtë denoncime të kyera nga publiku komisioni ka konstatuar probleme proceduriale në dy raste.

Gjyqtarja Velçani i kundërshtoi gjetjet e Komisionit për profesionalizmin dhe u justifikua me ngarkesën e punës. “Puna ime është profuktive, pavarësisht konstaitmeve të Komisionit. Duke marrë parasysh edhe volumin e dosjeve. Nuk jam dakort me mendimin e KLGJ-së. Jam përpjekur të punoj si i ka hije një gjyqtari. Pushteti gjyqësor është i vetëkontrolluar”, deklaroi ajo.

Bekteshi e pyeti Velçanin se pavarësisht faktit që në vitin 2016 kishte pasur ngarkesë më të lartë, kishte zbatuar procedurën administrative, ndërsa në vitet 2014 e 2015 kishte zbatuar procedurën civile. “Në vitet e para kam pasur më shumë ngarkesa”, tha gjyqtarja Velçani. KPK nuk identifikoi probleme lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Mariana Velçani kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 12 dhjetor, ora 09:15.