Gjyqtarja Marina Rraboshta u dorëhoq 8 muaj pas fillimit të procesit të rivlerësimit

Lajme
Gjytarja e Gjykatës së Apelit Shkodër Marina Rraboshta u dorëhoq disa muaj pas fillimit të procesit të rivlerësimit.

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi përfundimin e procesit të rivlerësimit për gjyqtaren Marina Rraboshta, ndërsa njoftoi se kjo e fundit ishte dorëhequr dhe se ishte vendosur ndaj saj ndalimi 15-vjeçar për të qenë pjesë e organeve të drejtësisë.

Rraboshta që u kontaktua nga BIRN në janar, pasi lajmi i dorëheqjes së saj u njoftua në media, tha se nuk përballonte më ngarkesën e punës dhe kishte probleme të shëndetit. Ajo shtoi si arsye edhe trasferimet e shumta për çështje nga një gjykatë në një tjetër.

Ndërkohë në vendimin e KPK del që Rraboshta nuk ka pritur përfundimin e hetimit. Sipas vendimit ajo është hetuar nga një trupë gjykuese e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me anëtarë Genta Tafa (Bungo) dhe Suela Zhegu, por 8 muaj pas fillimit të procesit njoftoi Komisionin se ishte dorëhequr.

Dorëheqja u konfirmua nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë, ndërsa vendimi që i ndalon Rraboshtës përfshirjen në institucionet e drejtësisë mori formë të prerë në fund të shkurtit.