Gjyqtarja e Sarandës, Nevrie Duka pas vendimit për shkarkimin e saj nga KPK. Foto: Vladimir Karaj.
Analiza Artikull kryesor Analiza KPK Në Fokus

Gjyqtarja Nevrie Duka nuk e justifikoi dot pasurinë e saj të madhe

Komisioni arriti në përfundimin se subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e thuajse të gjitha pasurive që zotëron, se ka kryer kontrata fiktive, deklarim të rremë e të paplotë, si dhe është gjendur disa herë në kushtet e konfliktit të interesit.

Gjyqtarja e Sarandës, Nevrie Duka pas vendimit për shkarkimin e saj nga KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Gjyqtarja e Gjykatës së Sarandës, Nevrie Duka(Halo) u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 12 mars 2020, disa orë pas zhvillimit të seancës dëgjimore, për shkak të probleme të shumta për kriterin e pasurisë dhe mungesës së burimeve të ligjshme në vlerën totale 17,4 milionë lekë.

Trupi gjykues i KPK i përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Genta Tafa (Bungo) relatore dhe Olsi Komici anëtar, konkludon në vendimin e zbardhur se Duka ka kryer deklarim të rremë, të pasaktë e të paplotë; se nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive, shpenzimeve, likuiditeteve dhe dhënien e huave; si edhe gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Në vendim identifikohet fakti se Duka nuk arriti të paraqiste prova për të kundërshtuar gjetjet e Komisionit. Rivlerësimi i Dukës përfundoi vetëm për kriterin e pasurisë.

Nevrie Duka ka punuar në sistemin gjyqësor shqiptar prej vitit 1995. Në dy dekadat e fundit, ajo ka shërbyer si gjyqtare në Gjykatën e Sarandës.

Kontrata fiktive e mungesë burimesh

Komisioni konstaton se Duka nuk ka dorëzuar prova për të vërtetuar ato çfarë ka deklaruar lidhur me mënyrën e përfitimit të një apartamenti në Sarandë,  ku jeton familja e saj prej vitesh. Në deklaratën veting ajo ka shpjeguar se, bashkëshorti e ka përfituar këtë pronë ku jetojnë prej qershorit të 2010-ës nëpërmjet një marrëveshje verbale me një ndërtues, në këmbim të vlerës së punës së gërmimit për ndërtimin e pallateve.

KPK konstaton se, ndryshe nga sa ka deklaruar Duka, bashkëshorti i saj nuk ka kryer asnjë punim për shoqërinë  ndërtuese që ju ka dhënë apartamentin dhe se nuk ka dorëzuar asnjë provë për zotërimin e kësaj pasurie.

Ndryshe nga sa ka shënuar në deklaratën veting, në formularin e kontrollit të figurës, Duka ka shpjeguar se ka jetuar në këtë apartament prej qershorit të vitit 2009, gjë që është vërtetuar nga verifikimi i librezës së pagimit të detyrimeve të UKT-së.

Komisioni ka gjetur se Duka ka dhënë një vendim më datë 25 shtator 2013 duke rrëzuar një padi kundër shoqërisë ndërtuese që i ka dhënë këtë apartament, duke ngritur dyshime për konflikt interesi. Por, Duka e ka kundërshtuar këtë konstatim duke shpjeguar se ka dhënë dorëheqjen dhe ka vënë në dispozicion të Komisionit një shkresë të dytë të siguruar nga Gjykata e Sarandës.

Në përfundim Komisioni vlerëson se Duka nuk ka justifikuar me burime të ligjshme krijimin e kësaj pasurie; se nuk provon të drejtën e pronësisë dhe se ka kryer deklarim të paplotë e të pamjaftueshëm .

Mungesë burimesh të ligjshme evidentohen edhe për blerjen në vitin 2011 të një apartamenti tjetër me sipërfaqe 102 m2 në Tiranë, nё emёr tё vajzёs, O.D., në vlerën 45 mijë euro. Duka ka pasqyruar si burim krijimi të kësaj pasurie një pjesë të shumës së përfituar nga shitja e një sipërfaqe toke 400 m2 në vlerën 70 mijë euro.

Komisioni evidenton mospёrputhje nё lidhje me periudhën e likuidimit tё shumёs 45 mijë euro, pasi Duka e ka deklaruar blerjen e apartamentit në vitin 2011, ndërsa referuar kontratës sё shitjes së datës 8 shtator 2014, çmimi ёshtё likuiduar totalisht nё vitin 2012.

Sipas trupit gjykues, vlera 70 mijë euro e përfituar nga shitja e truallit në vitin 2008 nuk është e tatuar dhe nuk është deklaruar në gjendje në vitin 2008 dhe në deklaratat pasardhëse. Për këto arsye, Komisioni nuk e ka përfshirë në analizën financiare të vitit 2011 si burim për blerjen e kësaj banese, nga ka rezultuar balancë negative në vlerën 5,6 milionë lekë.

KPK ngre dyshime për kontratë shitje fiktive të truallit me sipërfaqe 400 m2, që Duka e ka blerë nga Bashkia e Sarandës në vitin 1999 për vlerën 288 mijë lekë. Sipas trupit gjykues, kontrata e sipërmarrjes e vitit 2008 për shitjen e truallit është fiktive, me qëllim justifikimin e vlerës 70 mijë euro.

Komisioni konstaton se gjyqtarja nuk paraqiti asnjë dokument për të vërtetuar dhënien e shumës 70 mijë euro nga blerësi. Aktet noteriale nuk rezulton ti ketë nënshkruar blerësi, por përfaqësuesi i tij me prokurë.  KPK i ka kërkuar Dukës të justifikonte me dokumentacion zyrtar burimin e ligjshëm e të ardhurave të blerësit, por gjyqtarja nuk ka depozituar asnjë dokumentacion provues.

Ajo është justifikuar me faktin se kjo vlerë është verifikuar kur ka kaluar në bankë edhe prej Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe se nuk është konsideruar si e ardhur e paligjshme. Trupi gjykues e konsideron të pavlerë argumentimin e Dukës dhe thekson se nuk arrihet të vërtetohet mundësia financiare e blerësit.

Komisioni shton se pretendimet e Dukës nuk i rrëzojnë dyshimet për fiktivitet, madje i forcojnë ato. “Këto dyshime bëhen edhe më të forta kur dokumentimi i tyre ligjor bëhet me një deklaratë noteriale të datës 28.5.2008, për të provuar se pagesa është bërë më 26.5.2008 dhe kur kontrata e shitblerjes është e datës 18.3.2016. Në të gjitha këto akte nuk rezulton të ketë firmosur personalisht z. Z.H., por përfaqësues i tij me prokurë, duke mos u provuar në këtë mënyrë pagesa e shumës 70, 000 euro nga z. Z.H., tek subjekti i rivlerësimit”, konstaton trupi gjykues duke shtuar se Duka nuk ka paguar detyrimet tatimore për shumën 70 mijë euro që deklaron se ka përfituar nga shitja e truallit.

Komisioni ngre dyshime për shitje fiktive edhe të një automjeti tip “Land Rover ” në prill 2012-ës  me qëllim justifikimin e të ardhurave. Bashkëshorti i gjyqtares Duka ia ka shitur nipit këtë autoveturë për në shumën 10 mijë euro, disa herë më shumë nga vlera 500 mijë lekë që kishte shpenzuar për ta blerë katër vite më parë.

Hetimi administrativ ka zbuluar se automjeti dhe policat e sigurimit për këtë automjet kanë qenë gjatë gjithë kohës në emër të bashkëshortit të gjyqtares. Sipas Komisionit asnjë nga policat e sigurimit nuk është në emër të nipit të bashkëshortit të gjyqtares Duka, qoftë dhe si përdorues. Nisur edhe nga fakti se automjeti është shitur në një vlerë shumë më të lartë se çmimi i blerjes, Komisioni ngre dyshime se ky veprim është bërë në mënyrë fiktive.

Duka rezulton se nuk ka pasqyruar ne deklaratën veting burimin e një auotveture tjetër tip BMW, blerë në prill të vitit 2012 për vlerën 12 mijë euro dhe të shitur pesë vite më vonë për shumën 5, 500 euro. Komisioni konstaton se bashkëshortët Duka nuk kanë patur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për blerjen e këtij automjeti.

Nga analiza financiare ka rezultuar se familja e gjyqtares nuk ka pasur mundësi të kursejë një gjendje cash të deklaruar në vlerën totale 1.3 milionë lekë për vitet 2015 dhe 2016, përkatësisht në vlerat 500 mijë dhe 800 mijë lekë.

Në parashtrimet e saj Duka ka pretenduar se ajo kishte pasur kursime në 2014-ën në shumën 2.4 milionë lekë dhe se për këtë vit të ardhurat e bashkëshortit kanë qenë 1.5 milionë lekë dhe po aq edhe të sajat. Ajo ka shtuar se viti 2015 çelet në total me vlerën rreth 5.4 milionë lekë dhe se dhënia e një huaje në vlerën 15 mijë euro nuk e ndryshon gjendjen pozitive pasi mbeten edhe rreth 3.5 milionë lekë. Sipas saj, edhe në vitin 2015 bashkëshorti ka krijuar 1.4 milionë lekë të ardhura ndërsa ajo 1.5 milionë lekë dhe se nuk ka mungesë të mjeteve financiare për gjendjen cash.

Por, Komisioni konstaton se ajo nuk ka paraqitur asnjë provë për krijimin e kursimeve cash në shumën 2, 4 milionë lekë në vitin 2014 dhe se në asnjë prej deklarateve të mëparshme nuk ka deklaruar kursime, ndërkohë që nga analiza financiare ka rezultuar bilanc negativ në shumën – 1, 679, 532 lekë.

Hetimi ka rrëzuar një deklarim tjetër të Dukës, se në vitin 2006 i ka dhёnё njё shoqes së saj hua shumёn prej 5 mijë USD, pasi ka rezultuar në pamundësi për ta kursyer këtë vlerë.

Sipas Komisionit, Duka nuk ka deklaruar dy kredi: një në vitin 2010 në vlerën 700 mijë lekë dhe tjetrën në vitin 2014-ën në vlerën 400 mijë lekë. Sipas gjyqtares, këto kredi i kanë marrë së bashku me bashkëshortin për vëllain e këtij të fundit.

Ajo ka depozituar një deklaratë noteriale të kunatit, ku ai shpjegon se në vitin 2010 ka pasur nevojё pёr mobilimin e shtёpisё dhe meqёnёse nuk i plotësonte kushtet pёr tё marrё kredi, i ka kёrkuar ndihmё të vёllait të cilin e ka shlyer sipas mundësisë. Por, nga hetimi administrativ ka rezultuar se bashkëshortët Duka i kanë likuiduar kreditë me të ardhurat e tyre.

Komisioni thekson se, edhe bazuar në deklaratën noteriale të dorëzuar nga gjyqtarja Duka, rezulton se këto kredi janë shlyer me të ardhurat e familjes së saj, ndërsa vëllai i bashkëshortit ka paguar vetëm një këst. Ndërkohë, Duka nuk ka sqaruar se kur është paguar vlera e mbetur e kredive nga vëllai i bashkëshortit,  si dhe nuk ka provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave të tij.

Në vendim evidentohet edhe mosdeklarimi dhe mungesa e burimeve të ligjshme për krijimin e një depozite në shumën 935,700 lekë në vitin 2005.

Pasuritë e bashkëshortit mes konflikteve të interesit

Komisioni konstaton se Duka ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit në dhënien e një vendimi në maj të vitit 2019 për një proces ku palë ka qenë edhe Bashkia Sarandë, pasi në të njëjtën periudhë bashkëshorti ka qenë në një proces gjyqësor me bashkinë për një truall me sipërfaqe 360 m2 të përfituar me vendim të Këshillit Bashkiak të vitin 2003.

Trupi gjykues shton se gjyqtarja Duka nuk ka depozituar asnjë dokument për të provuar gjendjen aktuale të kësaj pasurie. Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se bashkëshortit të Dukës i është dhënë trualli si investitor i sheshit, por subjekti ka sqaruar se nuk është kryer asnjë punim përveç gërmimit me mjetin e tyre gërmues.

Komisioni evidenton më tej se Duka ka pasqyruar në deklaratën veting një truall tjetër me sipërfaqe 200 m2, të marrë nga bashkëshorti në vitin 1991, pronë nga e cila ai ka hequr dorë në vitin 2001 dhe për këtë arsye i ka kaluar një personi tjetër. Sipas trupit gjykues, Duka në këtë rast është në kushtet e deklarimit të pasaktë, pasi ka pasqyruar një pasuri që nuk i përket.

Në deklaratën veting Duka ka deklaruar se të ardhurat e bashkëshortit të saj për periudhën 2005 – dhjetor 2016 janë në shumën 22,75 milionë lekë, por sipas trupit gjykues ajo nuk arriti ta provojë burimin e ligjshëm të kësaj vlere. Komisioni shton se ajo është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit pasi ka shqyrtuar disa çështje ku palë kanë qenë shoqëritë me të cilat bashkëshorti ka lidhur marrdhënie punësimi.

KPK ka gjetur mospërputhje mes dokumentacionit të depozituar nga Duka për përfitimin e këtyre të ardhurave nga bashkëshorti dhe deklarimeve të saj. Sipas dokumentacioni të depozituar nga vetë subjekti rezulton se, për periudhën 2014 – 2016 bashkëshorti i ka dhënë me qira mjetet e tij një shoqërie ndërtuese, ndërkohë që në deklaratat periodike për këto vite, shënohet se burimi i të ardhurave ka rrjedhur nga punimet e gërmimit.

Ndërsa shoqëria e ndërtimit nuk ka vënë në dispozicion të Komisionit dokumentacion që mund të vërtetonte kryerjen e punimeve nga bashkëshorti i Dukës. Gjithashtu, nga shkresat e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Sarandë, ka rezultuar se shoqëria nuk e ka deklaruar marrëveshjen që ka patur me bashkëshortin e Dukës dhe nuk janë paguar detyrimet tatimore.

Rezulton se, për bashkëshortin e Dukës janë paguar detyrimet për sigurimet shoqërore për muajin korrik 2014 dhe është evidentuar kalim page për muaj mars-maj 2011.  Këto vlera janë përfshirë në analizën financiare, por pa e përmirësuar balancën negative në vlerë të madhe.

Ndërkohë, KPK identifikon disa çështje gjyqësore të shqyrtuara prej gjyqtares Duka ku palë kanë qenë shoqëritë me të cilat ka bashkëpunuar bashkëshorti i saj. “Siç rezulton, subjekti ka gjykuar tri çështje me palë, të cilat, para ose pas përfundimit të gjykimit, kanë lidhur marrëveshje me bashkëshortin e saj për kryerjen e punimeve të dheut/dhënie me qira. Këto marrëveshje, siç kemi trajtuar më lart, nuk janë deklaruar në organet tatimore si dhe nga këto shoqëri nuk provohet kryerja e pagesave për bashkëshortin e subjektit”, citohet në vendim.

Komisioni konstaton se Duka nuk provon me dokumentacion provues ligjor të ardhurat e përfituara nga bashkëshorti i saj në shumën 22,750,000 lekë dhe për këto arsye nuk i ka konsideruar në analizën financiare për periudhën 2005-2016. Trupi gjykues i KPK shton se, subjekti nuk provoi në asnjë moment se nuk ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e çështjeve me palë shoqëritë, me të cilat bashkëshorti i saj ka lidhur marrëveshje punësimi.

Nga hetimi ka rezultuar se bashkëshorti i Dukës ka blerë në prill të vitit 2004 një automjet “Mercedes – Benz” në vlerën 250 mijë lekë që ia ka shitur vëllait të tij rreth katër vite më vonë, dyfishin, në shumën 500 mijë lekё. Ndërkohë, ka rezultuar se mjeti ka qenë në pronësi të bashkëshortit të Dukës edhe pas shitjes dhe se është hequr nga qarkullimi në nëntor të 2017-ës nga vetë ai. Për këto arsye Komisioni ngre dyshime se shitja ka qenë fiktive me qëllim justifikimin e të ardhurave.

Duka ka pretenduar se detyrimi për çregjistrim i përkiste blerësit dhe jo bashkëshortit të saj, por se kur është vënë në dijeni se mjeti ishte jashtë përdorimit dhe ende në emër të tij, kanë kryer çregjistrimin. Komisioni, duke marrë parasysh edhe faktin se blerësi ishte vëllai i bashkëshortit të Dukës, nuk është bindur nga shpjegimet e saj.

Në janar të vitit 2005, bashkëshorti i Dukës ka blerë një kamion tip “Man”, për shumën 1. 5 milionë lekë. Për blerjen e këtij mjeti, është përdorur një kredi e marrë në vitin 2005 në vlerën 1.5 milionë lekë e pasqyruar në deklaratën periodike. Për shkak se kjo kredi nuk është pasqyruar në deklaratën veting, Komisioni konkludon se ka pasaktësi.

Sipas KPK, bashkëshorti i Dukës nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për blerjen e një skrepi me çekiç pneumatik dhe frigorifer për çmimin 15 mijë euro në prill të 2007-ës dhe se gjyqtarja ka kryer deklarim të pasaktë e të rremë për burimin.

Si burim për blerjen e këtij mjeti subjekti deklaron mbylljen depozite dhe tërheqje në shumën 13 mijë në “Raiffeisen Bank”, por sipas Komisionit ajo nuk ka depozituar asnjë dokument për të provuar që a ka patur këtë depozitë.  Për shkak se Duka nuk ka provuar të ardhurat e bashkëshortit dhe pagimin e detyrimeve tatimore, KPK nuk e ka konsideruar vlerën e deklaruar si burim, duke konkluduar balancë negative në shumën   -1 699 224 lekë.

Komisioni konstaton më tej pamundësinë e bashkëshortit të Dukës për ti dhënë vëllait një hua në vlerën 30 mijë USD në vitin 2005, që është pasqyruar prej saj në deklaratën veting.  Sipas KPK, Duka nuk arriti të provojë se bashkëshorti e kishte fituar këtë vlerë nga puna në emigracion, ashtu si ka deklaruar.

Nga hetimi administrativ është evidentuar se bashkëshorti i Dukës ka qenë bashkëpronar i një restoranti , aktivitet i cili është çregjistruar në tetor të 2018-ës. Në maj të vitit 2018, ai ka hequr dorë nga aktiviteti dhe ka përfituar shumën 10 mijë euro prej ortakut.

Komisioni e ka pyetur Dukën për burimin e të ardhurave të ortakut të bashkëshortit lidhur me dhënien e vlerës 10 mijë euro. Subjekti ka këmbëngulur se të ardhurat e ortakut të bashkëshorit ishin kursimet e tyre familjare. “Në seancën dëgjimore ajo rishpjegoi se z. K., duke qenë kuzhinieri më i mirë i peshkut në Sarandë, sigurisht që i ka patur mundësitë për të kursyer këtë shumë. Por subjekti nuk ka provuar me dokumentacion as investimin e bashkëshortit të saj dhe as mundësitë financiare të z. K”, kontsaton Komisioni që konkludon nuk u provua burimi i ligjshëm të ardhurave të ortakut të bashkëshortit për shumën 10 mijë euro.

KPK konstaton deklarim të rremë dhe të paplotë lidhur me një transfterë në shumën 2, 482, 000 lekë të kryer më datë 12 qershor 2009 nga bashkëshorti i gjyqtares për llogari të kunatit të saj. Komisioni nuk është bindur me deklarimet e Dukës se, shuma e transferuar është vlera e shitjes së apartamentit të motrës në vitin 2008, pasi nga hetimi ka rezultuar se çmimi i shitjes ka qenë 1, 696, 184 lekë.

Më tej, trupi gjykues konkludon mungesë të burimeve financiare edhe për shumën 20 mijë USD që Duka ka depozituar në qershor të 2006-ës në llogarinë në USD të bashkëshortit në Procredit Bank. Nga analiza financiare ka rezultuar se ajo nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme në vitin 2006 për depozitimin e kësaj shume, pasi rezulton me balancë negative në vlerën -2 496 629 lekë.

Probleme janë gjetur edhe në transferimin e disa vlerave në llogari të bashkëshortit të Dukës. Komisioni vëren se, Duka ka kryer deklarim të rremë dhe të paplotë në lidhje me transferimin e shumës 25, 945 USD në llogarinë e bashkëshortit me anë të tre transfertave në vitin 2009.

Trupi gjykues nuk është bindur nga pretendimi i Dukës se, shumat e transferuara janë vlera e konvertuar në USD e çmimit të shitjes së apartamentit të motrës së saj. Sipas Komisionit ky deklarim i Dukës nuk përputhet me dokumentacion e administruar, pasi shuma e transferuar është më e madhe nga çmimi i shitjes së apartamentit.

Probleme në deklarimet vjetore

Nga analiza financiare rezulton se Duka nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për të blerë një automjet vlerën 200 mijë lekë dhe për të krijuar gjendjen e likuiditeteve në lekë në vlerën 550 mijë lekë në vitin 2004.

Ndërsa nuk ka asnjë gjurmë të një depozite në dollarë në vlerën 13 mijë USD të deklaruar po në vitin 2004. “Madje nuk rezulton asnjë tërheqje apo mbyllje e kësaj depozitë në vitin 2006, sikurse është deklaruar nga subjekti në DVP/2006”, citohet në vendim.

Kjo depozitë nuk është përfshirë në analizën financiare të vitit 2004 dhe nuk është konsideruar si burim për blerjen e skrepit nga bashkëshorti, sikurse është deklaruar në vitin 2006.

Në vitin 2005, Duka ka deklaruar 3 mijë paund të dërguara nga motra si borxh i pashlyer ndër vite ndaj saj, por Komisioni konstaton se ajo nuk e ka deklaruar këtë hua në vitin  2003.

Në vitin 2008, Duka ka deklaruar se një shumë prej 35, 734 USD është dhënë hua me afat një vjeçar, që i është kthyer në vitin 2009 së bashku me interesat, në vlerën 39, 307 USD. Si burim të vlerës së dhënë hua, Duka ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e truallit në vlerën 70 mijë euro. KPK konstaton se burimi i huasë nuk mund të ketë qenë vlera e përfituar nga shitja e turallit, pasi kjo vlerë është dhënë me datë 4 mars 2008, ndërsa të ardhurat e siguruara nga shitja e truallit deklarohet se janë marrë më datë 26 maj 2008.

Komisioni konkludon se subjekti nuk ka pasur burim të ligjshëm për dhënien e kësaj huaje, si dhe kthimin e saj, duke kryer deklarim të paplotë, të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.

Në vitin 2015, gjyqtarja Duka deklaron se i kanë dhënë hua vëllait të bashkëshortit vlerën 15 mijë euro për një afat tre vjeçar për nevoja të kompletimit të një objekti që ka ndërtuar. Nga hetimi ka rezultuar se ajo nuk e ka pasqyruar këtë hua në deklaratën veting. Gjithashtu, bazuar në analizën financiare, ka rezultuar se nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e huasë në fjalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *