Gjyqtarja Saida Dollani përballet pa probleme me vetingun
Lajme

Gjyqtarja Saida Dollani përballet pa probleme me vetingun

Seanca dëgjimore ndaj gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani nuk evidentoi asnjë problem në kriterin e pasurisë, atë të pastërtisë së figurës si dhe të aftësive profesionale. Një denoncim i Emiljano Shullazit u rrëzua nga KPK.

Gjyqtarja Saida Dollani pas seances degjimore ne Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj

Gjyqtarja pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Saida Dollani u përball pa telashe me vetingun të enjten, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese e KPK përbëhej nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Marie Tuma.

Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhakatari u shpreh në fillim të seancës dëgjimore se Komisioni e ka kryer rivlerësimin e gjyqtares Dollani në të tri kriteret.  Sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI të dorëzuar pranë KPK-së, gjyqtarja Saida Dollani ka deklarim të saktë të pasurisë. Në të njëjtat përfundime ka arritur edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Nga hetimi administrativ nuk janë evidentuar probleme në dhurimin e një apartamenti me sipërfaqe 79 m2 në Tiranë. Sipas realtores Sanxhaktari, kjo pasuri i është falur Dollanit prej motrës së saj dhe bashkëshortit të kësaj të fundit, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se motra e Dollanit ka qenë në Shqipëri kur është realizuar kontrata e dhurimit. Gjithashtu, Sanxhaktari u shpreh se rezulton që Dollani të ketë paguar detyrimet lidhur me kalimin e kësaj pasurie në pronësi të saj dhe se nuk janë gjetur indicie për të ngritur dyshime rreth ligjshmërisë së burimit të krijimit.

Lidhur me likujditetet, Komisioni ka konstatuar se në llogarinë rrjedhëse të Dollanit gjendeshin 45 euro dhe se ajo ka deklaruar 5 mijë lekë gjendje cash nga paga.

Komisioni ka evidentuar një “overdraft” dhe një kredi konsumatore 300 mijë lekë si edhe një llogari bankare me kartë krediti me mundësi tërheqje 700 euro. Sanxhaktari pohoi se llogaria me kartë krediti me shumë të limituar tërheqjeje nevojitej për t’i dhënë mundësi djalit të gjyqtares Dollani që studion në Francë, të tërheqë para prej andej.

Komisioni ka verifikuar edhe për shpenzimet e studimeve dhe jetesës së dy djemve të gjyqtares Dollani në Francë. Relatorja Sanxhaktari u shpreh se, djali R.P. i cili ka përfunduar shkollën e mesme në Tiranë në vitin 2012, në vjeshtën e këtij viti rezulton të ketë nisur studimet në Francë në një universitet publik me tarifë vjetore 1600 euro.

SIPAS Komisionit, ai vazhdon ende studimet për drejtësi në një universitet publik dhe se paguan si tarifë vjetore 400 euro. KPK ka verifikuar edhe shpnezimet për akomodimin dhe jetesën e tij dhe ka konstatuar se të gjitha pagesat janë kryer nëpërmjet sistemit bankar.

Sanxhakatari pohoi se një vit më pas, në vjeshtë të 2013-ës, ka shkuar për studime në Francë edhe djali i dytë i Dollanit, H.P. Nga verifikimet komisioni ka konstatuar se ai ka paguar si tarifë vjetore për universitetin 400 euro në vit. Ndërkohë, ka marrë ndihmë për strehim gjatë viteve 2013-2016 nga një organizatë sociale dhe paralelisht me studimet është i angazhuar në punë prej nga gjeneron të ardhura.

Sanxhaktari pohoi se deklarimet e gjyqtares Dollani lidhur me shpenzimet për studime të dy djemve në Francë, përputhen me rezultatet e konstatuara gjatë hetimit administrativ, duke i konsideruar ato të sakta. KPK arriti gjithashtu në përfundimin se ajo ka pasur burime të ligjshme për gjithë shpenzimet e kryera.

“Nga analiza financiare rezulton se ka pasur burime të mjaftueshme, se standardi i jetesës është modest dhe në përputhje me statusin social,” tha relatorja.

Dollani u vlerësua pozitivisht edhe në kriterin e figurës. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe KPK kanë arritur të konkluzionin se gjyqtarja Dollani është e përshtatshme për vazhdimin e detyrës përsa i përket kriterit të pastërtisë së figurës.

Komisioni ka konstatuar aftësi shumë të mira edhe në aspektin profesional të gjyqtares Dollani dhe se në asnjë rast nuk janë evidentuar problematika, ankesa apo masa disiplinore.

Nga shtatë denoncime që janë depozituar pranë KPK-së, në asnjë prej tyre nuk janë gjetur indicie për të kryer hetime. Ndryshe nga subjektet e tjera që janë denoncuar kryesisht nga qytetarët në KPK, Dollani ishte denoncuar nga Emiljano Shullazi.

Saida Dollani kryeson trupën gjykuese në procesin e bllokuar kundër Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Sipas relatores Valbona Sanxhaktari, Shullazi ka pretenduar në denoncim se Dollani ka cenuar procesin gjyqësor, por ai nuk është marrë parasysh nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

“Për shkak se çështja është ende në shqyrtim, nuk mund të hetohet,” tha relatorja Sanxhaktari.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Saidia Dollani u shpreh se ishte plotësisht dakort me rezultatet.

“Ju falënderoj për transparencën”, u shpreh ajo. KPK do të shpallë vendimin më datë 21 qershor, ora 10:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *