Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtarja Ukperaj në rregull me vetingun, por përballet me një duzinë denoncimesh

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja) ka kaluar pa probleme tre filtrat e vetingut, ndërsa denoncimet nga qytetarët janë vlerësuar se “zgjidhen në rrugë gjyqësore”. Konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lanë të pakënaqur denoncuesit e pranishëm në sallë.

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja) në seancën dëgjimore në KPK.

Gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj (Lubonja) u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në një sallë ku ishin të pranishëm edhe denoncues të saj. Por ndonëse u la të kuptohej se gjyqtarja i ka kaluar pa probleme tre filtrat e rivlerësimit, një duzinë kallëzimesh-më i fundit i mbërritur vetëm një ditë para seancës dëgjimore, e mbajnë ende pezull vendimin për të.

Trupa gjyqësore e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Valbona Sanxhaktari deklaroi se gjyqtarja Ukperaj i është nënshtruar hetimit administrativ për të tria kriteret e rivlerësimit. Ajo iu nënshtrua listës prioritare të vetingut për shkak se është kandidate për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Relatorja e çështjes, Çiftja lexoi në seancë se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI ka vlerësuar se gjyqtarja e Apelit ka bërë deklarime të sakta dhe ka burime të mjaftueshme financiare për pasurinë e saj familjare, e cila përbëhet nga një apartament në Selitë me sipërfaqe 106 metra katrorë, i blerë për 44 mijë e 877 euro si dhe një automjet “Mercedez Benz”.

Hetimi administrativ ka marrë në shqyrtim edhe pasurinë e personave të lidhur, për të cilat u vlerësua se gjyqtarja Ukperaj ka dorëzuar dokumentacion dhe shpjegime të mjaftueshme.

Raportet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë vlerësuan gjithashtu “përshtatshmërinë” e gjyqtares Ukperaj sa i përket pastërtisë së figurës si dhe aftësinë profesionale.

Por KPK është ndalur edhe në 11 denoncime nga qytetarët në adresë të gjyqtares Ukperaj, ku rasti më i fundit, sipas relatores së çështjes ishte depozituar ditën e enjte dhe ishte ende në proces shqyrtimi.

“Kemi verifikuar me kujdes të gjitha denoncimet e ardhura në adresë të subjektit dhe verifikimet kanë treguar se çështjet janë të tilla që mund të zgjidhen në rrugë gjyqësore,” tha Çiftja, e cila shtoi më tej se po shqyrtohet edhe denoncimi i fundit.

E vënë në pozitë nga lista e gjatë e denoncimeve nga qytetarët, gjyqtarja Brikena Ukperaj (Lubonja) i lidhi ato me kompleksitetin e çështjeve që shqyrtohen në Gjykatën e Apelit, ku punonte prej më pak se dy vitesh.

“Unë besoj se bëj pjesë në atë pjesë të shëndoshë të sistemit të drejtësisë. Unë besoj te ky proces, besoj se gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm do të motivohen nga ky process,” tha Ukperaj, e cila kërkoi më pas rikonfirmimin në detyrë.

Konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lanë megjithatë të pakënaqur denoncues të gjyqtares, të cilët ndodheshin në sallë për të ndjekur nga afër procesin.

Isuf Bodo, një ndër denoncuesit e dosjes së falsifikimit të 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe familjarët e tij thanë për mediat se ankesat e tyre në KLD dhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren Ukperaj nuk ishin marrë parasysh.

“Në gjykimin e çështjes, zonja Ukperaj në rolin e relatores, në nxitim e sipër vendosi të kthejë çështjen për rigjykim në shkallën e parë dhe të mos hapë shqyrtimin gjyqësor,” thanë familjarët Bodo, të cilët pretenduan se vendimi ishte marrë në shkelje të afateve ligjore.

“Çështja Karaburuni është çështja më sensitive që ka pasur shteti shqiptar me prona të falsifikuara që janë regjistruar në emër të personave publikë me pasuri, të cilët ia kanë marrë ato personave që i zotërojnë prej viteve,” shtuan ata.

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren Ukperaj do të shpallet me 25 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *