Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtarja Vitore Tusha pret dritën jeshile të vetingut

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha pritet të jetë zyrtarja e parë e sistemit të drejtësisë – përtej anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit, që kalon me sukses procesin e vetingut.  

Valbona Sanxhaktari, Alma Faskaj, duke hyrë në një seancë të Komisionit te Pavarur te Kualifikimit – i cili ka nisur sot seancën dëgjimore me anëtaren e Gjykates Kushtetuese, Vitore Tusha. | Foto nga : Gent Shkullaku/LSA

Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit mbajti të mërkurën seancën dëgjimore ndaj gjyqtares se Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, gjatë së cilës relatorja e çështjes u shpreh se nuk ishin konstatuar shkelje për sa i përket deklarimit të pasurisë dhe integritetit të figurës.

Trupa gjykuese që mori në shqyrtim çështjen përbëhej nga Alma Faskaj si kryesuese, Valbona Sanxhaktari si relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në seancën dëgjimore ishte i pranishëm Theo Jacobs si përfaqësues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.  Zonja Tusha ishte prezente gjatë seancës dëgjimore, e shoqëruar nga avokati Arben Llanaj.

Gjatë fjalës së saj, relatorja e çështjes Valbona Sanxhaktari nënvizoi se gjyqtarja Tusha i ishte nënshtruar procesit të rivlerësimit me përparësi si pjese e listës prioritare dhe për figurën e saj KPK ka administruar informacion nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimi dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Inspektoriati i Këshilit të Lartë të Drejtësisë, si dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

“Pas administrimit te informacionit [nga ILDKPKI], deklarimi është i sakë dhe në përputhje me ligjin. Nuk ka fshehje pasurie, nuk ka deklarim të rremë, nuk ka konflikt tëinteresit,” deklaroi relatorja Sanxhaktari. Sipas Sanxhaktarit edhe raporti iDSIK-së ka konstatuar përshtatëshmëri për gjyqtaren kushtetuese.

KPK gjithashtu ka ndërmarrë një hetim të pavarur mbi disa pasuri të Znj. Tusha dhe nuk ka konstatuar probleme. Ndërkohë komisioni ka administruar 5 denoncime nga shtetas të ndryshëm  në lidhje me aktivitetin profesional të gjyqtares.

Tusha është diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ajo ka punuar si përmbaruese gjyqësore në Tiranë dhe prej 1990 deri në 1992 si avokate. Në periudhën 1992-1994, Tusha ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Tiranës dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit – ku nga viti 1999 deri në vitin 2001 ka udhëhequr kolegjin civil të kësaj gjykate.

Znj. Tusha ka një karrierë të gjatë akademike. Nga viti 1986 e në vazhdim ka qenë lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollës së Magjistraturës. Ne vitin 2008 ajo u zgjodh gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese

Gjatë seancës dëgjimore, relatorja Sanxhaktari dhe përfaqësuesi ONM-së Jacobs ka drejtuar pyetje ndaj gjyqtares në lidhje me kuptimin që ajo kishte për disa nene të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutës së Shqipërisë që kanë të bëjnë më lirinë dhe barazinë e qytetarëve përpara ligjit. Znj. Tusha i është përgjigjur pyetjeve pas një pushimi 15 minutësh.

Në mbyllje të seancës gjyqtarja Tusha u shpreh se parashtrimet i kishte bërë me shkrim, ndërkohë që avokati i saj kërkoi nga trupa gjykuese të merrte një vendim pozitiv, duke pasur parasysh që nuk ishin gjetur shkelje në kontrollin e pasurisë, atë të figurës dhe në vlerësimin profesional të gjyqtares.

Vendimi për gjyqtaren do të merret nga KPK të enjten në orën 9:00. Nëse ky vendim do të jetë pozitiv, Vitore Tusha do të bëhet e para gjyqtare e sistemit që kalon filtrin e vetingut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *