Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Vjosa Zaimi pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Vjosa Zaimi jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Gjyqtarja e Tiranës, Vjosa Zaimi dha shpjegime lidhur me balancën negative për një prej burimeve financiare në blerjen e një apartamenti si dhe gjykimet tej afateve në seancën dëgjimore me KPK-në.

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Vjosa Zaimi pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Vjosa Zaimi u përball të martën më 7 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan gjetjet për të tri kriteret e rivlerësimit.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Zaimi po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Vjosa Zaimi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 filloi punë si gjyqare në Elbasan. Në vijim ajo punoi në Gjykatën e Kolonjës dhe në Korçë, ndërsa prej nëntorit të vitit 2011 e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Relatori Ilia shpjegoi se hetimi administrativ për pasurinë është bazuar më së shumti në gjetjet e rivlerësimit të bashkëshortit të saj, Qemal Zaimi, ish-inspektor pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe aktualisht nëpunës në njësinë e vlerësimit etik e profesional në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Qemal Zaimi u konfirmua në detyrë nga KPK më 10 dhjetor 2012 dhe vendimi mori formë të prerë.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka konstatuar se gjyqtarja Zaimi nuk ka kryer deklarim të saktë dhe se ka mungesë dokumentacioni justifikues ligjor lidhur me burimin financiar për huamarrjen në shumën 4.7 lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 98.3 m2 në Tiranë në vitin 2013 kundrejt çmimit 12.4 milionë lekë.

Relatori Ilia sqaroi se subjekti në deklaratën ‘veting’ ka pasqyruar si burim krijimi të kësaj pasurie të ardhurat e kursyera nga paga e saj dhe e bashkëshortit në shumën 7.5 milionë lekë; të ardhurat nga interesi i bonove të thesarit në shumën 300 mijë lekë; si dhe një kredi në shumën 4.7 milionë lekë të marrë në vitin 2014.

Ndërkohë, në deklaratën periodike të vitit 2013, ka deklaruar si burime të ardhurat e investuara në bono thesari në shumën 6,9 milionë lekë; të ardhurat e kursyera nga paga gjatë vitit 2013 në shumën 900 mijë lekë dhe një hua në vlerën 4.7 milionë lekë.

Megjithëse subjekti në deklaratën ‘veting’ nuk ka pasqyruar si burim huanë e marrë nga shtetasi F.T. për blerjen e këtij apartamenti, ajo e ka deklaruar atë tek seksioni  ‘detyrime financiare’.

KPK ka hetuar lidhur me huadhënien, prej nga ka rezultuar se në dhjetor të vitit 2013 në llogarinë e subjektit është depozituar shuma 33 mijë e 500 euro prej shtetasit F.T. Kjo shumë është tërhequr nga bashkëshorti i subjektit një ditë pas depozitimit.

Për këtë transaksion, subjekti ka paraqitur si provë një deklaratë noteriale të janarit 2014, në të cilën deklarohet se F.T. i ka dhënë hua pa interes shumën 4.7 milionë lekë në dhjetor të 2013-ës. Në deklaratë është shënuar se shlyerja do të kryehet me marrjen e një kredie bankare. Sipas Komisionit, shlyerja e huasë është vërtetuar nga dokumentacioni për një transfertë bankare të marsit 2014 të vlerës 4 milionë e 664 mijë lekë, e depozituar në llogarinë e F.T..

Komisioni ka hetuar dhe për mundësinë e huadhënësit për kursimin e vlerës 33 mijë e 500 euro, prej nga ka rezultuar se ai zotëron aktivitet në fushën e ndërtimit dhe ka pasur të ardhura të mjaftueshme.

Komisioni konstaton pamundësi për një pjesë të investimeve të kryera në vite në bono thesari, që janë deklaruar si burime për blerjen e apartamentit. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti i saj, ka blerë bono thesari të cilat janë maturuar ndër vitet 2007-2013.

Sipas relatimit, ka rezultuar balancë negative në vlerën 425 mijë lekë për krijimin e shumës 500 mijë lekë të investuar në vitin 2007, si dhe ka rezultuar pamundësi për investimin në bono thesari në maj të 2008-ës në vlerën 900 mijë lekë.

Sipas Ilias, balanca negative për vlerën 500 mijë lekë ka ardhur pasi Zaimi nuk ka deklaruar gjendje cash në vitin 2006. Nisur nga ky konstatim, nuk janë përfshirë në analizën financiare të ardhurat cash të pretenduara nga viti 2006.

Nga analiza financiare për gjithë investimet në bono thesari ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 1.1 milionë lekë, që përfaqëson mungesat në maj të vitit 2007 dhe në maj të 2008-ës. Për rrjedhojë, Komisioni i ka kaluar Zaimit barrën e provës për mungesë të burimeve për blerjen e apartamentit.

Gjyqtarja Zaimi kërkoi që në vitin 2006 të përfshihet si burim vlera 500 mijë lekë, megjithëse nuk ishte deklaruar në atë vit si kursim. Zaimi solli si argument faktin se e kishte deklaruar në vitin 2007 se kishte pasur kursime të atij viti dhe të 2006-ës. Ajo theksoi se ky fakt ishte deklaruar atëherë edhe para ILDKPKI-së dhe kërkoi që vlera 500 mijë lekë të konsiderohet si burim dhe jo si diferencë negative.

Lidhur me mungesën e shumës 900 mijë lekë në vitin 2008, Zaimi kërkoi që të konsiderohej si pamundësi vetëm balanca negative rreth 207 mijë lekë dhe e jo e gjithë vlera. Ajo shtoi se provonte me anë të dokumentacionit bankar që në fund të vitit 2008 kishte pasur gjendje në shumën 800 mijë lekë dhe se e mbulonte mungesën financiare.

Komisioni ka gjetur pamundësi të subjektit dhe bashkëshortit të saj edhe për për blerjen e një autoveture të llojit Peugeot në vitin 2010 në vlerën 172 mijë lekë. Nga analiza financiare për krijimin e kësaj pasurie ka rezultuar balancë negative në shumën 236 mijë lekë.

Gjyqtarja Zaimi pretendoi se për shkak të kohës së gjatë nuk kishte mundur të siguronte prova për të mbuluar balancën negative në blerjen e makinës. Ajo theksoi se kjo pasuri ishte blerë me të ardhurat nga pagat e saj dhe të bashkëshortit dhe kërkoi që të kryhet vlerësimi bazuar në parimin e proporcionalitetit.

Nga hetimi administrativ nuk janë gjetur probleme të tjera në kriterin e pasurisë.

Pavarësisht balancave negative të konstatuara për burimet që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit dhe makinës, nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016, KPK konstaton pamjaftueshmëri totale në shumën 115 mijë lekë.

Pyetjet për profesionalizmin 

Gjyqtarja Zaimi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që për profesionalizmin u evidentuan gjetje lidhur me tejkalim të afteve në shqyrtimin e proceseve gjyqësore, si dhe u pyet lidhur me një denoncim ku pretendohej se subjekti kishte shqyrtuar një çështje jashtë kompetencave tokësore, si dhe kishte pyetur fëmijën e mitur pa i marrë leje nënës.

Në një rast, ka rezultuar se gjykimi ka zgjatur për 3 vjet e 10 muaj, duke e tejkaluar afatin standard 6-mujor. Në një çështje tjetër të shqyrtuar prej KPK-së, është konstatuar numër i madh i seancave përgatitore që nuk kanë qenë produktive. Sipas relatorit Ilia, subjekti nuk ka bërë përpjekje shteruese për ta njoftuar palën paditëse. “Nga shtatë seanca përgatitore, pesë prej tyre nuk kanë qenë produktive,” evidentoi Ilia dhe shtoi se kjo situatë ka sjellë zvarritjen e procesit tej afatit të arsyeshëm.

Gjyqtarja Zaimi sqaroi në seancë se shtyrja e 5 seancave përgatitore kishte ndodhur për shkak të pamundësisë së njoftimit të palëve. “Shtyrja ka qenë për shkaqe objektive dhe jo për shkak të mosorganizimit të mirë të gjykatës,” pohoi Zaimi.

Lidhur me çështjen shqyrtimi të cilës kishte zgjatur afro katër vjet, Zaimi shpjegoi se ajo e kishte marrë nga ish-gjyqtari i mëparshëm, pasi kishin kaluar më shumë se dy vjet.

Ajo pretendoi se shtyrjet kishin ndodhur më së shumti për shkak të pamundësisë së njoftimit të palëve, duke fajësuar zinxhirin e institucioneve që e kryejnë këtë procedurë. Gjithashtu, Zaimi vërejti se mungon një regjistër i saktë adresash.

Denoncuesja E.L. ka pretenduar se Zaimi ka shtyrë një proces për zgjidhje martese për pamundësi të njoftimit të palës paditëse, megjithëse duhej të kishte pushuar çështjen pasi kishte filluar një gjykim tjetër në Itali ku dhe jetonin palët. Sipas denoncueses, kur palët jetonin në Itali, nuk kishte pse të zhvillohej një proces paralel edhe në Shqipëri.

Gjithashtu, ajo është ankuar për mënyrën e intervistimit të vajzës së saj të mitur pa i marrë leje. Sipas denoncueses, psikologia e ka zhvilluar intervistën nëpërmjet skype, por pa konstatur se në çfarë gjuhe.

Zaimi pohoi se seancat për çështjen e denoncuar ishin shtyrë, pasi pala paditëse nuk arrihej të kontaktohej në adresën e shënuar prej vetë atij. Lidhur me pretendimin se çështja duhej zgjidhur në shtetin fqinj, ajo deklaroi se nuk parashikohej në ligjin shqiptar diçka e tillë.

Relatori Ilia solli në vëmendje të subjektit se legjislacioni shqiptar e përcakton kompetencën tokësore, ku parashikohet si gjykatë kompetente ajo ku është adresa e fundit e palëve. “Të dy e kanë pasur në Itali adresën. Ku e gjetët kompetencën,” pyeti Ilia.

Zaimi u mbrojt duke argumentuar se ishte bazuar në adresën e fundit që kishin pasur palët në Shqipëri, pasi ata vazhdonin të ishin shtetas shqiptarë. Ajo shtoi se gjatë procesit gjyqësor pala e paditur nuk kishte dorëzuar asnjëherë kërkesa procedurale lidhur me këtë pretendim. Sipas subjektit, denoncuesja nuk kishte ngritur pretendime në gjykim as për intervistimin e së bijës.

“Kjo denoncuese i është drejtuar edhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe kam dorëzuar si provë vendimin e këtij institucioni, që nuk rezulton të ketë gjetur shkelje,” pohoi Zaimi.

Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs i kërkoi gjyqtares Zaimi që në të ardhmen të jetë më e kujdeshme në plotësimin e deklaratave, si dhe konstatoi se drejtësia e vonuar nuk ishte drejtësia e duhur.

Në fund të seancës, gjyqtarja Zaimi kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më datë 9 dhjetor, ora 09:45.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *