Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Hetime të cekëta dhe pasuria e pajustifikuar sollën shkarkimin e Elsion Sadikut

Mosjustifikimi i kursimeve të bashkëshortes dhe problemet me dy hetime, penalizuan para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit prokurorin Elsion Sadiku, i cili u shkarkua për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit te drejtësia.

Prokurori Elsion Sadiku gjatë seancës dëgjimore | Foto nga : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 27 korrik shkarkimin e prokurorit Elsion Sadiku, pasi hetimi administrativ ndaj tij gjet pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe mangësi në hetimin e dy çështjeve.

Sadiku, prokuror në Prokurorinë e Korçës ishte përfshirë në listën prioritare për shkak të kandidimit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se ndërsa analiza e pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit dhe ajo nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk gjetën probleme, hetimi i Komisionit e gjeti Sadikun të papërshtatshëm në dy kritere.

Në vendimin e zbardhur rezulton se treshja e KPK e kryesuar Brunilda Bekteshi,  me relator Olsi Komici dhe anëtar Lulzim Hamitaj, gjeti që Sadiku nuk mund të justifikonte kursimet e bashkëshortes  para korrikut 2009 dhe për rrjedhojë një sërë transaksionesh që ishin bazuar mbi këto kursime, përfshi blerjen e disa paisjeve për një klinikë dentare private.

Ai po ashtu kishte deklaruar dy herë të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës, kishte të tjera pasaktësi në deklarimin e të ardhurave të bashkëshortes, ndërsa një analizë financiare e depozituar prej vetë prokurorit  para seancës dëgjimore dilte në përfundimin se atij i kishin munguar 1.7 milion lekë për shpenzimet në vitin 2013.  “Ka pasaktësi në deklarimin e burimeve financiare, deklarim të pamjaftueshëm të të ardhurave, si dhe ka burime financiare të paligjshme e, për rrjedhojë, ka burime financiare të ligjshme të pamjaftueshme për kryerjen e investimeve përkatëse”, thuhet në vendimin e zbardhur.

KPK gjeti po ashtu mangësi në hetimet e kryera nga prokurori. Në një hetim pas një denoncimi ndaj një dekani të Universitit të Korçës, KPK thotë se Sadiku nuk kishte kryer hetim të thelluar sa i përket një denoncimi që pretendonte se dy diploma të lëshuara në Bullgari ishin false. Po ashtu sipas KPK-së, pushimi pa hetuar i një kallëzimi për ekspertizë të falsifikuar në një gjyq civil, tregonte mangësi profesionale.

Sa i përket pasurisë Sadiku u mbrojt duke pranuar se nuk mund të sillte dokumente provuese për të ardhurat e bashkëshortes para se ata të lidheshin në martesë, megjithëse paraqiti deklarata noteriale të punëdhënësit të saj. Ndërkohë sa i përket dyshimeve mbi profesionalizmin, ai i mbrojti vendimet që kishte marrë duke i thënë Komisionit se në të dy rastet, hetimet përtej asaj që ai kishte bërë nuk kishin qenë të nevojshme.

Lexo edhe:

Prokurori i Korçës Elsion Sadiku shkarkohet nga detyra

KPK ngre pikëpyetje mbi profesionalizmin dhe pasurinë e prokurorit nga Korça

 

Hetimi i pasurisë

Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se problemet për prokurorin Sadiku filluan pasi Komisioni nuk i njohur 1 milion lekë si kursime të bashkëshortes para vitit 2009. Në vendim del se një pjesë e këtyre parave 7500 euro ishin përdorur për të blerë paisje për një klinikë stomatologjie, ndërsa pjesa tjetër ishin investuar më vonë në veprime të tjera të çiftit. Pamundësia për të justifikuar pasjen e kësaj shume krijoi po ashtu boshlliqe në transaksionet e tjera të prokurorit.

KPK thotë se i kishte kërkuar informacion Sadikut për të dokumentuar punën e të shoqes, por në përgjigje ai ka pranuar se nuk kishte të tillë. Sadiku thotë se bashkëshortja kishte punuar me pagesë prej vitit 2007 në një klinikë stomatologjie, por për këtë kohë ajo nuk kishte qenë e siguruar e për rrjedhojë nuk kishte dokumente për të provuar pagesat.

Sadiku paraqiti sidoqoftë tre akte noteriale, përfshi ish-punëdhënësin e të shoqes dhe dy pacientë të saj, por KPK nuk i mori parasysh në arsyetim këto dokumente. Në arsyetim KPK thuhet se për sa kohë nuk ishin paguar tatime këto të ardhura nuk mund të konsideroheshin të ligjshme. Ata e cilësuan deklarimin e Sadikut të pasaktë, ndërsa thanë se çifti nuk kishte pasur mundësi të investonte në klinikën private.

Pas kësaj prokurorit iu gjetën dhe një sërë pasaktësish të tjera në shuma relativisht jo të mëdha, por që sipas KPK-së mjaftonin për të bindur Komisionin për deklarim të pamjaftueshëm. Në vendimin e zbardhur del se ai kishte deklaruar më shumë se 300 mijë lekë më shumë se sa kishte përfituar nga Shkolla e Magjistraturës, kishte deklaruar rreth 100 mijë lekë më shumë se sa bashkëshortja ishte paguar pas vitit 2009, kishte probleme me deklarimin për blerjen e një makine dhe një shitje automjeti më herët, e të ngjashme.

Ai po ashtu rezultoi se nuk kishte mundësi të justifikonte shpenzimet për porositjen e një shtëpie, në shumën prej rreth 300 mijë lekësh. Sipas KPK-së subjekti kishte mungesë të ardhurash për vitet 2011 dhe 2013 dhe ndërsa Komisioni gjeti në analizën financiare se mungonin rreth 580 mijë lekë, vetë Sadiku në një analizë të dorëzuar prej tij e kishte nxjerrë shumën rreth 1.7 milion lekë.  “Nga analiza financiare rezulton se për vitet 2011 dhe 2013 subjekti, me të ardhurat e fituara nga pagat e tij dhe të bashkëshortes, huamarrjet, kreditë, dhuratat, nuk ka pasur burime të mjaftueshme financiare për kryerjen e investimeve të deklaruara, si dhe për shpenzimet e kryera”, thuhet në vendim.

Megjithëse shumat e gjetura si problematike nga KPK janë relativisht të vogla, pasaktësitë kanë rënduar Sadikun i cili në fund është gjetur se kishet bërë deklarim të pamjaftueshëm.

Hetimi profesional

Ndërsa nuk kishte probleme në kriterin e figurës Elsion sadiku u gjet i papërshtatshëm profesionalisht. Sadiku sipas KPK-së kishte mangësi në dy prej hetimeve që u shqyrtuan nga Komisioni për të vlerësuar atë profesionalsiht.

Ndryshe nga kriteri i pasurisë ku prokurori u mbrojt vetëm duke pranuar mungesën e dokumentacionit provues, në këtë rast ai ka qëndruar pas vendimeve të marra, duke u përpjekur të argumentojë se kishte vendosur drejt.

Vendimi i zbardhur tregon se KPK e panalizoi atë për mos hetim të thelluar të një denoncimi ndaj dy pedagogëve të Universiteit të Korçës. Denoncimi pretendonte se pedagogët kishin falsifikuar marrjen e dy diplomave në një universitet publik në Bullgari, pavarësisht se nuk njihnin bullgarishten.

Sadiku e kishte pushuar hetimin për këtë rast dhe i tha KPK-së se vendimi ishte marrë pas konfirmimit nga autoritete bullgare se diplomat e marra nuk ishin false. Sadiku argumentoi se me marrjen e dokumentit zyrtarë verifikimi i dëshmive të gjuhës për pedagogët nuk kishte sipas tij ndonjë vlerë, pasi edhe nëse kishte probleme me to hetimet duhej të zhvilloheshin në Bullgari ku ato sidoqoftë ishin pranuar. “Fakti që në dosje nuk është administruar një dokument që të provonte njohjen e gjuhës angleze, nuk vë në dyshim diplomat objekt hetimi, por vë në dyshim seriozitetin e universitetit ku kanë studiuar dy pedagogët në fjalë”, thuhet në arsyetim.

Por KPK arsyetoi se hetimi në këtë rast ishte i mangët. “Nga subjekti nuk janë kryer hetime të plota e shteruese”, thuhet në vendimin e zbardhur, ndërsa arsyetohet se dy të hetuarit kishin depozituar në dosjen e hetimit dëshmi të gjuhës ruse dhe italiane, por jo dëshmi të gjuhës angleze edhe pse në këtë rast kjo e fundit kërkohej.

KPK thotë se prokurori duhej të kishte hetuar nëse dy pedagogët kishin falsifikuar dokumente për t’i paraqitur në universitetin bullgar dhe nëse diplomat ishin përfituar n ë mënyrë abuzive. “Për më tepër, nga subjekti nuk është hetuar në lidhje me intensitetin dhe periudhat kohore të ndjekjes së masterit nga këta dy shtetas, të cilët në deklarimet e tyre deklarojnë se studimet i kanë ndjekur pa shkëputje nga puna”, thuhet në vendim.

Në një rast të ngjashëm Sadiku sipas KPK-së kishte mbyllur pa kryer hetimin e duhur pas një kallëzimi për ekspertizë të rremë që ishte paraqitur në një gjyq civil. Sipas venidmit të zbardhur kallëzuesi kishte paditur në gjykatë vendimin e prokurorit dhe kishte fituar në dy shkallë, të cilat kërkonin që Sadiku të kryente hetimet.

Në argumentimin e tij Sadiku u mbrojt duke thënë se ekspertiza ishte vlerësuar e saktë në gjyqin civil i cili kishte marrë tashmë formë të prerë dhe se prokuroria nuk mund të hetonte një vendim gjykate.

Por KPK gjeti në këtë rast mangësi në hetimin e çështjes. Sipas vendimit të zbardhur prokurori kishte vendosur mosfillimin pa kryer asnjë veprim. “Madje nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që do të çonte në një analizë të plotë e, për pasojë, në një përfundim të saktë për faktet”, thuhet në vendim.

KPK arsyeton se vendimi i Sadikut u kishte mohuar kallëzuesve të drejtën “që të rishihej vendimi civil” i marrë bazuar në ekspertizën e cilësuar prej tyre si e rreme. Në fund KPK e cilësoi atë të papërshtatshëm profesionalisht.

“Subjekti i rivlerësimit, me vendimmarrjen e tij ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, ai rezulton të ketë kryer hetime të cekëta, jo të thelluara dhe jo të plota”, thuhet në konkluzionin e KPK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *