Hetimet e paplota dhe pasuria, çuan në shkarkimin e prokurorit Ndini Tavani

Analiza dhe Opinione
Shumica në KPK shprehet në vendimin e zbardhur se prokurori Ndini Tavani, u gjet me probleme të pasurisë, ndërsa mos kryerja e një sërë veprimesh hetimore në disa dosje u cilësua si “cënim i besimit të drejtësia”. Një anëtar i trupës gjykuese kundërshtoi shkarkimin.

Prokurori Ndini Tavani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shprehet në vendimin e zbardhur disa ditë më parë se shumica kishte gjetur një sërë problemesh në pasurinë e prokurorit Ndini Tavani, i cili kishte rezultuar me bilanc negativ financiar për disa vite, ndërsa i kishte dhënë Komisionit qëndrime të ndryshme.

KPK, që vendosi me shumicë të shkarkojë Tavanin më 11 tetor, shpjegon në vendimin e zbardhur, se pas hetimit të një sërë denoncimesh ndaj tij u gjetën dosje me hetime të paplota dhe u verifikua në mënyrë të përsëritur moskryerja e veprimeve hetimore.

Shumica e përbërë nga Alma Faskaj dhe Brunilda Bekteshi, arriti në përfundimin se këto mosveprime nuk vinin për shkak të paaftësisë, por ishin të qëllimta.

“Dëshmojnë për sjellje të tij në mospërmbushje të detyrës në pozicionin e prokurorit, duke cënuar në këtë mënyrë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendimin e zbardhur sëfundmi.

Ndërkohë në pakicë anëtari i KPK-së Roland Ilia kundërshtoi vendimin e kolegeve dhe arsyetoi se edhe në rastet kur ishin konstatuar shkelje ato nuk ishin të atilla që të çonin drejt shkarkimit. Ilia arsyetoi se as në kriterin e pasurisë dhe as në atë profesional nuk kishte probleme të tilla që mund të sillnin shkarkimin.

“Shkeljet e konstatuara nuk përbëjnë fakte dhe rrethana për të ndikuar në shkarkimin e subjektit nga detyra”, shprehet Ilia, që në një rast propozoi se vendimi mund të kishte shkuar për procedim disiplinorë.

Tavani i ka kundërshtuar gjetjet e KPK-së në të dy kriteret duke kërkuar marrjen parasysh të pasaktësive në deklarimin e parë të pasurisë. Ai pretendoi që t’i konsideroheshin të ardhura prej kohës që kishte punuar si asistent avokat dhe kundërshtoi disa prej elementeve të analizës financiare të KPK. Ai po ashtu kundërshtoi gjetjet e shumicës në kriterin e profesionalizmit, duke arsyetuar se një pjesë e çështjeve për të cilat ishte denoncuar në KPK ishin ende në proces. Ai po ashtu këmbënguli se nuk kishte kryer shkelje.

Ndini Tavani ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ka ushtruar profesionin e avokatit në vitet 2003-2004. Më pas, ai ka vazhduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vitit 2007 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës, Vlorë dhe Tiranë.

Hetimi i pasurisë

Shumica në KPK arriti në përfundimin se prokurori Ndini Tavani kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm për disa prej pasurive të tij. Shumica iu referua kryesisht burimit të ligjshëm të një shume prej 2.5 milion lekë e cila kishte shërbyer më pas në krijimin e disa pasurive, përfshi blerje makine dhe apartamenti.

KPK siç del nga vendimi analizoi pagesën e tatimeve për të ardhurat e Tavanit nga puna si avokat për dy vite. Sipas shumicës, Tavani kishte fituar rreth 1.6 milion lekë dhe se kjo sasi nuk ishte e mjaftueshme për të krijuar kursime në shumën 2.5 milion lekë. Duke përfshirë të ardhurat e tjera shumica e gjeti Tavanin me minus 670 mijë lekë në vitin 2016 kur ai i kishte përdorur këto para në blerjen e një apartamenti.

Nga vendimi rezulton se fillimisht Tavani kishte pretenduar se deklarimet në tatimet e Beratit për dy vitet në shumat 375 mijë dhe 1.2 milion ishte bërë mbi qarkullimin prej 2 milion lekësh. Kjo linte të kuptohej se qarkullimi real kishte qenë 2.3 milion dhe 3.2 milion. Të njëjtën gjë konfirmoi edhe Drejtoria e Tatimeve në Berat. Por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i përgënjeshtroi të dy qëndrimet. Sipas këtyre të fundit shumat e deklaruara tregonin qarkullimin dhe nuk i shtoheshin ndonjë baze prej 2 milionësh të pretenduar nga Tavani dhe Drejtoria e Tatimeve në Berat.

Sipas KPK Tavani kërkoi që të mos merrej parasysh deklarata e para fillimit të detyrës, por ajo veting, në të cilën shuma e pretenduar si e përfituar nga avokatia ishte në 1.8 milion lekë, që përfshinte 1.5 milion si avokat dhe disa shuma të marra nga gjykata dhe prokuroria. Tavani shpjegoi se shuma shkonte në 2.5 milion lekë nëse llogariteshin edhe të ardhurat nga puna si asistent avokat në vitin 2002 dhe të ardhurast nga Shkolla e magjistraturës.

Por shumica në KPK i cilësoi të pa paprovueshme pretendimet e prokurorit.

Shumica arsyetoi se pretendimi se jo të gjitha paratë ishin kursyer nga puna si avokat në dy vite, si pretendime që ishin bërë vetëm pas vënies në dijeni për konstatimeve nga KPK. Shumica këmbënguli se Tavani nuk shpjegonte dot shumën prej 2.5 milionësh të deklaruara nga puna si avokat në vitin 2006 dhe diferencën me shumën prej 1.8 milionësh të deklaruar në veting po për të njëjtën kohë.

Ata arsyetuan se vetë Tavani edhe gjatë procesit të rivlerësimit kishte pretenduar se kishte qarkulluar shuma më të mëdha parash se sa ato të deklaruara në formularët tatimorë, gjë që ishte përgënjeshtruar nga DPT. “Nga ana tjetër, përveç sa sipër arsyetuar, por edhe fakti që subjekti ndryshoi qëndrim në deklarimet e tij pas njohjes me rezultatet e hetimit, bën të pabesueshëm nivelin e  provueshmërisë së shumës 2 500 000 lekë, gjendje cash, me burim krijimi të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës dhe nga avokatia”, shprehet shumica.

Në pakicë Roland Ilia e cilësoi si të padrejtë arsyetimin e shumicës duke u shprehur se puna e tij si asistent avokat provohej dhe se pavarësisht se nuk kishte dokumentacion për të provuar pagesën e tatimeve duhej të ishte marrë në konsideratë.  Ai po ashtu kërkoi të mbahej parasysh edhe fakti që këto të ardhura ishin bërë para fillimit të punës si prokuror dhe se në plotësimin e deklaratës së parë subjekti mund të kishte pasur vështirësi.

Në kriterin e pasurisë Tavani u penalizua po ashtu për shkak të paqartësive që dilnin në lidhje me një kredi dhe një makinë të blerë në vitin 2009. Shumica arsyetoi se ai kishte bërë deklarim të pasaktë për pakësimin e gjendjes cash, ndërsa po ashtu vuri në dukje disa ndryshime në qëndrim.

Në pakicë Ilia vuri në dukje se një shumë prej 5200 eurosh e vendosur në bankë në vitin 2009 duhej konsideruar si kursim i vitit 2008, siç ishte deklaruara nga Tavani, por shumica nuk e pranoi këtë arsyetim.

Madje sipas shumicës nëse merrej parasysh ky qëndrim, i cili përmirësonte analizën financiare të Tavanit në vitin 2009, do të rritej bilanci negativ në vitet pasardhëse. “Nga ana tjetër ky pakësim i gjendjes cash të vitit 2009 prej 5 200 euro, do të reflektohej në shumën cash e mbledhur deri në vitin 2016, kohë në të cilën subjekti do të rezultonte me më pak gjendje cash në dispozicion (5 200 euro më pak) për të investuar në këstin e dytë të pasurisë nr. 1  (apartament)”, arsyeton shumica. Sipas saj edhe duke u nisur nga pretendimi i Tavanit dhe ai i anëtarit në pakicë në fund balanca negative për vitin 2016 do shkonte në 1.3 milion lekë.

Tavani ndërkohë duket se e ka futur veten në telashe edhe me deklarimin e tij në deklaratat periodike se kishte ndihmuar prindërit në blerjen e një shtëpie dhe se zotëronte aty 1/3-tën. KPK arsyetoi se ai nuk provonte dot shumën me të cilën kishte ndihmuar dhe arsyetoi se nëse ai kishte investuar 1/3 e apartamentit bilanci i tij negativ rritej në 2.1 milion.

Në deklarime Tavani kundërshtoi arsyetimin dhe pretendoi se kontributi i tij kishte qenë modest dhe më shumë moral, por shumica që hetoi pas kësaj pasurinë e prindërve të tij pretendoi se ata rezultonin me bilance negative në vlera të konsiderueshme. Sipas shumicës pretendimet e Tavanit për të ardhurat e prindërve mbetën deklarative dhe se ai nuk shpjegoi dhe nuk provoi se cila ishte shuma që kishte kontribuar në blerjen e apatamentit.

Duke përmbysur këtë arsyetim anëtari në pakicë shprehet se derisa nuk ishte provuar cila ishte pagesa e tavanit për apartamentin dhe as nëse ai kishte dhënë kontribut, prindërit e tij nuk duhej të konsideroheshin persona të lidhur. Ilia po ashtu pretendoi se përndryshe nga sa arsyetonte shumica të ardhurat e prindërve të prokurorit ishin të dokumentuara dhe jo deklarative.

Hetimet e pakryera

KPK rrëzoi një raport të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar sipas të cilit Tavani ishte përfshirë në një akt korrupsioni mbi një dosje që kishte në hetim. KPK tha se pretendimi nuk provohej, ndërsa arsyetoi se prokurori kishte kërkuar dhe marrë nga gjykata masa të ashpra sigurie për personin me të cilin akuzohej se kishte favorizuar.

Megjithatë hetimi i një sërë denoncimesh sipas shumicës nxorri se Tavani nuk kishte kryer veprimet e duhura hetimore në disa raste. KPK vë në dukje në vendim mos hetimin e një mjeku të dyshuar për korrupsion dhe të publikuar në emisionin Stop në Tv Klan.

Sipas shumicës Tavani nuk kishte marrë në pyetje disa persona, përfshi drejtuesit e emisioni dhe as nuk kishte kryer ekspertizë të videos, por kishte pushuar hetimet duke u nisur vetëm nga dëshmitë e të afërmve të pacientit se atyre nuk i ishin kërkuar para.

Shumica arsyetoi se pretendimete Tavanit se nuk provohej korrupsioni, pasi familjarët e pacientit kishin mohuar se u ishte kërkuar shpërblim, nuk qëndronte për sa kohë hetimet nuk kishin qenë të plota.

Ngjashëm shumica arsyetoi edhe në disa çështje të tjera. Dy anëtaret u bazuan edhe në disa vendime gjykate, përfshi atë të Apelit, të cilat kishin prishur ndërkohë vendimet e Tavanit për të pushuar hetimet dhe i kishin lënë prokurorisë detyra në këto çështje.

Shumica arsyetoi se në dy raste Tavani kishte vendosur ndryshimin e Oficerëve të Policisë Gjyqësore, që kishin punuar në këtë çështje vetëm pasi ishte vënë në dijeni të rezultateve të hetimit nga KPK, edhe pse për ta kishte pasur akuza nga palët.

Në një rast KPK akuzoi Tavanin për shtyrjen e hetimeve pa arsye të dukshme apo mbylljen e tyre pa kryer veprimet hetimore që vetë prokurori kishte kërkuar të kryheshin dhe pa dhënë shpjegime rreth këtyre situatave.

Shumica arsyetoi se në një rast dosja e një notereje të akuzuar për falsifikimi ishte kaluar Tavanit për hetime të mëtejshme, pasi ishte ndarë nga një dosje me dy të pandehur të tjerë, por edhe pse kishte shtyrë disa herë atë prokurori nuk kishte kryer hetime dhe në fund e kishte pushuar dosjen edhe pse falsifikimi ishte konstatuar me aktekspertimi që nga hetimi i parë i çështjes nga një koleg i tij.

“Subjekti nuk arriti të provojë bindshëm se cilat ishin arsyet e mospërmbushjes së detyrës së lënë nga eprori i tij në vendimin e veçimit të çështjes së ngarkuar”, thuhet në arsyetimin e shumicës, ku bëhet me dije se për të dëshmuar ishte thirrur e akuzuara për falsifikim, por jo kallëzuesin e saj.

Në pakicë Ilia tha se gjetjet nuk ishin të tilla që të sillnin shkarkimin. Ai arsyetoi se nga 31 denoncime vetëm disa ishin gjetur me probleme dhe se kjo tregonte se “shkeljet e konstatuara, të cilat kryesisht pasqyrohen të natyrës procedurale, nuk mund të ndikojnë në vendimmarrjen e shkarkimit të subjektit nga detyra”.

Ilia iu bashkua shumicës vetëm në arsyetimin mbi rastin e noteres, ku ai pranoi se mangësitë ishin të tilla që mund ta çonin çështjen për procedim disiplinorë. Sipas anëtarit në pakicë fakti që Tavani i kishte ankuar prishjen e vendimeve të veta dhe që çështjet ishin në hetim apo në gjykim, duhej të kishte kufizuar KPK të mos dilte me vendim shkarkimi për to.

Përndryshe, trupa gjykuese në shumicë, arsyetoi se mangësitë nuk vinin nga mungesa e profezionalizmit dhe se fakti që vendimet e Tavanit ishin prishur në mënyrë të përsëritur prej gjykatave, dëshmonin se ai nuk kishte përmbushur detyrën e prokurorit duke cënuar besimin e publikut te drejtësia. Shumica vendosi ta shkarkonte Tavanin për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit te drejtësia.