Huaja e padeklaruar solli shkarkimin e kreut të Apelit të Gjirokastrës, Alfred Agolli
Analiza

Huaja e padeklaruar solli shkarkimin e kreut të Apelit të Gjirokastrës, Alfred Agolli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit argumenton se shkarkimi i prokurorit Agolli u vendos për shkak të mosdeklarimit të një huaje për blerjen e një apartamenti në Gjirokastër si dhe për problemet profesionale, ndërkohë që një raport negativ i DSIK u rrëzua si i pabazuar.

Kreu i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, Alfred Agolli gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Foto: LSA 

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e përbërë nga kryesuesja Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Olsi Komici vendosën më 8 korrik 2019 që të shkarkojnë nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Gjirokastër, Alfred Agolli. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, shkaku kryesor i shkarkimit ishte një hua e padeklaruar prej 3 milionë lekësh për blerjen e një apartamenti në Gjirokastër si dhe “deklarimet kontradiktore” të subjektit në lidhje me këtë hua.

Komisioni ka identifikuar edhe problemet në kriterin e profesionalizmit për ish-kreun e Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, ndërkohë që një raport i DSIK-së për papërshtatshmëri u rrëzua si e paprovuar nga trupa gjyqësore.

Alfred Agolli e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998 dhe ka ushtruar funksionin fillimisht në prokurorinë e Gjirokastrës. Në vitin 2008, Agolli është emëruar drejtues i Prokurorisë së Sarandës ndërsa në vitin 2013 është promovuar drejtues i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës.

Huaja e padeklaruar

Në vendimin e arsyetuar, Komisioni arrin në përfundimin se shpjegimet e prokurorit Agolli në lidhje me huanë për blerjen e apartamentit të banimit me sipërfaqe 68.5 m2 në Gjirokastër nuk përputhen me të dhënat e administruara gjatë hetimit administrativ.

Në deklaratën veting, ai kishte shënuar se ky apartament ishte blerë në shumën 3 milionë lekë në vitin 2007 dhe se likuidimi ishte kryer me lëvrimin e një kredie nga “Raiffeisen Bank”. Komisioni konstaton se regjistrimi i kësaj kontrate, referuar kartelës së apartamentit është bërë në datën 20 qershor 2007 dhe në po të njëjtën ditë është lëshuar certifikata për vërtetimin e pronësisë.

Në dokumentacionin e kredisë, Komisioni ka identifikuar një deklaratë të subjektit ku tregohej se i ka marrë hua në shumën 3 milionë lekë shtetasit N.Dh.. Në deklaratë përcaktohet se shuma do të likuidohej pas marrjes së kredisë në “Raiffeisen Bank”, por sipas Komisionit, subjekti nuk e ka deklaruar këtë hua.

Komisioni ka konstatuar mospërputhje të datave të likujdimit të apartamentit dhe e ka konsideruar të pavërtetë deklarimin e subjektit se çmimi i shitjes është paguar më 22 qershor, kur është lëvruar kredia.

“Ligjërisht subjekti i rivlerësimit është bërë pronar i apartamentit që në datën 20 qershor 2007 dhe nuk kishte asnjë pengesë ligjore për ta vendosur atë në hipotekë, në favor të ‘Raiffeisen Bank,’ citohet në vendim.

Komisioni ka verifikuar gjendjen e llogarisë bankare të huadhënësit N.Dh. dhe të bashkëshortes së tij R.Dh., nga ku ka rezultuar se prej tyre nuk është kryer asnjë veprim bankar në datat 21 dhe 22 qershor 2007 dhe se nuk kanë pasur në gjendje vlerën 3 milionë lekë. Nisur nga këto të dhëna, Komisioni konsideron se deklarimet e Agollit nuk përputhen me të dhënat e administruara.

Në vendim thuhet se prokurori Agolli e ka ndryshuar deklarimin e tij në lidhje me datën e marrjes së kësaj shume hua dhe ka pohuar se e ka marrë në datën 20 qershor 2007. Komisioni konstaton se deklarimi i Agollit në lidhje me kohën e pagimit të çmimit dhe burimit për pagimin e vlerës së apartamentit nuk përputhet me deklarimin e tij në deklaratën veting ku ka shënuar se: “Çmimi i shitjes është likuiduar në datën 22.6.2016, ditën kur është lëvruar kredia.”

“Subjekti i rivlerësimit deklaron se me shumën 3,000,000 lekë ka paguar shitësin e apartamentit, pasi ai nuk pranonte të firmoste kontratën, ndërkohë në kontratën e shitjes në nenin me emërtim ‘mënyra e likuidimit’ parashikohet se: çmimi i shitjes do të likuidohet nga blerësi pasi të akordohet një kredi nga ‘Raiffesien Bank’ Gjirokastër,” thuhet në vendimin e KPK-së.

Pas kalimit të barrës të proves, Agolli ka sqaruar para Komisionit se nuk kishte pasqyruar marrjen e huasë në deklaratat periodike dhe në atë veting pasi ishte marrë vetëm për pak ditë dhe kishte harruar. “Subjekti i rivlerësimit nuk ka shpjeguar bindshëm qëllimin e marrjes së huasë në shumën 3,000,000 lekë,” konstaton Komisioni.

Ndërkohë, KPK konstaton se Agolli nuk e vërteton me dokumentacion provues përdorimin dhe kthimin e huasë në shumën 3 milionë lekë. Gjithashtu, nuk provon burimin e ligjshëm të të ardhurave të N.Dh., për vlerën e huasë.

Shpjegimet e Agollit Komisioni i konsideron në nivel deklarativ dhe se ai nuk ka depozituar asnjë provë për të vërtetuar se huaja është marrë në datën 20 qershor 2007 dhe se ajo i është dhënë shitësit të apartamentit.

Për apartamentin, Komisioni konkludon se Agolli ka kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin në lidhje me burimin e ligjshëm që ka shërbyer për blerjen e apartamenti. Ai ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me burimin e ligjshëm të të ardhurave të huadhënësit N.Dh., për dhënien e shumës 3 milionë lekë.

Gjithashtu, Komisioni i vlerësoi si të ndryshme dhe kontradiktore deklarimet e subjektit në lidhje me këtë hua.

KPK rrëzoi raportin e DSIK

DSIK dorëzoi dy raporte lidhur me pastërtinë e figurës së prokurorit Alfred Agolli. Në të parin, të dorëzuar pranë Komisionit më datë 2 nëntor 2017, DSIK nuk identifikonte probleme, ndërsa në raportin e dytë, të dorëzuar më datë 24 prill 2019 konstatonte papërshtatshmërinë e prokurorit Agolli për të vazhduar detyrën.

Sipas raportit të dytë të DSIK, dyshohej se një avokat ka ndërhyrë tek prokurori Agolli për të mundësuar ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” për një klientin e tij. Por Komisioni i ka gjetur të pabazuara dhe të paprovuara dyshimet e DSIK.

“Nuk u provua në ndonjë formë që subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, nuk është i përfshirë, si dhe nuk është i vënë nën presion nga persona të përfshirë në krimin e organizuar, si rrjedhojë ai është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës”, citohet në pjesën e rivlerësimit të figurës të vendimit të KPK-së.

Megjithatë, në vlerësimin e aftësive profesionale, Komisioni ka vlerësuar se hetimet e kryera nga Agolli kishin të meta të tilla, që nuk korrigjohen përmes programeve të trajnimit.

“Të tilla mangësi konsiderohen, moskryerja e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme, mënyra jo korrekte e vlerësimit të fakteve dhe provave, argumentimi jo i plotë dhe jo në përputhje me dispozitat ligjore…,” citohet në vendim. Sipas Komisionit, këto mangësi merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes.

Në përfundim, trupi gjykues i KPK-së konstaton se prokurori Alfred Agolli nuk ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, si dhe në vlerësimin tërësor të çështjes së subjektit të rivlerësimit rezulton se ai ka cënuar besimin e publikut, duke vendosur shkarkimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *