Gjyqtarja Alma Hicka | Foto : LSA
KPK Lajme Në Fokus

Huatë nga prindërit dhe pasuria e të shoqit, vënë në pozitë të vështirë gjyqtaren Alma Hicka

Gjyqtarja Alma Hicka, ish-Avokate e Shtetit dhe kandidate për një vend në Gjykatën e Lartë u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit  me barrë prove për një bilanc negativ prej 10,7 milionë lekësh.

Gjyqtarja Alma Hicka | Foto : LSA

Gjyqtarja Alma Hicka, ish-Avokate e Shtetit dhe kandidate për një vend në Gjykatën e Lartë u përball të mërkurën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në një seancë dëgjimore, që u fokusua kryesisht mbi burimin e ligjshëm të pasurive, që përfshinin një apartament dhe 2 makina.

Komisioni bëri me dije se analiza financiare e nxirrte Hickën, tani gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, me një bilanc negativ prej 10.7 milion lekësh, ndërsa ishin gjetur një sërë mospërputhjesh mes deklarimeve vjetore dhe deklarimeve për vetingun.

Trupa,  që kryesohej nga Etleda Çiftja, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Firdes Shuli,  i kishte kaluar Hickës barrë prove për burimin e pasurisë së prindërve, pasuritë e bashkëshortit dhe mbi dyshimet për konflikt interesi të ngritura nga ILDKPKI.

Hicka i kundërshtoi gjetjet e KPK. Ajo tha se pavarësisht nëse dokumentohej apo jo pagesa e plotë e tatimeve, pasuria e prindërve të saj ishte nga puna e ligjshme. Ajo arsyetoi se deklarimet periodike nuk duhej të konsideroheshin në proces.  Hicka pretendoi se pavarësisht se kishte pasur kohë për të bërë mbrojtjen prej 159 faqesh, KPK nuk i kishte dhënë asaj shpjegime që u kishte kërkuar me postë elektronike.

“Lidhet me faktin që mua më është dashur të imagjinoj cilat janë faktet që duhet të provoj,” tha Hicka, ndërsa shtoi se kjo ishte shkelje e të drejtave për proces të rregullt ligjor.

Hicka ka qenë gjyqtare nga viti 2003 dhe në vitin 2013 u emëruar Avokate e Shtetit, detyrë që e mbajti deri në vitin 2018. Pas dorëheqjes nga posti i Avokates së Përgjithshme të Shtetit, Hicka u emërua nga KLGJ gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.

Hua nga prindërit

Relatorja Xhensila Pine vuri në dukje në relatim se Hicka kishte marrë tre hua nga prindërit e saj. Huaja e parë prej 250 mijë lekë ishte marrë në vitin 2003 për blerjen e një makine. E dyta në shumë 13 mijë euro ishte marrë për blerjen e një makine në vlerën 23.900 euro në vitin 2010. Huaja e tretë në shumën 4.2 milionë lekë ishte marrë në vitin 2015 për të financuar këstet e një apartamenti 90 mijë euro të blerë në Tiranë

Pine tha në të tre rastet se huatë ishin deklaruar në deklarimet periodike, por nuk ishin deklaruar në deklaratën veting. Ajo tha se për këtë i ishin kërkuar shpjegime Hickës.

Po ashtu Pine vuri në dukje se të ardhurat e dokumentuara të prindërve nuk ishin të mjaftueshme për të financuar asnjë nga këto hua. Duke iu referuar huasë prej 4.2 milionë lekë për apartamentin,  Pine tha se nga analiza financiare rezultonte se prindërit e subjektit pa llogaritur shpenzimet  e jetesës kishin pasur deri në atë periudhë më pak të ardhura të ligjshme se vetë huaja.

Ndërkohë pas pretendimeve të Hickës se për huanë e dhënë për makinën ishin përdorur para që prindërit kishin pasur në llogari bankare, Pine tha se pas verifikimit në banka kishte rezultuar se nuk kishte pasur pakësim të gjendjes në llogaritë e prindërve në vitin 2010.

Hicka kundërshtoi pretendimet e KPK se kishte shkelje në mosdeklarimin e huave në deklaratën veting apo deklarimet periodike dhe la të kuptohej se kjo si gjetje kishte qenë e paqartë për të, duke nënkuptuar se nuk kishte një rregull si bëhej deklarimi.

“Duhet të tregojmë se nga buron ky konstatim”, tha ajo duke iu referuar gjetjeve të KPK. “Nëse kam shkelur rregulla duhet të më thuhet ku i kam shkelur”, shtoi ajo.

Në vijim, pasi bëri një hyrje të gjatë mbi riçeljen e mundësive për punë private dhe artizanale në Shqipëri në vitin 1991, ajo pretendoi se të dy prindërit kishin pasur punë të ligjshme dhe pretendoi se pagesa e tatimeve nuk ishte detyrim që një e ardhur të konsiderohej si e ligjshme. Po ashtu ajo pretendoi se ligji 84/2016, mbi të cilin bëhet vetingu, nuk kërkonte provimin e burimit të ligjshëm të pasurive të personave të tjerë të lidhur, por vetëm të subjektit dhe personit të lidhur.

Ajo tha se kishte sjellë disa dokumente mbi të ardhurat e prindërve, përfshi pagesat e sigurimeve shoqërore. Hicka vuri në dukje se i ati kishte punuar mekanik dhe kishte pasur pagë të ndarë në tre pjesë, që përfshinin bazën, ndarjen e fitimit dhe pagesë ushqimore. Hicka kërkoi që si e ardhur të konsiderohej pagesa e derdhur në bankë.

Për të ëmën ajo tha se në vitet 2003 dhe 2004 kishte qenë e vetëpunësuar si shitëse në tregun e fruta perimeve në Lushnje dhe kishte pasur detyrim të paguante vetëm tatime lokale. Ajo tha se Bashkia Lushnje  nuk i kishte ruajtur dokumentet, ndërsa pretendoi se e ëma kishte filluar punë që 15 vjeç dhe kishte ndjekur shkollën e mesme pa shkëputje nga puna. Hicka këmbënguli që të ardhurat e prindërve dhe huatë të përfshiheshin në analizën financiare, ndërsa tha se huatë ishin kthyer dhe sot gjendeshin në llogaritë bankare të prindërve.

KPK vuri në dukje edhe faktin që një kredi e marrë për apartamentin me vlerë 90 mijë euro në Tiranë nuk mund të konsiderohej në analizë financiare, pasi ishte marrë disa muaj pasi këstet për banesën ishin shlyer me burime të tjera. Nga sa u relatua u kuptua se Hicka kishte përdorur kredinë për të shlyer huanë nga prindërit. Hicka shpjegoi se kishte marrë hua dhe jo kredi për shkak të mosbesimit te kompanitë e ndërtimit në vend dhe problemeve që ato kishin pasur.

Apartamenti me cedim dhe të ardhurat e bashkëshortit

Ndaj Hickës Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit kishte sjellë një raport negativ në të gjitha pikat për të cilat i raporton KPK-së. Sipas ILDKPKI Hicka kishte mungesë burimesh, deklarime të pasakta, fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe ishte në situatë konflikti interesi.

Gjyqtarja nuk u mor gjatë me raportimet e ILDKPKI-së, por tha ndër të tjera në lidhje me konfliktin e interesit se i referohej punës së saj si Avokate e Shtetit dhe që nuk duhej të ishte objekt i hetimit në KPK që kishte për qëllim “kthimin e besimit te sistemi i drejtësisë”. Ajo po ashtu la të kuptohej se nuk ishte e qartë rastet e konfliktit të interesit dhe nuk kishte pasur si të kthente prapësime për to.

Por çështjet në fjalë nuk u vunë shumë në dukje as nga KPK. Në relatim Pine i përmendi ato përmbledhtazi, ndërsa nuk tha nëse kishte pasur apo jo ndonjë rezultat nga hetimi i KPK mbi konfliktin e supozuar të interesit.

Përndryshe Pine i mëshoi gjetjeve në kriterin e pasurisë në të cilin vuri në dukje një sërë veprimesh financiare për të cilat Hickës i ishte kaluar barrë prove.

Pine tha në relatim se bashkëshorti i gjyqtares kishte përfituar me cedim një apartament. Në kronologjinë e veprimeve Pine tha se apartamenti ishte deklaruar në vitin 2009 dhe kontrata e cedimit nga një familje në emër të bashkëshortit ishte bërë në vitin 2012. Apartamenti ishte ceduar si pjesë e një marrëveshje që babai i ndjerë i bashkëshortit të gjyqtares kishte pasur me familjen të cilën e kishte përfaqësuar në gjykatë.

Më pas apartamenti ishte lënë me qira dhe të ardhurat nga qiraja ishin përdorur për të paguar një pjesë të apartamentit 90 mijë euro të blerë më vonë.

Por Pine tha se ceduesit nuk kishin pasur pronësi mbi apartamentin dhe kishin vetëm të drejta përdorimi mbi truallin.  Po ashtu ajo vuri në dukje se kontrata e cedimit nuk kishte formën e duhur, ndërsa ishte bërë me fuqi prapavepruese gjë që sipas relatores nuk parashikohej në Kodin Civil.

Pine tha se të ardhurat nga qiraja e përfituar nga ky apartament, të cilat në disa raste ishin me përshkrim pagesë komisionesh e konsulence, nuk mund të konsideroheshin të ligjshme, për shkak se as bashkëshorti as ceduesit nuk kishin pasur tagra ligjore mbi pasurinë në fjalë.

Hicka i kundërshtoi këto gjetje duke u kapur fillimisht me togfjalëshin “të drejta reale”. Ajo tha se kishte kërkuar shpjegime për këtë dhe KPK e kishte referuar te Kodi Civil, por që sipas saj ky togfjalësh nuk përmendej.

Ajo këmbënguli se të gjitha veprimet ishin të ligjshme dhe të ardhurat duhej të konsideroheshin të tilla. Ajo tha se çështja e pronësisë për apartamentin kishte shkuar deri në Gjykatë Kushtetuese.

Hicka po ashtu kundërshtoi gjetjet e KPK mbi disa kalime në llogaritë bankare të bashkëshortit dhe mbi mënyrën se si ishin konsideruar të ardhurat nga firma e avokatisë. Ajo kërkoi që për këto të fundit të merrej në konsideratë fitimi neto.

Gjetjeve të KPK-së mbi pagesën e tatimeve për disa të ardhura të bashkëshortit ajo iu referua faktit se tatimi në burim bëhej nga punëdhënësi, duke përcjellë si prova një e-mail dhe faktin që bashkëshorti kishte paguar vetë tatimin në burim për pagesa nga OSBE, që nuk e kishte këtë detyrim.

KPK vuri në dukje disa pasaktësi në deklarimin e gjendjes cash dhe po ashtu edhe faktin se disa të ardhura si ato për shitjen e një makine nuk ishin deklaruara si të mbartura. Po ashtu sipas KPK Hicka nuk kishte deklaruar gjendje cash në deklaratën veting edhe pse kishte pasur deklarime të mëparshme të cashit që nuk rezultonin të ishin pakësuar.

Hicka pranoi një pasaktësi mes deklarimit veting dhe atij periodik për vitin 2016, por tha se cash-i ishte bërë zero në vitin 2016 për shkak se shpenzimet në atë vit, që përkon me blerjen e apartamentit, kishin qenë të mëdha.

Në fund Hicka kërkoi që të konfirmohej në detyrë, ndërsa i kërkoi Komisionit të merrte parasysh parashtrimet e saj mbi të ardhurat e prindërve dhe bashkëshortit. Vendimi u njoftua se do të shpallet në datën 12 mars, në orën 9.45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *