‘I paqartë dhe i paplotë’; ONM kërkon rihetim në Kolegj për Kastriot Selitën
Analiza

‘I paqartë dhe i paplotë’; ONM kërkon rihetim në Kolegj për Kastriot Selitën

Vëzhguesit ndërkombëtarë kritikuan hetimin e kryer nga KPK për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit si të paqartë dhe të mangët, ndërsa i kërkojnë Kolegjit që të adresojë problemet e mbetura me pasurinë dhe profesionalizmit-përfshirë rastet e injoruara të konfliktit të interesit.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita pas konfirmimit nga KPK. Foto: Malton Dibra, LSA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi apelimin e vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita, duke e konsideruar hetimin e kryer në shkallën e parë të vetingut të paqartë dhe të paplotë.

Rekomandimi i ONM-së, i mbërritur të mërkurën në zyrën e Komisionerit Publik përfshin një mori çështjesh si në kriterin e pasurisë ashtu edhe në atë të profesionalizmit, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë vërejnë se ose nuk janë hetuar siç duhet, ose nuk janë adresuar në vendimin e arsyetuar të KPK-së.

Kastriot Selita, i cili drejton Gjykatën Administrative të Apelit prej vitit 2013 u konfirmua me votat e Brunilda Bekteshit dhe Lulzim Hamitajt në KPK, ndërkohë që kryesuesi Olsi Komici votoi për shkarkimin.

KPK vendosi gjithashtu ta referojë Selitën në KLGJ lidhur me vendimin e dhënë prej tij për Bledar Valikajn; e konsideruar me mangësi profesionale për shkak se gjyqtari kishte disponuar me urdhërimin e KLP-së për emërimin si prokuror pa kërkesën e palës.

ONM kërkon në rekomandim rihapjen e hetimeve “që nuk u kryen në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëese nga KPK” për pjesën më të madhe të pasurive familjare si dhe për kriterin e profesionalizmit. Duke vërejtur gjithashtu një sërë mospërputhjesh në analizën financiare, ONM kërkon gjithashtu nga Kolegji i Apelimit të kryejë një analizë të saktë që të reflektojë të gjitha paqartësitë e ngritura.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë dyshime nëse konfirmimi në detyrë i subjektit nga KPK u mor mbi bazën e të gjithë hapave të domosdoshëm hetimorë apo vlerësimit të duhur të shpjegimeve dhe dokumenteve të administruara mbi pasurinë dhe profesionalizmin,” thuhet në rekomandimin e ONM. Aty vlerësohet gjithashtu se një arsyetim i përshtatshëm, i bazuar në një hetim të plotë, do të ndikonte me gjasë në rivlerësimin e subjektit në mënyrë të tillë që “vendimi i KPK nuk qëndron”.

Më shumë pyetje se sqarime

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë ngritur një sërë pyetjesh, që sipas tyre burojnë nga paqartësia e vendimit të arsyetuar të KPK-së mbi disa vlera monetare të bashkëshortes së Selitës me burim shitjen e një vile 2-katëshe në Linzë; konkretisht 30 mijë euro, 61 758 euro, 20 mijë euro dhe 4365 euro.

Sipas ONM-së, edhe pas shpjegimeve të subjektit, kontributi i bashkëshortes në ndërtimin e vilës së prindërve dhe marrëdhënia e saj ligjore me shitjen e asetit mbetet e paqartë.

“Mbetet gjithashtu e paqartë nëse shuma 30 mijë euro duhet të konsiderohet donacion nga babai dhe nëse është ky rasti, a duhet që donacionet monetare ndaj subjektit apo personit të lidhur t’i nënshtrohen taksimit,” argumenton ONM.  Aty shtohet se Komisioni nuk e ka identifikuar qartë marrëdhënien ligjore të bashkëshortes së subjektit me pronën, ndërkohë që konkluzioni i KPK-së se tatimi mbi 30 mijë eurot do të sillte taksim të dyfishtë nuk konsiderohet i bazuar mirë.

Të njëjtat pyetje ngrihen edhe për shumat e tjera të përfituara nga i njëjti burim, për të cilën ONM konstaton se as subjekti dhe as bashkëshortja nuk paguan ndonjëherë taksa. Madje, Kolegjit i kërkohet ta trajtojë njëherë e mirë nevojën ose jo të taksimit të dhuratave; përkufizim ky që do të shërbente edhe për raste të tjera.

ONM vlerëson se Komisioni nuk e ka hetuar siç duhet burimin e 2.9 milionë lekëve, të deklaruara nga subjekti si të përfituara pjestimi pasuror pas divorcit në vitin 2006. Në rekomandim theksohet se shumë e mësipërme është depozituar në bankë nga ish-bashkëshortja, përpara se gjykata të shpallte vendimin për ndarjen e pasurisë, ndërkohë që konsiderohet gjithashtu e paqartë nëse vlera ka qenë pjesë e regjimit të pronësisë së përbashkët.

“Nëse subjekti ishte bashkëpronar i shumës, ai është i detyruar të justifikojë burimin e saj dhe nuk mund ta kufizojë veten në referimin e bashkëshortes, e cila refuzon të deklarojë mbi çështjen,” shkruan ONM.

Një tjetër problem i konstatuar nga ONM është pagesa e një tatimi nga ana e bashkëshortes-me karrierë të gjatë në pozicione drejtuese në Drejtorinë e Tatimeve, gati 10 vjet pas shitjes së një apartamenti. I shitur në vitin 2007 për 50 mijë euro, tatimi mbi të ardhurat sipas ONM-së është paguar vetëm pak kohë para se subjekti të dorëzonte deklaratën “vetting” në ILDKPKI.

“Lënë mënjanë përshkrimin e dyshimtë në pagesën e taksës së paguar në janar 2017 dhe shpjegimeve të dhëna nga subjekti, mbetet e paqartë për vëzhguesin ndërkombëtar nëse taksat e paguara vite më vonë duhet të quhen legjitime nga KPK,” argumenton vëzshguesi.

Ndërkohë, episode të tjera të paqarta mbi të njëjtin aset evidentohen rrugës; si psh.  ekzistenca e dy kontratave të shitjes me çmime të ndryshme, njëherë nga bashkëshortja dhe njëherë nga kompania e ndërtimit. ONM ngre pyetje që i adresohen edhe metodologjisë së ndjekur nga Drejtoria e Tatimeve për taksën në fjalë. Në fund argumentohet se KPK nuk e ka sqaruar çështjen në fjalë.

Shumica në KPK kritikohet gjithashtu për paqartësi në arsyetimin mbi një hua 23 mijë euroshe marrë në vitin 2004 apo për mungesën e hetimit nëse personi i kishte pasur mundësitë financiare, mbi paqartësitë dhe mospërputhjet mbi çmimin e tokës dhe kostot e vilës 2-katëshe në Linzë si dhe mbi “një sërë mospërputhjesh në analizën financiare”.

Lidhur me kostot e vilës, e cila u shit më pas për 220 mijë euro dhe shërbeu pjesërisht si burim për pasurinë e bashkëshortes së subjektit, ONM deklarimin e saj në disa vlera; dokumentet dhe shpjegimet e Selitës ishin për 4.7 milionë lekë, dokumentet për pagesën e taksave flasin për 7.2 milionë lekë dhe në deklarimin periodic ajo shfaqet në vlerën e 5 milionë lekëve.

Mospërputhjet thellohen me vlerësimin prej 6.5 milionë lekësh që KPK i bëri pronës, ndërkohë që në analizën financiare ajo është llogaritur për 4.7 milionë lekë.

“KPK nuk ndërmori ndonjë hap hetimor për të sqaruar këtë mospërputhje. KPK duket se ka dështuar t’i adresojë këto mospërputhje në arsyetimin e vet, po aq sa ndikimin e tyre në analizën financiare,” thotë ONM, e cila i kërkon Kolegjit një analizë financiare objektive dhe të qartë.

ONM evidenton gjithashtu probleme të tjera me analizën financiare, ku janë përfshirë të ardhura të bashkëshortes për vitet 1999-2004 për të cilat nuk është e qartë nëse janë paguar taksat si dhe një vlerë e përfituar nga firmat piramidale dhe e investuar në ndërtimin e shtëpisë nga prindërit e saj, që sërish për ONM është e paqartë nëse mund të konsiderohet e ligjshme.

“Një vërejtje e fundit shkon për referencën e përsëritur të KPK-së mbi faktin se shumë prej aseteve në fjalë janë krijuar nga bashkëshortja para martesës me subjektin, si një rrethanë që legjitimon pozicionin e subjektit. ONM dëshiron të theksojë se vlerësimi i pasurisë duhet të jetë objektiv dhe i plotë sipas frymës dhe gërmës së ligjit dhe se subjekti ka si detyrim të shpjegojë dhe justifikojë edhe pasuritë e personave të lidhur, pavarësisht nga koha kur ata e morën këtë status,” thuhet në rekomandim.

Rastet e konfliktit të interesit

Njësoj si me pasurinë, vëzhguesi ndërkombëtar ka shprehur dyshime nëse vlerësimi i subjektit si “i aftë” është i duhuri. Në rekomandim thuhet se një numër problemesh me profesionalizmin u zbuluan në proces, por KPK i kaloi Selitës barrën e provës vetëm për disa prej gjetjeve.

“Vëzhguesit ndërkombëtarë janë të mendimit se çështjet e tjera që nuk u morën në konsideratë, duhej të ishin gjithashtu pjesë e vlerësimit të aftësive profesionale,” thuhet në rekomandim.

ONM vlerëson se edhe për çështjet ku u kalua barra e provës, mbeti e paqartë nëse subjekti iu përgjigj në mënyrë të plotë dhe të saktë atyre. Përveç mangësive të gjetura në dosjet e vlerësuara, ONM ngre gjithashtu pikëpyetje nëse Selita ishte në konflikt interesi në shqyrtimin e një çështjeje me palë një kompani ku ai dhe bashkëshortja kishin shitur një apartament.

ONM përmend edhe 4 rastet e tjera të kalimit të barrës së provës, ku vihen në dyshim praktikat e ndjekura nga gjyqtari Selita dhe evidenton një rast të dytë të konfliktit të interesit. Ndërsa vendimi i dhënë në favor të Bledar Valikajt, bashkëshortit të deputetes Ermonela Felaj iu bashkangjit rekomandimit të ONM-së në rrugën drejt Apelit, së bashku me çështje të tjera të patrajtuara në kriterin e profesionalizmit.

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pritet të mbërrijnë edhe dy opinione të tjera të ONM-së gjatë fazës së procesit, të cilat trajtojnë rastin e shqyrtimit nga ana e Selitës të disa çështjeve me palë Drejtorinë e Tatimeve ku punonte bashkëshortja e tij si dhe rast të dytë që lidhet me rivlerësimin e një apartamenti dhe shitjen e tij; proces ky që reduktoi vlerën e tatimit të paguar.

Lidhur me gjykimin e çështjeve me palë Tatimet, ONM e ka konsideruar atë konflikt interesi në dukje, ndërkohë që shpreh dyshime nëse të dy opinionet e mësipërme u adresuan dhe vlerësuan plotësisht nga KPK.

“Subjekti duket se nuk ka qenë mjaftueshëm i ndjeshëm ndaj mundësisë se ai do të dukej në kushtet e konfliktit të interesit për shkak të ndikimeve të mundshme mes punës së tij dhe asaj të bashkëshortes,” thuhet në njërin prej opinioneve, ku sqarimet e Selitës konsiderohen jo bindëse.

“Në një numër çështjesh, subjekti duket se nuk e ka trajtuar konfliktin e interesit në dukje në mënyrën e duhur,”përfundon opinioni i ONM.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *