Gjyqtarja Flojera Davidhi në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Inspektimi për gjyqtaren Flojera Davidhi ndan trupën e KPK

Dy anëtarë të trupit gjykues të Komisionit vendosën të transferojnë për inspektim një vendim pafajësie të gjyqtares së Korçës për një nëpunëse të akuzuar për korrupsion, ndërsa njëri prej komisionerëve ka votuar kundër.

Gjyqtarja Flojera Davidhi në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 18 maj të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Korçës, Flojera Davidhi si dhe të transferojë për inspektim një vendmarrje të saj për pushimin e një çështjeje në ngarkim të një zyrtareje publike të akuzuar për “korrupsion pasiv”.

Trupi gjykues i KPK, i kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian arritën në përfundimin se Davidhi ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe të figurës si dhe nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale. Ndërkohë, trupa është ndarë lidhur me vendimarrjen për dërgimin për inspektim të çështjes së gjykuar nga Davidhi në ngarkim të përgjegjëses së hartografisë pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e akuzuar për “korrupsion pasiv” dhe e shpallur e pafajshme.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se një emision investigativ, më datë 8 tetor 2018, ka transmetuar faktin se kjo shtetase, në vendin e saj të punës ka marrë një shumë prej 20 mijë lekësh nga shtetasi G. A..

Në përfundim të gjykimit, Prokuroria ka kërkuar deklarimin fajtore të së pandehurës, dënimin e saj me 2 vjet burgim, uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe pezullimin e dënimit me burgim, duke e vendosur në shërbim prove.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka konkluduar se fakti që i atribuohet të pandehurës nuk përmban elementet e veprës penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe e ka deklaruar atë të pafajshme për këtë akuzë. Gjyqtarja Davidhi ka vlerësuar se shkeljet e konstatuara janë konsideruar të karakterit administrativ dhe etikës në punë. Vendimi i subjektit të rivlerësimit është gjetur i drejtë edhe nga Apeli.

Shumica ka çmuar ta transferojë këtë çështje për inspektim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për të verifikuar nëse evidentohen shkaqe që përbëjnë shkelje disiplinore.

“Ky konkluzion u arrit duke pasur në konsideratë fenomenin e korrupsionin në vendin tonë, ndjeshmërinë e publikut në këto raste dhe faktin nëse çështja në fjalë duket se mund të kishte pasur një trajtim edhe më ndëshkues për të pandehurën, e cila është kapur në flagrancë, duke marrë një shumë parash në zyrën e saj në këmbim të një shërbimi publik”, arsyeton shumica.

Komisioni vlerëson se çështja e transferuar nuk është e mjaftueshme për ta kualifikuar subjektin e rivlerësimit si “me mangësi” apo “i papërshtatshëm” në drejtim të vlerësimit të kriterit të aftësisë profesionale, pasi ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë, ka respektuar të drejtat e palëve, është efecient dhe efektiv në masë të pranueshme.

Anëtari i trupit gjykues, Roland Ilia shprehet se ka votuar pro qëndrimit të dy kolegëve të tij lidhur me vendimarrjen për të tre kriteret e rivlerësimit, ndërkohë që shfaq mendim paralel lidhur me çështjen e transferuar për inspektim.

Ilia vlerëson se për të konstatuar shkeljen disiplinore duhen marrë parasysh shkalla e pakujdesisë ose fajësisë; shpeshtësia e kryerjes së veprimit ose mosveprimit apo sjelljes; përvoja dhe pozicioni i magjistratit në sistem; dëmtimi ose mundësia e shkaktimit të dëmtimit dhe shkalla e pasojave që kanë ardhur ose mund të vijnë nga veprimi apo mosveprimi i magjistratit.

“Në vendim nuk evidentohet, analizohet apo referohet ndonjë shkelje konkrete e kryer nga subjekti për çështje të veprimtarisë apo në lidhje me ushtrimin e funksionit, por shkeljet e supozuara janë lënë në mënyrë evazive në këtë vendim,” evidenton Ilia, i cili shprehet se çështja në fjalë nuk duhej transferuar në ILD.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *