Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Ish-gjyqtari Tom Ndreca humbet apelin e shkarkimit nga detyra

Kolegji i Pavarur i Apelimit vendosi të enjten në dhomë këshillimi dhe me vota unanime lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit për Ndrecën, i cili u shkarkua për pasuri të padeklaruara dhe fshehjen e dënimit të kunatit.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Tom Ndreca, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA

Gjyqtari i karrierës Tom Ndreca, i cili ishte anëtar i Gjykatës së Lartë nga viti 2013 pasi kishte punuar në Gjykatën e Apelit të Tiranës për mbi dy dekada, humbi apelin që kishte bërë ndaj vendimit të shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke i dhënë fund në këtë mënyrë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, trupa që shqyrton vendimet e apeluara të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vendosi të enjten lënien e vendimit të shkarkimit në fuqi “me votë unanime”. [Link njoftimi]

Ndreca u shkarkua më 17 korrik në bazë të dy kritereve, deklarime të pamjaftueshme për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Në vendimin e argumentuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se anëtari i Gjykatës së Lartë nuk justifikoi një vlerë prej 1.3 milionë lekësh, ndërkohë që ngarkohet me përgjegjësinë e fshehjes së procedimit të kunatit të tij për “prodhim dhe shitje narkotikësh”-vepër penale kjo që klasifikohet si krim i organizuar.

Hetimi mbi pasurinë e familjes së Tom Ndrecës ndjek kronologjinë e vendosjes së saj përgjatë viteve dhe përfshin tre apartamente, dy prej të cilave në Tiranë dhe një në Golem. Hetimi përfshiu gjithashtu kursime në vlerën e 1.5 milionë lekëve të deklaruara në fund të vitit 2016, një makinë të padeklaruar në emër të djalit të tij si dhe llogari bankare të zotëruara veçmas nga bashkëshortja dhe djemtë, edhe këto të padeklaruara.

Sa i përket pasurive të paluajtshme, KPK arriti në përfundimin se gjyqtari Ndreca dhe familjarët e tij kishin të ardhura të mjaftueshme për blerjen e tyre. Megjithatë, Komisioni u ndal në një aplikim të kundraligjshëm për kredi të butë që gjyqtari kishte bërë, duke e konsideruar atë “cenim të etikës së anëtarit të Gjykatës së Lartë”.

Pjesa dërrmuese e anëtarëve të Gjykatës së Lartë u tërhoqën nga sistemi para procesit të vetingut ose u rrëzuan nga procesi i vetingut për fshehje pasurie, lidhje me elementë të krimit të organizuar ose të dyja ndërsa njëri prej tyre u shkarkua mes të tjerash edhe për mosdeklarimin e një dënimi penal në Itali dy dekada më parë. Katër gjyqtarë të lartë e kaluan me sukses procesin e vetingut në shkallë të parë, por dy prej tyre janë apeluar nga Komisioneri Publik dhe fati i tyre pritet të vendoset së shpejti nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

 

Lexo më shumë:

Skeda e pasurisë së deklaruar-Tom Ndreca-anëtar i Gjykatës së Lartë

Gjyqtari Ndreca përballet me akuza për pasurinë dhe kontakte të papërshtatshme

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Tom Ndreca

Shkarkimi i Tom Ndrecës, për pasuritë e padeklaruara dhe fshehjen e hetimit të kunatit

Rrëzimi i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë

Si u rrëzua Gjykata Kushtetuese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *