Ish-gjyqtarja Arjana Liço, betejë morale përballë Kolegjit

Lajme
Gjyqtarja në pension e Gjykatës së Tiranës, Arjana Liço kundërshtoi sanksionin e ndalimit 15-vjeçar në vendimin e KPK-së si të pakuptimtë, të paarsyeshëm dhe të kundraligjshëm.  

Gjyqtarja në pension, Arjana Liço dhe djali i saj avokat përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA

Ish-gjyqtarja e Tiranës, Arjana Liço dhe djali i saj avokat dolën përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të hënën, në një betejë morale kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Më 5 mars 2020, KPK vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Liçon dhe sanksionin kushtetues të ndalimit të emërimit në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Por ish-gjyqtarja Liço u ankua në Kolegj, duke pretenduar se kishte hequr dorë nga statusi i magjistratit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit. Pas shqyrtimit në dhomë këshillimi më 2 dhjetor, Kolegji vendosi ta kalonte çështjen në seancë publike.

Ish-gjyqtarja Liço tha përpara trupës gjyqësore të drejtuar nga Rezarta Schuetz se kishte punuar për 43 vjet e 6 muaj; nga të cilat si gjyqtare prej prillit 1995 deri në janar 2020. Ajo shpjegoi se në 7 janar kishte mbushur 65 vjeç dhe kërkoi përfundimin e statusit për shkak të mbushjes së moshës së pensionit.

Në fjalën e saj, Liço bëri ndarjen juridike mes të drejtës kushtetuese për pension dhe statusit të magjistratit si privilegj, që mund të vazhdojë deri në 67 vjeç. Ajo shtoi se kishte zgjedhur të mos e vazhdonte punën për arsye shëndetësore, ndërsa kundërshtoi sanksionin e ndalimit 15 vjeçar të vendosur nga KPK.

Liço pretendoi se aneksi G i Kushtetutës nuk mund të zbatohet në rastin e saj, pasi ka mbushur moshën e pensionit.

“Kam punuar gjatë gjithë karrierës me përkushtim dhe nëse KPK do të më kishte dëgjuar, do të kishte arritur në një konkluzion tjetër. Më vihet një përkufizim i tillë i pakuptimtë, i paarsyeshëm dhe i padrejë dhe nuk është në përputhje me ligjin,” tha Liço para KPK.

“Ky vendim për mua nuk ka fare efekte, por për arsye të dinjitetit, të respektit ndaj ligjit. Është e pakuptimtë që e gjithë puna, i gjithë përkushtimi im gjatë gjithë jetës të ketë si përfundim diçka të tillë,” shtoi ajo.

Edhe përfaqësuesi i subjektit, Loren Liço e konsideroi konkluzionin e KPK-së “një njollë që lihet pas një karriere të gjatë”. Nënë e bir kërkuan pranimin e ankimit të tyre dhe mbylljen e procesit të rivlerësimit pa vendim.

Trupa gjykuese u tërhoq për 15 minuta dhe vendosi të pranonte provat e dorëzuara në fillim të seancës; të cilat lidheshin me dokumentimin e daljes në pension si dhe me shpalljen “qytetare nderi” nga Bashkia e Krujës për shkak të punës së saj si gjyqtare.

Kryesuesja Schuetz e konsideroi shqyrtimin gjyqësor të mbyllur dhe lajmëroi shpalljen e vendimit më 17 dhjetor, ora 15:00.