Ish-gjyqtari Arjan Balliu dhe gjyqtarja Rezarta Vigani (Balliu), duke dalë nga seanca e KPK-së | Foto: Vladimir Karaj
KPK Lajme Vendi

‘Jemi këtu sepse ILDKPKI nuk e ka bërë punën’; KPK ngre dyshime për fiktivitet dhe mosdeklarime ndaj gjyqtares Rezarta Balliu

Gjyqtarja e Tiranës Rezarta Balliu (Vigani) dëgjoi nga KPK një relatim të ngjashëm me atë të bashkëshortit, ndërsa u vu përpara barrës së provës për kontrata fiktive, mungesë burimesh dhe mosdeklarime në disa vite. 

Ish-gjyqtari Arjan Balliu dhe gjyqtarja Rezarta Balliu (Vigani), duke dalë nga seanca e KPK-së | Foto: Vladimir Karaj

Seanca dëgjimore ndaj gjyqtares së Tiranës Rezarta Balliu (Vigani) ngjau si një përsëritje e asaj ndaj bashkëshortit, gjyqtarit të shkarkuar tashmë të Apelit Durrës Arjan Balliu. Njësoj si bashkëshorti, i shkarkuar për kontrata fiktive dhe probleme të pasurisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se e kishte hetuar Balliun vetëm në një kriter.

Seanca që u zhvillua pasditen e të mërkurës zgjati mbi 2 orë e gjysëm dhe gjatë saj kryesuesja e trupës Genta Tafa (Bungo) dhe gjyqtarja debatuan gjatë mbi disa gjetje dhe mënyrën se si ishin kuptuar ato prej subjektit.

Vëzhguesi ndërkombëtar Gerrit Sprenger po ashtu i bëri gjyqtares disa pyetje në lidhje me shitjen prej bashkëshortit të saj të një apartamenti për 8.8 milionë lekë, te nëna e saj.

Balliu kundërshtoi gjetjet e Komisionit, që e nxirrnin atë me bilance negative në një sërë transaksionesh. Ajo po ashtu kërkoi të mos vlerësohej për një pasuri 100 përqind në emër të bashkëshortit, problemet e të cilës ishin gjetur shkarkuese në rastin e tij. Gjyqtarja këmbënguli që hetimi të rihapej edhe në dy kriteret e tjera.

Por siç u tha në seancë, trupa e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo) me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Olsi Komici, kishte vendosur që të rrëzonte disa kërkesa paraprake për këtë çështje dhe se kërkesa e fundit do të shqyrtohej pas seancës dëgjimore.

Rezarta Balliu (Vigani) e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe e ushtron funksionin prej dy dekadash në Gjykatën e Rrethit të Tiranës.

Apartamenti i shitur nënës

Pavarësisht se Komisioni në relatim që u lexua nga Olsi Komici, kishte gjetur një sërë problemesh në pasurinë e gjyqtares dhe kishte vërejtur një sërë mosdeklarimesh dhe mungesash në burime, gjetja rreth të cilës u rrotullua debati ishte ajo e shitjes prej bashkëshortit të gjyqtares e një apartamenti te nëna e kësaj të fundit për 8.8 milionë lekë.

Komisioni tha se kishte dyshime që transaksioni ishte fiktiv dhe se këto para, gjurmë dokumentare të të cilave nuk kishte, nuk ishin qarkulluar asnjëherë. Prova për këtë KPK paraqiti fakti që si gjyqtarja si bashkëshorti e kishin deklaruar si pasuri apartamentin në deklaratën veting në vitin 2016. Po ashtu KPK këmbënguli se çmimi ishte i lartë për një marrëdhëie familjare.

Duke buzëqeshur, drejtuesja e seancës Genta Tafa i tha Balliut se tingëllonte keq që shitja me atë çmim u ishte bërë prindërve të saj që deri në atë kohë kishin kontribuar vazhdimisht në pasurinë e çiftit, përfshirë edhe në blerjen e apartamentit.

Balliu tregoi një histori të gjatë për të shpjeguar arsyet e transaksionit. Ajo tha se formalisht nuk kishte asnjë fiktivitet dhe kontratat ishin të ligjshme, që u pranua edhe nga KPK. Më tej ajo tregoi se babai i saj jetonte në një shtëpi ish-pronarësh dhe se në moshë mbi 80 vjeç dhe i sëmurë ishte detyruar sëbashku me nënën të lëshonte apartamentin për shkak të aktit normativ të qeverisë në vitin 2012.

Balliu tha se një shtëpi në pak ditë nuk mund të gjendej dhe se ajo nuk do i linte prindërit jashtë. Ajo tha se akti normativ që u kthente shtëpitë pronarëve të para 90’ kishte lënë mjaft njërëz në çadra.

Pasi përshkroi këtë situatë, Balliu tha se ishte parë e arsyeshme që ata t’u shisnin prindërve shtëpinë e bashkëshortit, që ndodhej pranë shtëpisë së tyre. Ajo tha se çmimi 8.8 milionë ishte aq sa ishte në aktin e rivlerësimit.

E pyetur specifikisht nga vëzhguesi ndërkombëtar për deklarimin e kësaj pasurie në deklaratën veting disa vite pas shitjes me dokumente, Balliu iu referua sërish rrethanave, por nuk u përgjigj direkt. Vëzhguesi megjithatë këmbënguli se prindërit e Balliut nuk kishin qenë të pastrehë. Ata kishin apartamente në Durrës dhe Kavajë.

Siç doli më herët në relatim, këto apartamente ishin përtfituara nga kontratat e sipërmarrjes në tokë të marrë përmes ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Një proces i ngjashëm me atë që Balliu e pikturoi me ngjyra të errëta, kur foli për detyrimin e prindërve të saj t’ia lëshonin banesën pronarit të parë, duke thënë se ligji i kishte lënë qirmarrësit në “qiell të hapur”.

Ndërkohë në përgjigje të pyetjes Balliu tha se ajo nuk mund të lejonte që prindërit të shkonin larg, pasi gjendja e tyre ishte e rëndë. Ajo tha se babai vdiq pak kohë pas këtij transaksioni dhe se afërsia i mundësonte përkujdesjen.

Tafa pati një diskutim të gjatë me subjektin, në të cilin edhe pse përgjithësisht duke qeshur dhe kërkuar ndjesë, u aludua se marrëdhënia midis vajzës dhe prindërve nuk kishte qenë aq e posaçme, siç sugjeronte subjekti i rivlerësimit.

“Ne kemi pasur të tilla raste plot. Zakonisht pasuritë shiten me çmim më të ulët për njerëzit e afërt”, tha kryesuesja, e cila shtoi se në fund, pasi prindërit ndaheshin nga jeta një pjesë e kësaj pasuri do i kalonte sërish trashgimtarëve.

Ndërkohë Balliu këmbënguli se marrëveshja ishte bërë për të ndihmuar prindërit.

Bonot dhe mosdeklarimet

I ulur në një nga rrjeshtat e sallës së seancave dëgjimore të KPK-së në Pallatin e Kongreseve – këtë herë si vizitor, gjyqtari i shkarkuar Arjan Balliu dëgjoi për të dytën herë probelemt që çuan në shkarkimin e tij nga KPK. Këtë herë madje bashkëshortja që ishte subjekt rivlerësimi u përpoq të diferencohej prej tij.

Duke iu referuar një pasurie të blerë për 2 milionë lekë, për të cilën Balliu u gjet në konflikt interesi dhe probleme të tjera, gjyqtarja këmbënguli se ata kishin një regjim të ndarë pasuror. E pyetur hipotetikisht nga Bungo se si do të ndahej kjo pasuri “qoftë larg në rast divorci”, gjyqtarja tha se ajo i qëndronte regjimit të vendosur dhe shtoi duke qeshur në një situatë të sikletshme se “nuk e dinte mendimin e të shoqit.”

Por kjo pasuri nuk ishte e vetmja që i bashkonte palët. Edhe 3 milionë lekë të investuara në bono thesari në vitin 2004, nga bashkëshorti dhe babai i gjyqtares, ishin po ashtu temë diskutimi. Këmbënguljes së gjyqtares se ndarja në gjysëm e kësaj shume ishte e pamundur të dokumetohej, por se kjo ishte pjesë e marrëdhënieve të posaçme, nuk qe bindëse.

Tafa që drejtoi një sëri pyetjesh, këmbënguli ndër të tjera të dinte si ishin deklaruar fitimet prej bonove dhe si ishte deklaruar tërheqja e shumës në fund. Gjyqtarja pranoi se ato nuk ishin deklaruar të ndara në asnjë moment.

Balliu e fokusoi mbrojtjen e saj te justifikimi i të ardhurave të babait të saj nga qiratë. Këto të ardhura që kishin shërbyer si ndihmë në blerje pasurish të paluajtshme u vunë në dyshim nga KPK në relatim, por gjyqtarja solli disa kontrata dhe deklarta nga Drejtoria e Tatimeve Durrës në përpjekje për të provuar ligjshmërinë e tyre.

Megjithatë siç doli më pas nga përballja me pyetje, ky nuk qe një prej problemeve të vetme në hetimin administrativ ndaj saj. Një sërë mosdeklarimesh dhe mosdeklarimi i ndryshimeve në gjendjen cash në vite, ishin sipas kryesueses Genta Tafa penalizuese.

Gjyqtarja arsyetoi në mbrojtje se gjendja cash nuk kishte qenë detyrim për deklarim. Ajo fajësoi Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit se nuk kishte bërë punën, duke mos u bërë me dije më herët problemet. Ajo tha se deklarimet ishin bërë në mënyrën se si ajo e kishte kuptuar ligjin.

Por kryesuesja e seancës e bëri të qartë që ky justifikim nuk qëndronte.

“Ne jemi këtu pikërisht pse ILDKPKI nuk e ka bërë punën”, tha ajo.

Genta Tafa Bungo tha se raportet e ILDKPKI-së rrallë kishin qëndruar pas hetimeve nga KPK dhe ishin rrëzuar qoftë në favor qoftë në dëm të subjekteve.

Në një replikë me pretendimet e subjektit Tafa tha se nuk ishte mbrojtje e mirë për një gjyqtare që të justifikohej se nuk e kishte kuptuar ligjin. Ajo shtoi se detyrimi për të deklaruar cash kishte lindur që në vitin 2003. Gjyqtarja këmbënguli në mungesën e informacionit.

Ndërkohë KPK vuri në dukje mungesë burimesh për një sërë transaksionesh. Seanca në të cilën u tha se do të vendoset nëse rihapet hetimi apo nëse Komisioni do të dalë me vendim u caktua në 9 korrik 20

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *