Kandidatja për SPAK, Doloreza Musabelliu përballet me vetingun

Lajme
Prokurorja e Krimeve të Rënda Doloreza Musabelliu u përball me pyetje mbi pasaktësi në deklarimin e pasurisë. Ndërsa një raport i DSIK u quajt i paprovuar nga KPK. Musabelliu pranoi hetimin si objektiv dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, njëherazi kandidate për në Prokurorinë e Posaçme, SPAK pas seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxha.

Gjatë seancës dëgjimore të së hënës ndaj Prokurores së Krimeve të Rënda Doloreza Musabelliu, u evidentuan nga KPK disa mospërputhje në deklarimet vjetore të pasurive dhe mungesë burimesh financiare lidhur me krijimin e pasurive të bashkëjetuesit të prokurores.

Gjithashtu u relatua për një raport të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK në të cilin aludohej për korrupsion pasiv dhe dekonspirim, por KPK konstatoi se çështja ishte ende nën hetim dhe se nuk mund të konkludohet nëse ka pasur dekonspirim

Gjetjet e Komisionit dhe të DSIK-së u kundërshtuan nga prokurorja Doloereza Musabelliu. Ajo e cilësoi raportin e DSIK si dashakeqës dhe në kundërshtim me ligjin.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, njëherazi kandidate për në Prokurorinë e Posaçme, SPAK u përball të hënën me procesin e rivlerësimit për të tri kriteret, atë pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Alma Faskaj kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Mia Roessingh.

Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ajo e ushtron funksionin në këtë prokurori prej 14 vitesh.

Mospërputhje në deklarimet për pasurinë

Në fillim të relatimit të gjetjeve të hetimit administrativ, Shuli evidentoi pasuritë e deklaruara nga prokurorja Doloreza Musabelliu, një depozitë në vlerën 1.4 milionë lekë dhe kursime në gjendje cash në shumën 500 mijë lekë, me burime krijimi pagat dhe shpërblimet. Komisioni nuk ka gjetur probleme në deklarimin e pasurive dhe ka konkluduar se burimet e krijimit të tyre janë të ligjshme.

Më pas, relatorja Shuli u ndal tek mosdeklarimi nga ana e prokurores Musabelliu të pasurive të bashkëjetuesit të saj G.D. nga viti 2006 deri në vitin 2012. Shuli sqaroi se subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar për këtë rrethanë se, formulari i vetëdeklarimit parashikonte pasyqrimin e të dhënave për personin e lidhur, bashkëshortin, por jo për bashkëjetuesin.

Komisioni ka kryer hetim lidhur me dy pasuritë e bashkëjetuesit të prokurores Musabelliu, një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 124 m2 të blerë në vitin 2006 në vlerën 73 400 euro dhe të një autoveture të blerë në vitin 2009 në shumën 10 mijë euro.

Si burim krijimi të apartamentit në Tiranë është pasyqruar në deklaratën veting një hua në vlerën 75 mijë euro e marrë nga babai në vitin 2006 me një afat kohor 6-vjeçar, që është dhënë në cash në disa këste.

Komisioni ka konkluduar se babai i bashkëjetuesit të prokurores Musabelliu, i cili ka ushtruar profesionin e noterit për periudhën 1999-2008, ka pasur burime të mjaftueshme financiare të ligjshme për dhënien e huasë 75 mijë euro në vitin 2006.

Relatorja Shuli tha se prokurorja Musabelliu nuk e ka deklaruar huanë në vitet 2012 dhe 2013, pasi nuk ka deklaruar asgjë nga bashkëjetesa. Në vitin 2014 është deklaruar huaja dhe është pasqyruar kontrata e hua-marrjes e vitit 2006 e nënshkruar mes bashkëjetuesit të saj dhe bashkëshortit. Edhe në vitin 2015 nuk ka rezultuar të ketë deklaruar huanë.

Ndërsa në vitin 2016 është pasyqruar shlyerja e 2.5 milionë lekëve të kësaj huaje dhe në deklaratën veting është shënuar se kanë mbetur 55 mijë euro të pashlyera. Sipas Komisionit, janë evidentuar pasaktësi në deklarimet e viteve 2012, 2013, 2014 dhe 2015.

Musabelliu shpjegoi gjatë seancës dëgjimore se në vitin 2014, kur ndryshoi ligji për deklarimin I ka pasqyruar edhe edhe pasuritë e bashkëjetuesit të saj. “Mendoj se dy pasuritë janë mbuluar me burime të ligjshme të babait të tij”, tha Musabelliu.

Edhe për një autoveturë tip Volkswagen të blerë në vitin 2009 nga bashkëjetuesi në vlerën 10 mijë euro, në deklaratën veting është pasqyruar si burim krijimi të ardhurat e babait si noter. Komisioni konstaton mospërputhje mes deklaratës periodike për këtë pasuri ku si burim janë pasqyruar të ardhurat nga puna si avokat, ndërsa në atë veting janë shënuar të ardhurat e babait.

Shuli shpjegoi se gjatë procesit të rivlerësimit subjekti ka deklaruar se bashkëjetuesi ka marrë hua nga babai 12 mijë euro ku një pjesë e kësaj shume është falur. “Duket se në deklaratën veting ka deklarim të pasaktë lidhur me burimin e krijimit të mjetit”, tha relatorja Shuli. Komisioni evidenton mospërputhje mes të treja këtyre deklarimeve. Shuli tha se Musabelliu ka shpjeguar para Komisionit se të ardhurat nga puna si avokat e bashkëjetuesit kanë shërbyer për të shlyer huanë, prandaj e kanë pasqyruar në vitin 2014.

Shuli shtoi se nisur nga këto fakte, Komisioni ka kryer analiza financiare në dy variante, një sipas deklaratës veting dhe një bazuar në deklaratën e vitit 2014.

Sipas KPK-së, bazuar në të ardhurat e siguruara si avokat ka rezultuar se bashkëjetuesi i prokurores ka pasur qarkullim në vlerën 2 milionë lekë në vitin 2009. Por, në fund të analizës financiare Komisioni konkludon se duke i përllogaritur të ardhurat të barabarta për çdo muaj, duket se bashkëjetuesi s’ka pasur mundësi për të blerë tërësisht mjetin. Sipas relatores Shuli, prokurorja Musabelliu ka shpjeguar se, nuk ishte e thënë që një avokat të kishte fituar çdo muaj të njëjtën vlerë, por mund të fitonte gjatë tre muajve 10 mijë euro dhe muajt e tjerë të mos fitonte dot gjë.

Edhe nga analiza financiare e kryer bazuar në deklaraten veting është konstatuar se babai i bashkëjetuesit nuk ka pasur mundësi të krijojë të ardhura për të mbuluar shpenzimet e kryera në vitin 2009. Sipas analizës financiare, të ardhurat e babait të bashkëjetuesit të prokurores kanë rezultuar 4.4 milionë lekë për periudhën 2006-2009. Ndërkohë ka rezultuar se ai ka blerë një apartament në Vlorë në vlerën 68 mijë euro tre muaj pas makinës në shumën 10 mijë euro, duke shpenzuar në total 78 mijë euro.

Ndërkohë, KPK ka konkluduar se babai i bashkëjetuesit të prokurores e ka pasur mundësinë për shlyerjen e huasë që i ka marrë motrës së tij.

Prokurorja Musabelliu pohoi gjatë seancës dëgjimore se nuk kishte asnjë lidhje me pasurinë e blerë nga babai i bashkëjetuesit në Vlorë. “Sot e mësova që është blerë për vajzën e babait të bashkëjetuesit tim. Kjo përllogaritje më ka vënë në vështitrësi edhe pse apartamenti në Vlorë është blerë pas mjetit”, tha ajo.

Komisioni konstaton gjithashtu se prokurorja Musabelliu dhe bashkëjetuesi i saj nuk kanë pasur mundësi për shlyerjen e një pjesë të huasë në vlerën 2.5 milionë lekë që e kanë deklaruar në vitin 2016, në vlerën -280 mijë lekë.

Në fjalën e saj lidhur me gjetjet për kriterin e pasurisë, Musabelliu tha se pasuria e saj përbëhej vetëm nga 1.5 milionë lekë depozoitë bankare dhe 500 mijë lekë në gjendje cash. “Pasuritë e hetuara janë krijuar me të ardhurat e babait të bashkëjetuesit tim dhe unë nuk kam pasur asnjë kontribut. Gjatë punës së tij si noter babai i bashkëjetuesit ka pasur rreth 25 milionë lekë të ardhura dhe ka pasur mundësi për huanë 85 mijë euro që i ka dhënë të birit”, pohoi ajo.

Musabelliu theksoi se në mospërputhjet në deklarimin e makinës ka pasur lapsuse të cilat kanë ndodhur për shkaqe të marrëdhënieve familjare. “Pavarësisht mospërputhjeve me të dyja të ardhurat mbulohet kjo shumë”, pohoi Musabelliu duke ju referuar deklarimeve si burim të adhurave të babait të bashkëjetuesit dhe këtij të të fundit. “Për të qenë konçiz në deklaratën veting kemi bërë ndryshimin. Në një aktivitetet privat të ardhurat nuk llogariten muaji pas muaji”, shtoi ajo.

Musabelliu kundërshton raportin e DSIK

Për pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar pranë KPK-së një raport më datë 30 tetor 2017 sipas të cilit prokurorja Doloreza Musabelliu ishte e përshtatshme për vazhdimin e detyrës. Por, me anë të një raporti të dytë të dorëzuar në vitin 2019, DSIK ndryshon qëndrim duke konstatuar papërshtatshmërinë.

Sipas DSIK, ka dyshime për përfshirje të prokurores Musabelliu në korrupsion pasiv në një çështje civile dhe dekonspirim të informacioneve sekrete në Prokurorinë për Krime të Rënda gjatë vendimit të moskompetencës për një çështje.

Komisioni ka verifikuar informacionet e reja të përcjella nga DSIK nga ku ka konstatuar se vendimi i moskopetencës është kryer nga një tjetër prokuror dhe jo nga Musabelliu. Sipas KPK-së, duke qenë se shtetasi M.M. është ende nën hetim nuk mund të vlerësohet nëse ka pasur ose jo dekonspirim. “Lidhur me rastin tjetër, DSIK-së i janë kërkuar informacione, por nuk ka pasur të dhëna”, tha relatorja Shuli.

Prokurorja Doloreza Musabelliu e kundërshtoi raportin e dytë të DSIK duke e quajtur atë të paligjshëm e abuziv. “Lidhur me raportin e dytë të DSIK për pastërtisë së figurës kam pësuar shok… .  Kjo si pasojë e një raporti të paligjshëm. Ka dashkeqësi dhe abuzivitet. Punonjësit e DSIK duhet të kishin kryer të paktën dy verifikime, nëse unë isha njohur me informacionin e klasifikuar të M.M. dhe nëse kam hetuar atë. DSIK në këtë rast nuk ka qenë institucion ndihmës, por ç’ndihmës. Kontrolli i figurës nga ana e tyre nuk ka qenë objektiv, por subjektiv”, theksoi Musabelliu.

“Raporti është i paplotë dhe abuziv pasi janë futur të dhëna që nuk kanë të bëjnë me mua, por me një prokuror tjetër. Raporti DSIK është i pabazuar pasi nuk kam disponuar asnjë informacion të klasifikuar sekret shtetëror. Sipas DSIK paskam dekonspiruar kur kam kryer shpalljen e moskompetencës për çështjen në fjalë, por këtë e ka kryer një prokuror tjetër. Punonjësit e DSIK duhet të bëhen të përgjegjshëm. Nuk mund të cënojnë punën ime 15 vjeçare me dy radhë të paverifikuara”, deklaroi prokuorja Musabelliu gjatë seancës dëgjimore.

Lidhur me profesionalizimin, prokurorja Musabelliu u vlerësuar përgjithësisht pozitivisht. Por nga 6 denoncime të kryera nga publiku, në një prej tyre Komisioni ka evidentuar se Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore që nuk ishin kryer prej saj. Relatorja Shuli shpjegoi se denoncuesi A.B. pretendon se Musabelliu ka shkelur ligjin për shpalljen e moskompetencës për tre vepra penale nga 9 që ai kishte kallëzuar ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit.

Lidhur me denoncimin e kryer Musabelliu tha se bëhej fjalë për 8 vepra penale, pasi dy ishin të njëjta, ndërsa e cilësoi denoncimin abuzib. “Ai kallëzonte kryeministrin, ish-kryeministrin, ministrin dhe ish-ministrin e Financave, gjyqtarë, noterë e ish-ortakun, edhe pse ky i fundit kishte fituar çështjen në Strasburg”, pohoi të hënën prokurorja Musabelliu.

Në fund të seancës dëgjimore, relatorja Shuli e pyeti ndër të tjera lidhur me raportin e DSIK, ku sipas saj thuhej se është dekonspiruar informacion sekret dhe jo informacion i klasifikuar skeret shtetëror. Prokurorja Musabelliu shpjegoi se në materialin e dërguar nga prokuroria e Durrësit bëhej fjalë për sekret shtetëror.

“Edhe në rastet kur e marrim një dokument të klasifikuar si sekret shtetëror e lexojmë dhe pastaj e vendosim në kasafortë, nuk e fusim tek fashikujt e dosjes hetimore. Ndërsa sekreti hetimor ka të bëjë me informacione që dalin para se të kryejmë veprime të hapura”, tha Musabelliu.

Anëtarja e trupës gjykuese të KPK, Pamela Qirko e Pyetoi prokuroren Musabelliu nëse ajo kishte pasur kontakte me shtetasin M.M. për çështjen e të cilit DSIK ka raportuar se është kryer dekonspirimi i informacioneve sekrete. Prokurorja Musabelliu tha se nuk kishte pasur ndonjëherë kontakt me të.

Në fund të seancës, pasi e konsideroi hetimin administrative objektiv dhe të gjithënashëm, prokurorja Doloreza Musabelliu kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 5 dhjetor, ora 09:30.