Prokurori Adnan kosova dhe avokati Sokol Hazizaj gjatë seancës në KPA. Foto:BIRN
KPA Lajme Vendi

Kapari i viti 1998, KPA shkarkon me shumicë votash Adnan Kosovën

Me votat e tre anëtarëve të trupës Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi Prokurorin Adnan Kosova, duke arsyetuar se ai nuk kishte justifikuar një kapar prej 1.5 milion lekësh.

Prokurori Adnan kosova dhe avokati Sokol Hazizaj gjatë seancës në KPA. Foto:BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të premten të shkarkojë prokurorin Adnan Kosova, pasi arsyetoi se ai nuk kishte provuar marrjen e një kapari prej 1.5 milion lekësh në vitin 1998, para që ishin përdorur për blerjen e një shtëpie.

Trupa gjykuese u nda në vendim. Shumica përfshi anëtarët Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Ardian Hajdari votoi për shkarkimin e Kosovës, ndërsa në pakicë relatorja Ina Rama dhe kryesuesi i trupës Sokol Çomo votuan kundër.

Prokurori Andan Kosova u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi i tij u ankimua nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, me arsyetimin se ai nuk dokumentonte dot marrjen e një shume kapar prej 1.5 milion lekësh në vitin 1998.

Kosova pretendoi se kishte shitur një shtëpi në këtë vit dhe kishte marrë në dorë një kapar prej 1.5 milion lekësh, por në kontratën e shitblerjes në vitin 2002 ky kapar nuk është përmendur. Ish-prokurori pretendoi se kishte sjellë prova të mjaftueshme për të dokumentuar marrjen e kaparit, por arsyetimet e tij nuk bindën tre anëtarë të Kolegjit që vendosën në favor të ndryshimit të vendimit të KPK dhe shkarkimin e tij nga detyra.

“Subjekti i rivlerësimit si gjatë hetimit administrativ të kryer në Komision ashtu edhe gjatë gjykimit në Kolegj, rezulton se nuk arriti të justifikojë me dokumentacion marrjen e kaparit në kuptim të nenit  D pika 3 të Aneksit të Kushtetutës dhe të nenit 33 pika 5 germa “b”,  të ligjit nr.84/2016, shumë e cila sipas subjektit të rivlerësimit është përdorur prej tij për pagimin e këstit të parë për blerjen e apartamentit prej 98 m2 në  rrugën “Muhamet Gjollesha”, në Tiranë”, thuhet në vendimin e shkurtuar.

“Në përfundim, mbështetur në konkluzionet e mësipërme Kolegji vlerëson se subjekti i rivlerësimit rezulton me mungesë të burimeve financiare dhe nuk arrin të justifikojë burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë së deklaruar prej tij”, thuhet në vendimin e shumicës. Arsyetimi i pakicës do të publikohen në zbardhjen e vendimit përfundimtar.

Korrigjim: Ky shkrim u ndryshua për të korrigjuar referimin gabimisht të ish-Prokurorit Adnan Kosova si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *