Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës Arjan Balliu duke dalë nga seanca dëgjimore. Foto:BIRN
KPK Lajme Vendi

Kërkesa për përjashtimin e relatorit, KPK shtyn seancën për gjyqtarin Arjan Balliu

Dy kërkesa paraprake të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Durrësit, Arjan Balliu detyruan Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të shtynte datën e seancës dëgjimore. Hetimi ndaj Balliut ishte përfunduar vetëm në një kriter.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Durrës Arjan Balliu duke dalë nga seanca dëgjimore. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të mërkurën se kishte përfunduar hetimin administrativ vetëm për kriterin e pasurisë, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Durrësit, Arjan Balliu, por pas dy kërkesave paraprake të këtij të fundit vendosi shtyrjen e zhvillimit të seancës dëgjimore.

Balliu pretendoi në pjesën përgatitore të seancës se nuk i kishte marrë të gjitha dokumentet për procesin nga KPK dhe para se fjala t’i jepej relatorit të çështjes tha se kishte dy kërkesa paraprake. Gjyqtari kërkoi çelje të rivlerësimit në dy kriteret e tjera dhe njohjen e tij me rezultatet në këto kritere dhe po ashtu përjashtimin e relatorit të çështjes i cili sipas tij nuk e kishte njohur me të gjitha elementet e dosjes.

Balliu pretendoi se kërkesat e tij ishin më të detajuara në një dokument që i dorëzoi KPK. Trupa gjyqësore e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktari, pasi ndërpreu për 10 minuta seancës doli me vendim ta shtynte atë. Kryesuesja Pine tha se do të shortohej një trupë tjetër gjykuese për të vendosur për kërkesën për përjashtim të relatorit, ndërsa trupi gjykues do të merrte edhe një vendim mbi çeljen apo jo të rivlerësimit në dy kriteret e tjera.

Arjan Balliu e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës deri në vitin 2000. Më pas, zoti Balliu ka punuar si drejtor i Lojërave të Fatit në Ministrinë e Financave. Nga viti 2004 Balliu ka ushtruar profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 është emëruar inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është rikthyer në sistemin gjyqësor në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *