Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Kërkesa për rihapje të hetimeve vulosi shkarkimin e prokurorit Shpëtim Kurti

Prokurori i Tiranës, Shpëtim Kurti kontestoi mbylljen e hetimeve vetëm për kriterin e pasurisë, por rihapja e procesit nga KPK e rëndoi pozitën e tij-duke ekspozuar edhe lidhjen me një person të përfshirë në krim të organizuar.

Prokurori Shpëtim Kurti (djathtas) dhe avokati i tij gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto : Besar Likmeta

Në maj 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i mbylli hetimet për prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti vetëm për kriterin e pasurisë. Por një kërkesë e Kurtit për t’u rivlerësuar në të tre kriteret i rihapi hetimet dhe në nëntor 2018, KPK arriti në përfundimin se prokurori nuk kalonte as testin e pastërtisë së figurës.

Në vendimin e zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezulton se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka ndihmuar në hetimin e pasurisë. Rihapja e hetimeve vulosi shkarkimin e Kurtit, të cilit ndërsa i ishin gjetur më parë probleme me justifikimin e pasurisë, iu zbuluan nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) edhe kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Roland Ilian shprehet në vendim se rihetimi zbuloi kontaktet e Kurtit gjatë kohës që ishte prokuror me një person me inicialet H.M, i proceduar disa herë për trafik qeniesh njerëzore.

Në vendim bëhet me dije se një pjesë e informacioneve rreth kontakteve të Kurtit me persona të akuzuar për “krim të organizuar” dhe fakti se ai mund t’i ketë ndihmuar ata mbetej i klasifikuar, por KPK dhe ONM i kishin shqyrtuar këto dokumente dhe se pretendimet e ngritura aty provoheshin edhe prej denoncimeve apo rrethanave të tjera.

Kurti kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket pasurisë dhe problemeve që u gjetën për të, po ashtu ai e cilësoi “irreale dhe të pasakta” konkluzionet e DSIK-së rreth figurës së tij. Ai kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Favorizimi i të akuzuarit për trafik njerëzor

Vendimi i zbardhur i KPK-së sqaron se Kurti ishte konsideruar i papërshtatshëm nga DSIK që në raportin e parë dërguar Komisionit, por kjo nuk ishte marrë parasysh nga treshja që i mbylli hetimet bazuar vetëm në kriterin e pasurisë.

Rihapja e hetimeve për të tre kriteret bëri që KPK të rishqyrtonte dosjen e nisur nga DSIK. Sipas vendimit të zbardhur, raporti i klasifikuar u rifreskua edhe dy herë të tjera në gusht dhe në nëntor të 2018, duke përforcuar gjetjet e raportit të parë që e konsideronte Kurtin si “subjekt me tendenca për t’u përfshirë në krimin e organizuar dhe që mund të vihet nën presion nga këto struktura”.

Hetimet e KPK konfirmuan gjetjet e DSIK-së. Sipas vendimit të zbardhur ishin provuar disa kontakte të prokurorit të shkarkuar me një person me inicialet H.M. Ndërsa Kurti pretendoi se bëhej fjalë vetëm për një takim rastësor, KPK thotë se raportet tregonin disa takime jo rastësore.

KPK thotë se përveç raporteve, disa denocime ndaj Kurtit dhe shqyrtimi i dosjeve të tij si prokuror dhe i atyre që kishte mbikëqyrur si zëvendës prokuror i rrethit Tiranë, çonin logjikisht në të njëjtin përfundim.

Komisioni megjithatë ka marrë një vendim të ndërmjetëm për të mos deklasifikuar një pjesë të informacionit të marrë, megjithë kërkesën e Kurtit, me qëllim ruajtjen e burimeve. Duke iu referuar një çështjeje gjyqësore në Gjykatë Europiane të të Drejtave të Njeriut, KPK ka arsyetuar se shqyrtimi i këtij informacioni nga trupa gjykuese dhe nga vëzhguesi ndërkombëtar ishte i mjaftueshëm, pasi po ashtu kishte edhe informacion të deklasifikuar që provonte përfundimin e arritur.

“Veç të tjerash, vlen të theksohet se rezultati negativ i rivlerësimit të figurës nuk mbështetet vetëm në informacionin e klasifikuar, por gjithashtu, – veç pjesëve të deklasifikuara të raporteve të DSIK-së, – ai është bazuar edhe në burime të tjera informacionesh të paklasifikuara, siç janë në dosjet e administruara nga prokuroria dhe ankesat, të cilat i janë bërë me dije subjektit,” thuhet në vendimin e zbardhur.

Në arsyetim KPK shprehet se Kurti kishte mbikëqyrur një nga hetimet ndaj H.M. KPK thotë se me mbërritjen e dosjes në Prokurorinë e Tiranës nga Krimet e Rënda, Kurti kishte caktuar prokurorin E.K për ta hetuar atë.

Vendimet e marra nga prokurori i caktuar prej Kurtit ishin sipas KPK-së në favor të të akuzuarit, të cilit i ishte zbutur menjëherë masa e sigurisë. Po ashtu, atij i ishin kthyer një makinë dhe telefonat e sekuestruar për llogari të hetimit dhe në vijim ndaj tij e personave të tjerë ishte kërkuar dënim minimal.

KPK thotë se hetimet ishin zgjatur me firmën e Kurtit disa herë, por ndërkohë nuk ishin kryer veprime hetimore. Një material në frengjisht që pretendohej se pritej të përkthehej zyrtarisht, ishte përkthyer më herët nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Po ashtu, Komisioni vuri në dukje se vendimarrja e prokurorit për të kërkuar dënim minimal ishte e pabazuar dhe kryesisht e ngritur mbi pohime të rreme.

Sipas vendimit të zbardhur, prokurori kishte kërkuar dënim minimal për shkak të moshës së re të të akuzuarve, por H.M ishte 47 vjeç në kohën që akuzohej. Po ashtu, në konkluzione prokurori kërkonte dënim minimal sepse të pandehurit ishin penduar, por kjo nuk rezultonte në qëndrimet e tyre. Dënimi minimal kërkohej edhe sepse të akuzuarit nuk ishin dënuar më parë, por rezultonte se H.M ishte dënuar edhe për falsifikim kartmonedhash.

Komisioni arsyeton se Kurti kishte ndihmuar H.M në këtë çështje, duke ndikuar te prokurori i caktuar në këtë çështje prej tij.  “Subjekti ka ushtruar papërshtatshmërisht kompetencat e tij në mënyrë selektive ndaj shtetasit H. M. Kjo përkon me përmbajtjen e denoncimeve dhe të informacioneve të klasifikuara të verifikuara nga trupi gjykues dhe nga vëzhguesi ndërkombëtar– sipas të cilave, ka qenë angazhimi dhe ndikimi i paligjshëm i z. Shpëtim Kurti, duke shfrytëzuar pozicionin, që ka favorizuar shtetasin H.M”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Kurti ka kundërshtuar gjetjet e DSIK-së duke i cilësuar irreale. Ai ka thënë se kishte takuar vetëm një herë rastësisht shtetasin H.M, që vinte nga e njëjta zonë,  në një lokal pranë prokurorisë, por në atë kohë ndaj këtij personi nuk kishte çështje penale. Avokati i Kurtit kërkoi ndërkohë që dokumentacioni i  klasifikuar të deklasifikohej, por kjo u refuzua nga KPK, pasi sipas treshes gjykuese kjo cënonte burimin e informacionit.

Problemet me pasurinë

Një mori pasaktësish dhe problemesh në deklarimin e pasurisë e patën bindur KPK të mbyllë hetimet për Shpëtim Kurtin vetëm në këtë kriter në maj të vitit 2018. Sipas vendimit të zbardhur, Kurti ishte cilësuar me probleme nga  Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Sipas ILDKPKI, deklarimi i Kurtit nuk ishte i saktë dhe në përputhje me ligjin, nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë, ka kryer fshehje të pasurisë dhe ka kryer deklarim të rremë.

Problemet e Kurtit me pasurinë rezultuan të hershme. KPK zbuloi se ai kishte përfituar një apartament si i pastrehë me shitjen e të cilit kishte blerë një shtëpi në Tiranë. Komisioni thotë se nga hetimet rezultoi se megjithëse kishte tokë dhe shtëpi në bashkëpronësi me babanë, Kurti kishte aplikuar si i pastrehë dhe kishte përfituar një apartament 84 metra katrorë në Kukës.

Komisioni thotë në arsyetim se “ka një mospërputhje midis faktit që subjektit të rivlerësimit i është dhënë/njohur statusi si “familje e pastrehë”, dhe faktit që ai ka pasur në bashkëpronësi një banesë si dhe ka përfituar tokë nga ligji nr. 7501/1991”.

Gjithashtu, KPK thotë se gjeti mospërputhje edhe midis sipërfaqes së tokës që realisht është përfituar nga ajo që ishte deklaruar. Sipas Komisionit, Kurti ka deklaruar përfitimin e 6310 metrash katrorë tokë, por në fakt kishte marrë 1 hektarë. Kur aplikoi si i pastrehë ai kishte bashkëpronësi në një shtëpi prej 120 metrash katrorë.

Kurti ia la në këtë rast përgjegjësinë Këshillit Bashkiak, duke pretenduar se nuk kishte bërë deklarime të rreme dhe se kishte aplikuar duke ia lënë në dorë organit vendimmarrës nëse përfitonte apo jo banesë si i pastrehë.

Ai po ashtu pretendoi se pasaktësitë në sipërfaqen e tokës vinin pasi “sasia e tokës e marrë nga familja e subjektit është përfituar – sikurse edhe nga familjet e tjera të asaj zone – në bazë të pjesëve/pronave të trashëguara ndër breza”.

Por KPK e cilësoi këtë “deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm”. Ndërkohë një mori problemesh rezultuan nga mosjustifikimi i disa pasurive të tjera dhe transaksioneve me to, në të cilat rezultuan ishin të përfshirë edhe babai dhe vëllai i prokurorit.

Në vendimin e zbardhur rezulton se në përpjekje për të provuar ligjshëmrinë e pasurisë së të vëllait, gjatë kohës që ai kishte qenë emigrant në Britani,  Kurti i dorëzoi KPK-së një dokument që pas verifikimeve nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rezultoi jo autentik.

KPK thotë se kompania që supozohej se kishte lëshuar dokumentin e kishte mohuar atë dhe po ashtu kishte deklaruar se personi me inicalet P.S që kishte firmosur dokumentin, nuk punonte për të të paktën prej vitit 2007.

“Kjo do të thotë që subjekti ka paraqitur si provë një dokument jo autentik, për sa u arsyetua edhe më lart, dhe për rrjedhojë, rezulton qartë se ka dështuar tentativa e kryer nga subjekti i rivlerësimit për të provuar burimin e ligjshëm të të ardhurave”, thuhet në arsyetim.

Bazuar mbi këtë fakt, KPK gjeti të pajustifikuar edhe disa transaksione të tjera. Komisioni arriti në përfundimin se përsa kohë nuk provohej burimi i ligjshëm i pasurisë së vëllait emigrant, një sërë pasurish që kishin këtë si burim nuk mund të konsideroheshin të justifikuara.

Ngjashëm KPK cilësoi një shumë prej 58 mijë eurosh të kursyera nga shitja e një apartamenti te vëllai i prokurorit. I pajustifikuar u cilësua një apartament në përdorim dhe pa qira në emër të babait të Kurtit, i cilis sipas KPK-së nuk kishte të ardhura për ta blerë atë dhe dy garazhe.

“Gjithashtu nuk rezulton që në emër të babait të subjektit të rivlerësimit të ketë ndonjë automjet të regjistruar në emrin e vet, gjë e cila mund të shpjegonte nevojën e tij për blerjen dhe përdorimin e garazhit të sipërpërmendur”, thuhet në vendim.

KPK rrëzoi pretendimin e Kurtit se babai dhe vëllai nuk duhej të konsideroheshin persona të lidhur. Po ashtu u rrëzuan edhe argumentet e tij mbi dokumentin që u provua jo autentik pas hetimeve nga ONM.

Në fund KPK arsyetoi se “subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm” sa i përket kriterit të pasurisë dhe “është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës së tij”, bazuar mbi hetimin në kriterin e pastërtisë së figurës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *