Këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Maela Alicanaj kalon vetingun
Lajme

Këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Maela Alicanaj kalon vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë këshilltaren Alicanaj, duke e konsideruar atë të përshtatshme për vazhdimin e karrierës në sistemin e drejtësisë.

Maela Alicanaj pas shpalljes së vendimit nga KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Ndihmësja ligjore, Maela Alicanaj, njëkohësisht studente e Magjistraturës u konfirmua pasditen e së mërkurës në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Alicanaj u hetua për të tre kriteret dhe u konsiderua e përshtatshme për vazhdimin e karrierës së saj në sistemin e drejtësisë.

Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit për të përbëhej nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Genta Tafa Bungo anëtare. Gjatë séancës dëgjimore, ndihmëses ligjore iu vu në dukje mungesa e burimeve, pasi fillimisht KPK nuk kishte marrë në konsideratë disa të ardhura të pretenduara nga subjekti.

Pyetje kandidates për gjyqtare iu bënë edhe sa i përket disa transaksioneve me qëllim blerjen e një shtëpie në Tiranë, por që rezultoi se nuk ishte përfunduar. KPK po ashtu shtroi si çështje mosdeklarimin e përdorimit të një apartamenti në të cilin ajo dhe familja e saj kishte jetuar.

Alicanaj kundërshtoi gjetjet në analizën financiare. Ajo paraqiti në KPK prova shtesë sa i përket të ardhurave nga një dyqan në Fier dhe pagesën e tatimeve. Po ashtu ajo kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket shtëpisë në të cilën kishte banuar dhe dha shpjegime mbi tjetërsimin e destinacionit të një kredie që ishte marrë për blerjen e një apartamenti.

Pas përmendjes nga relatori se Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në raportin për profesionalizmin e saj kishte vërejtur “mangësi substanciale”, Alicanaj argumentoi se ajo kishte dalë e para në testimin pranë Shkollës së Magjistraturës dhe dha shpjegime mbi kritikat e IKLD-së.

Maela Alicanaj ka punuar si avokate e Shtetit në zyrën vendore të Vlorës, përpara se të emërohej këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë. Ajo vazhdon ta kryejë këtë detyrë prej vitit 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *