Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami dhe anëtarët e tjerë të Këshillit gjatë një mbledhjeje. Foto: LSA
KPK Lajme Në Fokus

KLGJ përgatitet të marrë stafetën e vetingut në vitin 2022

Në projekt-buxhetin afatmesëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor parashikohet edhe punësimi i 27 ekspertëve për kryerjen e vetingut pas qershorit të vitit 2022, kohë kur skadon mandati 5-vjeçar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami dhe anëtarët e tjerë të Këshillit gjatë një mbledhjeje. Foto: LSA

Këshilli i Lartë Gjyqësor po përgatitet të marrë përsipër procesin e vetingut, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po hyn në vitin e fundit të mandatit të vet 5-vjeçar.

Të enjten, KLGJ miratoi me votat e nëntë anëtarëve projektvendimin “Projekt-Buxheti Afatmesëm 2022-2024 për Sistemin Gjyqësor”, ku parashikohet edhe punësimi i 27 ekspertëve për të kryer procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët pas qershorit të vitit 2022.

Drejtoresha e Buxhetit dhe Administrimit në KLGJ, Luljeta Laze shpjegoi në mbledhjen plenare të së enjtes se efekti buxhetor për 27 punonjësit e rinj është përgatitur për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022.

“Nëse KLGJ e merr këtë detyrë,” tha Laze, duke iu referuar parashikimeve kushtetuese për mandatit 5-vjeçar të KPK-së dhe transferimin e këtij procesi në Këshillin e Lartë Gjyqësor pas këtij afati.

Neni 179/b i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton se mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit tyre, ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit është 9 vjet.

Pas shpërbërjes së Komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit parashikohet të shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët.

Nga fillimi i punës në vitin 2017 dhe deri në korrik të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përfunduar procesin e vetingut për 421 magjistratë nga 801 subjekte në total. Nga këta janë konfirmuar vetëm 174 magjistratë ose 40% e totalit, ndërsa pjesa tjetër u shkarkuan nga detyra ose u larguan me dorëheqje.

Me një numër ende të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh për t’u vetuar, mungon ende një vendimarrje nëse do të ketë një shtyrje të mandatit të KPK-së apo nëse kjo kompetencë do t’i kalojë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Një zgjatje e mundshme e mandatit të KPK-së do të kërkojë megjithatë ndryshime kushtetuese.

Sipas shpjegimeve të Lazes, buxheti i parashikuar për të gjithë sistemin gjyqësor, përfshi KLGJ-në, gjykatat dhe Qendrën për Teknologjinë e Informacionit, QTI për vitin 2022 është 4.9 miliardë lekë.

Në këtë kërkesë buxhetore përshihen shpenzimet për personelin; shpenzime operative dhe kapitale.

Laze shpjegoi para Këshillit se kërkesat buxhetore për vitin 2022 janë 29% më shumë nga tavani i miratuar, ku pjesa më e madhe prej 92.7% u shkon gjykatave.

Veç faturës për personelin që pritet të shtohet nga punësimi i ndihmësve ligjorë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, janë parashikuar fonde për rikonstruksionin apo ndërtimin e gjykatave dhe për projekte për dixhitalizimin e dosjeve dhe dokumenteve gjyqësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *