Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita në KPA. Foto: Vladimir Karaj.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Kolegji dëgjon konkluzionet në çështjen e gjyqtarit Kastriot Selita

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit, ndërsa Selita tha se kishte provuar ligjshmërinë e pasurisë dhe kërkoi konfirmimin.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita në KPA. Foto: Vladimir Karaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën të administrojë si prova një shkresë të Drejtorisë së Apelimit Tatimor dhe qëndrimin e gjyqtarit Kastriot Selita për shpenzimet e jetesës për periudhën 1997-1998, të kërkuara në seancën parardhëse. Ndërkohë Selita u tërhoq nga një kërkesë për marrjen e informacioneve nga banka “Intesa Sanpaolo” lidhur me transaksionet e fondacionit me të cilin kishte bashkëpunuar bashkëshortja e tij në vitin 2002. Ai theksoi se dy aktet e dorëzuara me parë vërtetojnë transaksionet bankare nga ana e bashkëshortes së tij për llogari të fondacionit.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkime shtesë, Kolegji vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të paraqesin konkluzionet përfundimtare. Kastriot Selita, i cili drejton Gjykatën Administrative të Apelit prej vitit 2013 u konfirmua në detyrë nga KPK në qershor 2019 me votat e Brunilda Bekteshit dhe Lulzim Hamitajt, ndërkohë që kryesuesi Olsi Komici votoi për shkarkimin. Vendimi u ankimua më pas nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa.

Në fillim të paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Ballhysa theksoi se në përfundim të këtij procesi, u qëndronte të gjithë shkaqeve të ngritura në ankim dhe në parashtrime. Sipas tij, qëndronin të njëjtat rrethana të faktit dhe të intepretimit ligjor lidhur me banesën 124.9 m2 në Tiranë, me burim të pjesshëm të ardhurat e krijuara nga shitja e një shtëpie banimi 2 kate + papafingo, me sipërfaqe 268,2 m2 nga vjehrri i subjektit. Ballhysa kërkoi në ankim që të hetoheshin burimet e kirjimit të apartamentit 124.9 m2 në Tiranë.

Ai konstatoi të mërkurën se pagesat për banesën me dy kate ishin kryer deri në vitin 2004 dhe se kostoja e ndërtimit ishte 7.2 milionë lekë, sipas vlerës së përcaktuar nga Enti i Banesave dhe jo aq sa pretendonte subjekti.

Selita e kundërshtoi duke pretenduar se kishte provuar me dokumentacion ligjor se kostoja e ndërtimit të kësaj shtëpie kishte qenë në total 5 milionë lekë dhe se familja e bashkëshortes ka pasur burime të mjaftueshme për kryerjen e këtij invetimi në vitet 2003-2004. Sipas subjektit, nuk ka ekzistuar çmim blerjeje pasi shtëpia është ndërtuar dhe se Kadastra ka pasqyruar çmimin e shitjes që është shënuar për efekt të pagesës së detyrimeve tatimore.

Komisioneri konstatoi se nuk ishte arritur të provohej përfitimi i të ardhurave të bashkëshortes nga një fondacion për vitet 2002 – 2003, si dhe ligjshmëria e tyre për gjithë periudhën tjetër. Ai shtoi se nuk provohej pretendimi i Selitës se nuk kishte pasur shpenzime për mobilimin e kësaj shtëpie.

Gjyqtari Selita këmbënguli gjatë konkluzioneve të tij se familja e bashkëshortes kishte pasur burime të mjaftueshme të ligjshme për shtëpinë, një pjesë e vlerës së shitjes së të cilës ka shërbyer për blejen e apartamentit 124.9 m2.

Ai theksoi se kishte arritur të provonte të ardhurat e siguruara prej bashkëshortes nga bashkëpunimi me një fondacion të huaj. Gjithashtu, Selita deklaroi se ishte provuar se nuk kishte pasur shpenzime për mobilimin dhe qiranë dhe se trualli në shumën 500 mijë lekë dhe një automjet ishin blerë në atë periudhë me burime të ligjshme.

Për blerjen e një apartamenti 29.86 m2 dhe një garazhi 12.5 m2 në Tiranë, subjekti ka deklaruar sërish të ardhurat e bashkëshortes, të përfituara nga shitja e një apartamenti që ishte blerë me të ardhurat e shitjes së shtëpisë në Linzë. Si burim krijimi të kësaj të fundit, janë deklaruar një kredi në shumën 23 mijë euro dhe 9 mijë euro kursime familjare.

Ballhysa konkludon se rezulton që kredia të jetë përdorur për shlyerjen e një huaje dhe i kërkoi Kolegjit që ta zgjidhi këtë çështje bazuar edhe në jurispudencën e mëparshme. Ndërkohë, Komisioneri solli në vëmendje se dhurimet që bashkëshortja kishte përfituar nga familjarët nga shitja e pasurive nuk mund të përjashtoheshin nga detyrimi tatimor. Ai vërejti se sipas jurisprudencës së mëparshme të KPA, përjashtimi i dhurimeve nga deytyrimet tatimore bëhej vetëm bazuar në ligjin specifik.

Selita i kundërshtoi këto konkluzione të Komisionerit dhe tha se rezultonte e provuar se shuma 23 mijë euro përfaqëson kredinë që ka shërbyer si burim për shtëpinë. Sipas tij, evidentohet edhe qëllimi i bashkëshortes që në 2004-ën do të ndërtonte një shtëpi. Ai tha se mbyllja e kredisë ishte kryer me qëllim marrjen e një kredie tjetër dhe se të gjitha provat që kishte dorëzuar vërtetonin logjikën e veprimeve.

Subjekti këmbënguli se provoheshin burimet e ligjshme në vitet 2004-2006 për blerjen e një automjeti në shumën 1.2 milionë lekë dhe për pagesën e një këstit të dytë të shtëpisë në shumën 9 mijë euro.

Ballhysa tha gjatë konkluzioneve përfundimtare se gjatë hetimit në Kolegj nuk ishin administruar prova që të vërtetonin burimin e ligjshëm për blerjen e një apartamenti Duplex me sipërfaqe totale 205.33 m2 dhe truall me sipërfaqe 521, 8 m2 në Lalëz të Durrësit. Si pjesë të burimeve të kësaj pasurie, Selita ka deklaruar të ardhurat e bashkëshortes para martese.

Selita tha se bashkëshortes nuk i janë dhuruar shuma parash nga familjarët por i është dhënë pjesa e saj takuese pas shitjes së pasurive, pasi ajo kishte kontribuar në ekonominë e përbashkët familjare. Ai theksoi se ishin paguar detyrimet tatimore për të ardhurat e përfituara nga shitja dhe se nuk mund të paguhej sërish tatim për vlerën e marrë prej bashkëshortes.

Në përfundim të konkluzioneve për pasurinë, subjekti tha se parashtrimi i Komisionerit është pa shkak ligjor dhe solli në vëmendje të Kolegjit se në raste të ngjashme ishte vendosur mosankimi. “Të gjitha shkaqet e ngritura nga Komisioneri për kriterin e pasurisë janë të pabazuara,” pohoi Selita.

Komsioneri Publik tha se u qëndronte edhe shkaqeve të ngritura për profesionalizmin. Ai konstatoi se subjekti ka gjykuar në kushtet e konfliktit të interesit në çështjet për dy kompani me të cilat ai dhe bashkëshortja kanë pasur marrdhënie para dhe pas shqyrtimit të çështjeve. “Subjekti në disa raste nuk e ka dhënë dorëheqjen, ndërsa disa herë e ka dhënë me vonesë,” tha Ballhysa.

Duke iu referuar denoncimeve, Ballhysa deklaroi se Selita ka shfaqur mangësi ligjore, zvarritje të proceseve dhe raste kur për të njëjtën situatë, ka dhënë zgjidhje të ndryshme.

Në përfundim, Komisioneri Ballhysa kërkoi ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita.

Selita i kundërshtoi edhe konkluzionet e Komisionerit për profesionalizmin. Ai theksoi se nuk kishte gjykuar asnjëherë në kushtet e konfliktit të interesit dhe se nuk kishte pasur aryse njëanshmërie. Subjekti i cilësoi të pavërteta pretendimet e ngritura nga denoncuesit dhe theksoi se kishte gjykuar dhe vepruar në përputhje me ligjin.

Në përfundim të konkluzioneve, gjyqtari Selita kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK për pikën e parë që ka të bëjë me konfirmimin në detyrë dhe ndryshimin e pikës 2 për transferimin e një dosje për inspektim të Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 31 maj, ora 13:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *