Prokurori Elvin Gokaj në seancën e parë përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA
Korrupsioni KPA Lajme Në Fokus

Kolegji dëgjon konkluzionet përfundimtare në çështjen e prokurorit Elvin Gokaj

Komisioneri Publik i qëndroi kërkesës për shkarkim të prokurorit të Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj, ndërsa ky i fundit tha se kërkesa është e pabazuar dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Prokurori Elvin Gokaj në seancën e parë përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA

Komisioneri Publik, Darjel Sina u qëndroi të gjitha shkaqeve të ngritura në ankimin kundër vendimit të Komisionit për pezullimin nga detyra të prokurorit Elvin Gokaj dhe kërkoi shkarkimin e tij, ndërsa ky i fundit i cilësoi konkluzionet e Sinës të pabazuara dhe kërkoi konfirmimin dhe rifillimin e detyrës, pas kryerjes së trajnimit një-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës.

Në fillim të seancës, Gokaj paraqiti qëndrimin e tij për analizën e dytë financiare të kryer nga Komisioneri Publik lidhur me mundësinë e bashkëshortes së subjektit për të investuar në disa llogari dyemërore me vjehrrën dhe nënën e saj.

Gokaj këmbënguli se nuk qëndronte pretendimi dhe analiza financiare e Komisionerit për këto llogari dyemërore. Ai pretendoi se bashkëshortja e tij nuk ishte në cilësinë e bashkëpronares në këto llogari dyemërore, por thjesht si përfaqësuese për kryerjen e veprimeve administrative për llogari të familjarëve të tyre.

“U njohëm me analizën e Komisionerit Publik për llogaritë dyemërore, i cili në fakt nxjerr rezultate të ndryshme. Është i pambështetur konkluzioni se llogaritë janë të përbashkëta, pasi kemi vërtetuar se u përkasin personave të tretë,” pohoi Gokaj.

Ai solli si argument faktin se si burim i vlerave të depozitave dyemërore ishin shënuar të ardhurat nga emigracioni. “Deklarimi i të ardhurave të vlerave të depozituara nga emigracioni, përjashton mundësinë që të ishin depozituar të ardhurat e mia dhe të bashkëshortes, pasi nuk kemi asnjë të ardhur nga emigracioni,” shtoi prokurori.

Ai paraqiti si argument për të vërtetuar pretendimin e tij edhe përcaktimin në kontratën bankare të lidhëzës “ose”. Sipas tij, vendosja e kësaj lidhëse në kontratë u ishte sygjeruar nga banka për t’i dhënë mundësinë bashkëshortes së tij të kryente veprime për llogari të nënës.

“Bashkëshortja duhej që fillimisht të bëhej pronare e vlerave të pretenduara. Komisioneri Publik nuk ka sjellë prova të tilla,” tha Gokaj. Ai shtoi se, edhe pse bashkëshortja nuk ka pasur prokurorë përfaqësimi, kontrata e bankës e rregullonte këtë cilësim.

Prokurori Gokaj tha se me veprimet e kryera në llogaritë dyemërore, bashkëshortja kishte ndihmuar nënën e tij dhe të sajën. “Këto llogari i kemi deklaruar në rubrikën e të dhënave konfidenciale për të pasqyruar veprimet, por nuk kemi pasur detyrimin t’i deklaronim,” tha Gokaj dhe kërkoi që kjo situatë të vlerësohej me objektivitet nga KPA.

Pas parashtrimit të qëndrimit të Gokajt lidhur me analizën financiare të Komisionerit, trupi gjykues i Kolegjit deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u kërkoi palëve të paraqisnin konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Publik, Dariel Sina tha se provat dhe pretendimet e paraqitura nga Gokaj, nuk kishin arritur të provonin të kundërtën e asnjë prej shkaqeve të ngritura prej tij në ankim.

Lidhur me llogaritë dyemërore, Sina solli në vëmendje se sipas kontratës, bashkëshortja e prokurorit Gokaj rezultonte në cilësinë e titullares dhe se ajo kishte përfituar interesa. Ai shtoi se nga dokumentacionet e administruara rezulton se bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit kishte disponuar llogari dyemërore me nënën dhe vjehrrën e saj, si dhe kishte kryer tërheqje dhe dopozitime. “Përderisa nuk vërtetohet e kundërta, është bashkëpronare në këto depozita dyemërore”, theksoi Komisioneri Sina.

Ai shtoi se Gokaj dhe bashkëshortja e tij rezultonin në pamundësi financiare për të investuar gjysmën e vlerave të depozitave, pasi rezultonin me balancë negative në vlerën totale – 2 milionë e 355 mijë lekë.

“Nuk mbulojnë me burime financiare të ligjshme pjesën takuese në llogaritë dyemërore dhe kanë kryer deklarim të pamjaftueshëm”, konstatoi Komisioneri Sina.

Relatorja Albana Shtylla evidentoi se në konkluzionet e Komisionerit gjendeshin dy vlera të ndryshme për balancën negative lidhur me llogaritë dyemërore dhe i kërkoi të saktësonte si cilës i qëndronte. Sina u shpreh se vlera e balancës negative sipas tij ishte – 2 milionë e 355 mijë lekë.

Sina i qëndroi konstatimit fillestar se prokurori Gokaj nuk kishte pasur mundësi për shlyerjen e këstit të parë të një apartamenti të blerë në vitin 2009, pasi rezultonte në pamundësi financiare në vlerën -838 mijë lekë. Ai shtoi se Gokaj nuk ka deklaruar saktë burimin e vlerës 20 mijë euro që ka shërbyer për pagesën e këstit të parë, si edhe për këstin e dytë.

Edhe lidhur me këtë pasuri, Komisioneri Publik Dariel Sina konkludoi se Gokaj kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe kërkoi shkarkimin e tij nga detyra për kriterin e pasurisë.

Përfaqësuesja ligjore e prokurorit Gokaj, avokatja Romina Zano i kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit. Lidhur me konstatimin e balancës negative për këstin e parë të apartamentit, Zano tha se Komisioneri nuk kishte përfshirë në analizën financiare të ardhura nga pagat e subjektit të rivlerësimit në vitin 2008.

Sipas saj, për pagesën e këstit të parë kishin shërbyer pagat e subjektit dhe të bashkëshortes së tij, pavarësisht pasaktësisë në deklarimin e vitit 2009 kur ishte shënuar se kishin shërbyer si burim vetëm kursimet e bashkëshortes. Zano shtoi se Gokaj e kishte korrigjuar këtë pasaktësi në vitin 2010 dhe kërkoi që të përfshiheshin në analizën financiare edhe të ardhurat nga pagat e subjektit në vitin 2008 në vlerën totale 1.7 milionë lekë.

“Pasaktësia ka qenë e paqëllimshme. Më datë 31 dhjetor 2008 në llogarinë e subjektit të rivlerësimit janë gjendur vetëm 923 lekë, fakt që tregon se gjithë pagat e atij viti janë tërhequr dhe kanë shërbyer për pagesën e këstit të parë,” tha Zano.

Ajo kërkoi që të përfshihet në analizën financiare edhe kjo vlerë, ku të konstatohet mundësia e kursimit pas zbritjes së shpenzimeve jetike.

Lidhur me depozitat dyemërore, Zano tha se u qëndronte parashtrimeve të Gokajt. Ajo kërkoi që të bëhej zbritja e shpenzimeve të udhëtimit jashtë shtetit, duke pretenduar se kanë qenë të mbuluara nga familjarët e subjektit dhe nga organizata ndërkombëtare në rastin e udhëtimeve të bashkëshortes së Gokajt.

“Pasaktësitë në deklarime nuk mund të përbëjnë shkak shkarkimi. Në asnjë rast pasaktësitë nuk kanë qenë të qëllimshme për të fshehur pasuritë apo për të paraqitur të dhëna e fakte të rreme”, pohoi Zano dhe shtoi se bashkëshortët Gokaj kishin pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive të tyre.

Ajo bëri me dije se tashmë kishte përfunduar trajnimi njëvjeçar në Shkollën e Magjistraturës dhe kërkoi konfirmimin dhe rikthimin në detyrë të prokurorit Elvin Gokaj.

Kolegji bëri me dije se vendimi do të shpallet më datë 18 nëntor, ora 12:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *