Gjyqtarja Alkelina Gazidede gjatë seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj
KPA Lajme Vendi

Kolegji dëgjon parashtrimet në çështjen ndaj gjyqtares Alkelina Gazidede

Në një seancë që zgjati gati 6 orë Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e gjyqtares Alkelina Gazidede për probleme në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Gjyqtarja u mbrojt duke i cilësuar të pabazuara argumentet e ankimit.

Gjyqtarja Alkelina Gazidede gjatë seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten argumentet e palëve në çështjen e rivlerësimit ndaj gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit Alkelina Gazidede.

Gazidede, e cila u konfirmua në 10 korrik 2020 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, u referua për apel nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe u ankua nga Komisioneri Publik i cili kërkon shkarkimin e saj nga detyra.

Në seancën e parë publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit Komisioneri Publik Dariel Sina dhe Gazidede, e avokatja e saj Irena Reso u përballën mbi argumentet e ngritura në ankim kryesisht mbi të ardhurat e ligjshme për ndërtimin e një shtëpie, blerjen e një dyqani, mos deklarimin e gjendjes cash në disa vite dhe problemet në kriterin e aftësive profesionale.

Sina këmbënguli në seancë se Gazidede nuk kishte pasur burime të mjaftueshme financiare të ligjshme, kishte bërë deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme. Ai po ashtu këmbënguli se vendimi i KPK-së ishte i cënueshëm edhe në kriterin e profesionalizmit. Duke iu referuar katër dosjeve të Gazidedes që u dërguan nga KPK për hetim disiplinorë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Sina tha se konstatonte që “mangësitë e vërejtura janë të tilla, që nuk justifikojnë dhe të krijojnë bindjen se subjekti i rivlerësimit duhet të konfirmohet në detyrë”.

Avokatja Irena Reso që lexoi mbrojtjen e Gazidedes në kriterin e pasurisë kundërshtoi pretendimet e Sinës për pamjaftueshmëri, ngriti dyshime mbi analizën financiare dhe këmbënguli se në vendimet e mëhershme të KPA-së u ishte dhënë e drejtë subjektit mbi çështje të ngjashme.

Vetë Gazidede bëri mbrojtjen mbi profesionalizmin. Ajo kërkoi fillimisht që hetimi në këtë pjesë të rrëzohej për procedurë dhe më pas shpjegoi katër çështjet për të cilat ishte ankimuar. Ajo këmbënguli se s’kishte konflikt interesi me Albtelekom, pavarësisht zotërimit të një përqindje shumë të vogël të aksioneve. Po ashtu ajo pretendoi se s’kishte pasur dijeni se dy çështje që kishte gjykuar në Apel, i kishte gjykuar edhe më herët në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Diskutimi për  pasurinë

Komisioneri Publik u mëshoi qëndrimeve të bëra në ankim në lidhje me shtëpinë që Gazidede ndan me prindërit e bashkëshortit. Komisioneri vuri në dukje se vlerësimi nga KPK i pasaktësive në deklarim dhe mungesës së burimeve ishte i pasaktë dhe i kërkoi Kolegjit të rishqyrtonte këtë aspekt.

Sipas Sinës, Gazidede nuk kishte deklaruar të saktë sipërfaqen  dhe vlerën e kësaj pasurie, kishte kontradikta në deklarimet vjetore të saj dhe se mungonte dokumentacioni provues për kostot. Sina këmbënguli se Komisioni kishte përllogaritur kosto më të ulëta, pas të cilave Gazidede rezultonte me bilanc negativ prej 500 mijë lekësh. Ai pretendoj se nëse në përllogaritje merreshin për bazë kostot e Entit Kombëtar të Banesave,  Gazidede dhe personat e lidhur nuk kishin pasur të ardhura të ligjshme për të mbuluar shpenzimet, në një shumë që shkonte mbi 4 milion lekë.

Të njëjtin qëndrim ai mbajti për blerjen e truallit, një njësie tregtare, dy makinave dhe disa transaksione bankare, bazuar mbi të ardhura të padeklaruara si gjendje cash. Sina këmbënguli se të ardhurat e pretenduara nga subjekti dhe të marra në konsideratë nga KPK nuk duhej të konsideroheshin të ligjshme. Ai tha se mos deklarimi i gjendjes cash në vite bënte të pajustifikuara disa transaksione bankare dhe këmbënguli se të ardhurat nga qiraja tatimet për të cilën ishin paguar vetëm pas fillimit të procesit veting nuk mund të merreshin në konsideratë.

Sina po ashtu cilësoi shkarkuese edhe mos deklarimin nga subjekti të përdorimit të një makinë në vitin 2016.

Avokatja Reso fillimisht i drejtoi disa pyetje Komisionerit dhe kërkoi nga ai shpjegime mbi analizën financiare dhe përllogaritjen e kostove bazuar mbi tatimin e paguar te ALUIZN-i për legalizimin e banesës.

Më tej avokatja përdori dy argumente kryesore për të dëshmuar se kërkesat në ankim nuk qëndronin. Ajo tha se Gazidedes duhej t’i llogariteshin kosto vetëm për ½ e banesës, duke e ndarë atë nga prindërit e bashkëshortit. Duke iu referuar vendimeve të KPK dhe KPA që sipas saj i përkisnin çështjeve të ngjashme, vjehrri dhe vjehrra ishin bashkë-investitorë në ndërtesë dhe për pasojë nuk mund të konsideroheshin persona të tjerë të lidhur.

Më tej në përpjekje për të justifikuar mos deklarimin në vite të gjendjes cash avokatja tha se familja i kishte menaxhuar të ardhurat sipas “traditës zakonore”. Ajo pretendoi se të ardhurat e gjyqtares ishin menaxhuar nga vjehrri edhe pse familjet ishin të ndara në regjistrin e gjendjes civile. Duke iu referuar vendimit të KPA për gjyqtaren Nertina Kosova, Reso pretendoi se vjehrri nuk kishte pasur detyrim deklarimi të cashit, por se këto para ishin mbajtur në shtëpi.

Reso po ashtu kundërshtoi gjetjet e tjera të Komisionerit. Sipas saj pagesa e tatimit për qiratë e përfituara vite më parë në vitin 2019 pas fillimit të rivlerësimit, i bënte ato të ligjshme. Ajo këmbënguli se këto legjislacioni më herët nuk kishte parashikua modus të veçantë për pagesën e tatimit në burim dhe se kjo kishte krijuar vështirësi.

Avokatja po ashtu kërkoi që KPA të mos merrte parasysh kërkesat e Sinës sa i përket analizës financiare.

Diskutimi mbi profesionalizmin

Përveç pasurisë Sina i kërkoi KPA të rivlerësonte qëndrimi e Komisionit edhe në lidhje me profesionalizmin e Gazidedes. Sina paraqiti si arsye vonesat në dhënien e vendimeve, një denoncim dhe 4 vendime të gjyqtares.

Dy të dyshuara për konflikt interesi për shkak të zotërimit të aksioneve në kompaninë Albtelekom edhe pse këto në një vlerë mjaft të vogël.

Dy vendime të Gjykatës së Administrative të Apelit të rrëzuara nga Gjykata e Lartë për shkelje të procesit të rregullt ligjorë, pasi Gazidede rezultoi të kishte gjykuar këto çështje edhe si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Komisioni i konsideroi si problematike këto raste, por nuk mori vendim për to dhe i kaloi ato për procedim disiplinorë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. ONM në rekomandim për rastin e Gazidedes e cilësoi këtë si shpangie të KPK-së nga përgjegjësia. Sipas vëzhguesve KPK nuk duhet të përdorte referimin, por duhej të gjykonte vetë sepse përndryshe “heq dorë nga detyra e saj kushtetuese”.

Sina në ankim thotë se shkeljet të marra së bashku duhej të sillnin shkarkimin e Gazidedes dhe këmbënguli që KPA të vlerësojë çështjen në këtë drejtim.

Në përgjigje të kësaj pjese të ankimit Gazidede foli vetë. Ajo fillimisht pretendoi se kjo pjesë ankimi duhej të rrëzohej për procedurë. Sipas gjyqtares vendimi i KPK-së parashikonte se çështjet që referoheshin për procedim disiplinorë nuk mund të ankoheshin.

Gazidede më tej, duke përmendur kërkesën e ONM-së që shqyrtimi në KPA të bëhej pa u shqyrtuar çështjet në ILD, tha se kishte dy vendime të ILD-së të marra mbi referimet nga KPK. Sipas saj Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte vendosur pezullim për shkak të parashkrimit të dy çështjeve që lidheshin me vendimet e Gjykatës së Lartë dhe pezullim deri në marrje të një vendimi nga KPA për dy dosjet e tjera.

Ajo pranoi problemet që dilnin nga këto raste, por këmbënguli se nuk kishte pasur dijeni se kishte shqyrtuar më herët çështjen dhe palët nuk e kishin ngritur atë në proces. Ajo po ashtu pretendoi se aksionet që kishte pasur në Albtelekom ishin minimale dhe se nuk kishte pasur asnjë përfitim financiare prej tyre. Gazidede mohoi problemet e tjera dhe tha se vonesat ishin shkak i ngarkesës së madhe të gjykatës.

Në fund të seancës Komisioneri Sina kërkoi të njihej me vendimet e ILD-së dhe trupa e kryesuar nga Ina Rama, me relator Ardian Hajdari e anëtarë  Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz vendosi shtyrje të seancës të hënën në orën 14.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *