Kolegji gjen cenim të procesit ligjor në vendimin e ish-gjyqtarit Genci Sinjari

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerëson se KPK duhej ta kishte njoftuar ish-gjyqtarin Genci Sinjari dhe t’i kishte garantuar të drejtën për t’u dëgjuar në seancë, edhe pas dorëheqjes së tij –ndërsa lë në fuqi përjashtimin e tij për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.

Anëtarët e trupës gjykuese të KPA gjatë një seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.  | Foto:LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i dha të drejtë ish-kryetarit të Gjykatës Administrative të Durrësit, Genci Sinjari lidhur me ankimin për cenim të procesit të rregullt në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, për shkak të mosdhënies së të drejtës së tij për t’u dëgjuar. Një pretendim i dytë për zbatimin në mënyrë të gabuar të nenit G të Aneksit të Kushtetutës nga ana e KPK-së u rrëzua nga Kolegji.

Genci Sinjari ishte kryetar i Gjykatës Administrative të Durrësit në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut. Por ai dha dorëheqjen në maj 2017, duke e motivuar atë me “shkaqe shëndetësore dhe familjare”.

Për këtë arsye, KPK ndërpreu procesin e vetingut për të, duke vendosur përjashtimin për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.

Sinjari e ankimoi çështjen në Kolegj, duke kërkuar prishjen e vendimit të KPK dhe vazhdimin e procesit për të –duke e konsideruar procesin të parregullt si dhe aplikimin e nenit G të Kushtetutës të gabuar.

Në vendimin e zbardhur, Kolegji argumenton se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk shprehet në asnjë moment lidhur me të drejtën e subjektit për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, apo rrethanat të cilat legjitimojnë përjashtimin e tij nga kjo e drejtë.

“…Nuk u konstatua as ekzistenca e ndonjë prej rasteve përjashtimore të përcaktuara në mënyrë shteruese në nenin 89 të Kodit të Procedurave Administrative, sipas të cilave procedura administrative mund të mbyllet pa nevojën e njoftimit të subjektit të rivlerësimit dhe pa i dhënë mundësinë këtij të fundit për t’u dëgjuar lidhur me çështjen e tij”, konstaton KPA.

Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se, mungesa e njoftimit të subjektit të rivlerësimit dhe mosdhënia e të drejtës për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore nga ana e Komisionit, është në kundërshtim me parashikimet e nenit 55 të ligjit nr. 84/2016, “Seanca dëgjimore”, ku parashikohet procedura që duhet të ndjekë KPK.

“…Përbën cënim të procesit të rregullt ligjor, në kuptim të cënimit të së drejtës së subjektit të rivlerësimit për t’u dëgjuar lidhur me çështjen e tij, sipas përcaktimit të nenit 42 të Kushtetutës dhe nenit 6, paragrafi 1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,” vijon arsyetimi i Kolegjit.

Lidhur me shkakun e ankimit për zbatim në mënyrë të gabuar të nenit G të Aneksit të Kushtetutës që ka të bëjë me dorëheqjen, trupi gjykues i referohet arsyetimit të mëparshëm të Kolegjit se, vullneti për të mos iu shmangur procesit të rivlerësimit, shprehet vetëm nëpërmjet qëndrimit në detyrë dhe përfundimit të procesit të rivlerësimit.

“Në momentin që subjekti i rivlerësimit, me vullnetin e tij të lirë ndërpret detyrën funksionale që e bën atë subjekt të procesit të rivlerësimit ex officio, duhet të marrë parasysh edhe pasojën ligjore që sjell dorëheqja nga detyra në ecurinë e procesit të rivlerësimit, sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës”, citohet në vendim.

Gjithashtu, Kolegji i referohet edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2017 ku thuhet se, “për sa kohë që subjekti i rivlerësimit është në detyrë dhe procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar ende, ai ka të drejtën të japë dorëheqjen dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet, duke u zbatuar parashikimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës”.

Nisur nga këto arsyetime, Kolegji vlerëson se, pavarësisht se subjekti i rivlerësimit nuk e ka bazuar dorëheqjen në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, edhe nëse do të provohej se shkaku ishte objektiv, do të vlerësohej pa efekt kundrejt zbatimit të këtij neni, për sa kohë e kishte humbur statusin e magjistratit, pas dorëheqjes.

Në përfundim të shqyrtimit të ankimit, trupi gjykues i Kolegjit ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të muajit shtator 2018 për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish-gjyqtarin Genci Sinjari dhe humbjen e të drejtës së tij për t’u emëruar në institucionet e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.